Lajme Zone
U diagnostikua me kancer terminal në moshën 49-vjeçare, mjeku rrëfen çfarë i mësoi përballja me vdekjen
EkonomiSyri

U diagnostikua me kancer terminal në moshën 49-vjeçare, mjeku rrëfen çfarë i mësoi përballja me vdekjen

Bryant Lin, TheTelegraph

Bryant Lin, TheTelegraph Dr. Bryant Lin kaloi dy dekada duke studiuar rritjen e rasteve të kancerit të mushkërive te personat që nuk pinë duhan, derisa një kollë e vazhdueshme i zbuloi diagnozën e tij.Lexo edhe:A është dieta nordike më e shëndetshme se dieta mesdhetare? Kam pasur një karrierë të shkëlqyer në mjekësi. Për 20 vjet kam punuar në Departamentin e Kujdesit Parësor dhe Shëndetit të Popullatës në Universitetin Stanford. Aktualisht jam profesor klinik i mjekësisë dhe drejtor i shkencave humane dhe arteve mjekësore. Kam ushtruar mjekësinë e kujdesit parësor, kam dhënë mësim, kam themeluar kompani, kam kryer kërkime për pajisjet mjekësore dhe kam 17 patenta në emrin tim – kam bërë nga pak nga të gjitha. Gjithashtu, kam qenë bashkëthemelues i Qendrës së Stanfordit për Kërkimin dhe Edukimin mbi Shëndetin e Aziatikëve (CARE). Kam parë gjithçka. Gjatë viteve kam trajtuar shumë pacientë me kancer, veçanërisht me kancer të mushkërive, dhe kam parë njerëz të ndërronin jetë. Për mua, diagnostikimi me kancer të mushkërive në fazën e katërt ishte një tronditje e madhe. Nuk kam pirë kurrë duhan, as edhe një ditë të vetme në jetën time. Rreth një e pesta e të gjithë personave me kancer të mushkërive nuk kanë pirë kurrë duhan, por askush nuk e pret që kjo t’i ndodhë vetë, sidomos jo në moshën time. U diagnostikova më 13 maj 2024, një muaj para se të mbushja 50 vjeç. Një kollë e vazhdueshme Gjithçka filloi me një kollë të vazhdueshme. Mendova: “Eh, ndoshta janë thjesht alergjitë”. Ecja nëpër shtëpi natën, para se të shkoja në shtrat, duke kollitur dhe duke zgjuar familjen. Provova medikamente kundër alergjive dhe ilaçe për astmën, por kolla nuk po përmirësohej. Pas pesë ose gjashtë javësh, vendosa se ishte koha të ndërmerrja hapa më të vendosur. Brenda një jave bëra një radiografi, një skaner CT dhe një bronkoskopi, për të kuptuar nëse bëhej fjalë për ndonjë infeksion të pazakontë apo për kancer. Të hënën e javës pasuese mora diagnozën zyrtare të kancerit të mushkërive. Brenda një jave, një rezonancë magnetike tregoi 50 vatra në tru. Një skanim PET tregoi se kanceri ishte përhapur përtej mushkërive, në mëlçi, gjëndrat mbiveshkore, kocka dhe tru. Madje kisha edhe masa të përbëra tërësisht nga qeliza kancerogjene nën lëkurë. Mund t’i ndieja me prekje. Edhe pse kisha ushtruar profesionin e mjekut për 20 vjet, nuk e dija se mund të krijoheshin masa të tilla, të përbëra tërësisht nga qeliza kancerogjene, nën lëkurë. Si mjek, i njihja statistikat: shkalla e mbijetesës pesëvjeçare për të gjithë pacientët me kancer të avancuar të mushkërive ishte rreth 10 për qind. Sigurisht, gjithmonë shpreson se do të jesh një nga ata 10 për qind. Asnjëherë nuk i dihet ndoshta fati është në anën tënde. Kur merr një diagnozë të një sëmundjeje terminale, trajtimi ka dy qëllime: zgjatjen e jetës dhe përmirësimin e cilësisë së saj. Kam kaluar 16 muaj në kimioterapi dhe kam marrë çdo ditë një tabletë, një trajtim të synuar të quajtur Tagrisso. Vjeshtën e kaluar, kanceri im po përkeqësohej me shpejtësi. Mushkëria m'u mbush me lëng dhe m'u deshën të hiqeshin 1,3 litra lëng. Përfundimisht, kalova në një trajtim të ri: një antitrup, së bashku me një tabletë. Fatkeqësisht, këtë verë sëmundja përparoi sërish dhe m'u desh t'i nënshtrohesha rrezatimit në mushkëri, me shpresën se kjo do të më zgjaste kohën gjatë së cilës mund të vazhdoja trajtimin aktual. Kur bëhet fjalë për përballjen me kancerin terminal, unë e njihja atë vetëm në aspektin teorik. E njihja nga përvojat e të tjerëve. Por nuk e kupton vërtet derisa të të ndodhë ty. Ishte si një slitë emocionesh. Sa u përket fazave të pikëllimit, pati pak zemërim, më shumë mohim dhe depresion, por pranimi erdhi shpejt. Kur je mjek dhe ke përballë një pacient, përpiqesh të ruash ekuilibrin mes objektivitetit dhe empatisë. Kur je vetë pacienti, gjithçka lidhet shumë më tepër me emocionet. Ndarja e lajmit me familjen Nuk ndodhi si në televizion, ku hyjmë në dhomë dhe vjen një moment kur dikush të njofton për diagnozën. Si mjek dhe si person që e njihte nga brenda sistemin, merrja vazhdimisht informacione, sa herë që mbërrinte rezultati i një analize. Bashkëshortja ime, Christine, ishte pranë meje gjatë gjithë kësaj kohe. Sa herë merrja një rezultat, i tregoja se të gjitha analizat për sëmundjet infektive po dilnin negative, çka e bënte gjithnjë e më të mundshme që të bëhej fjalë për kancer. Edhe djemtë e mi, Dominic dhe Atticus, ishin pranë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në atë kohë ishin përkatësisht 12 dhe 16 vjeç. Isha më shumë i shqetësuar për reagimin e tyre sesa për gjithçka që mund të më ndodhte mua. Ishim shumë të hapur me ta dhe i mbanim të informuar, në vend që t'u jepnim papritur lajmin e keq. Ndihesha shumë keq, kisha të përziera të forta dhe lodhje, dhe nuk e fsheha këtë prej tyre. Është e vështirë të thuash: “Hej, jam i sëmurë”. Por ndarja me ta e çdo informacioni të ri gjatë rrugës më ndihmoi. Ata janë në atë moshë kur mendojnë se janë të paprekshëm dhe gjithashtu besojnë se edhe babai i tyre është i paprekshëm. Ata i kuptojnë të gjitha aspektet klinike, por nuk e di nëse i kuptojnë edhe emocionalisht, sepse janë adoleshentë dhe nuk kanë përvojën jetësore të humbjes së njerëzve. Megjithatë, janë njerëz të lumtur dhe optimistë, ashtu si unë. Ata po e vlerësojnë kohën që kanë me mua. Kam biseduar me ta edhe për faktin se një ditë mund të mos jem më pranë tyre. Bashkëpunova me një mike në Stanford, Frish Brandt, e cila e quan veten “mami e letrave” (Letter Midwife). Ajo më ndihmoi të shkruaja një letër për fëmijët e mi. Në të shpreha shumë gjëra, ndër të cilat edhe rëndësinë që rastësitë e bukura kanë pasur në jetën time. U fola fëmijëve për faktin se jeta nuk ecën në vijë të drejtë dhe se ndodhin gjëra të papritura, disa të mira e disa të këqija, dhe se është e rëndësishme të dish t'i njohësh ato si mundësi. Kam menduar të regjistroj video për ta, duke u lënë mësime jete dhe këshilla. Nuk e di nëse jam ende gati ta bëj këtë. Madje, nuk e di as çfarë do të thosha. Për ditëlindjen time në qershor, djali im i madh, Dominic, më shkroi një kartolinë. Ai shkroi: “I admiroj vërtet të gjitha gjërat që po bën për kancerin e mushkërive, faktin që po ngre zërin dhe po shkruan një libër”. Nuk më kishte thënë kurrë më parë gjëra të tilla. Të kërkosh anën pozitive Kam qenë me fat. Ende jam në gjendje të jap mësim. Kam bërë pushime, por nuk kam marrë asnjë ditë leje për shkak të sëmundjes, ndonëse ndoshta duhej ta kisha bërë. Ende vizitoj pacientë. Ende bashkëdrejtoj qendrën tonë. Kur bëhet fjalë për kancerin, nuk ka rëndësi vetëm sa kohë të ka mbetur, por edhe çfarë bën me atë kohë. Brenda një muaji nga diagnostikimi, fillova të mendoja: “Si mund ta kthej një situatë të keqe në diçka të mirë?” Gjithmonë përpiqem të gjej një anë pozitive. Deri në vjeshtë kisha krijuar një kurs në Shkollën e Mjekësisë të Stanfordit, të titulluar “Nga diagnoza te dialogu: Beteja e një mjeku me kancerin, në kohë reale”. Doja të ndaja përvojën time. Kjo më bëri të reflektoja dhe të mendoja për atë që ka vërtet rëndësi. Një nga kolegët e mi më tha: “Pse nuk udhëton nëpër botë dhe nuk realizon gjërat që ke në listën e dëshirave para se të vdesësh?” Por unë nuk jam njeri që ndjek një listë të tillë. Gjej kuptim, kënaqësi dhe gëzim në ndërveprimin me njerëzit. Jeta ka të bëjë me njerëzit: në radhë të parë familjen time, por edhe studentët, kolegët, pacientët... E pyeta veten: “Ku duhet ta përqendroj kohën time?” Një jetë më e plotë, jo një jetë më e ngarkuar Dua të jetoj një jetë të plotë, një jetë me kuptim, dhe jo një jetë të mbushur me detyra. Një pjesë e madhe e jetës sime ka qenë e përqendruar te arritja e një qëllimi, te realizimi i diçkaje. Kalimi i kohës me familjen është një shembull i diçkaje që ka kuptim të pastër. Ne nuk kalojmë kohë së bashku për të arritur ndonjë qëllim. Thjesht të kalojmë kohë së bashku, të ulemi dhe të bisedojmë, ka kuptim në vetvete. Ndonjëherë ulemi në oborrin e shtëpisë, djali im lexon në njërën karrige dhe unë në tjetrën. Kjo ka kuptim për mua. Dua që familja ime të vazhdojë të jetojë jetën e saj. Bashkëshortja ime shkon në punë. Dominic është në universitet, ndërsa Atticus në shkollë të mesme. Gjatë ditës organizoj kurse dhe bisedoj me njerëz të tjerë që kanë kancer. Vazhdimisht më kontaktojnë njerëz dhe më thonë: “E dëgjova historinë tënde. Edhe unë jam diagnostikuar me kancer” ose “Bashkëshorti im është diagnostikuar me kancer. A mund të bisedoj me ty?” Nuk u them kurrë: “Jo”. Nëse ajo bisedë u vjen në ndihmë, kjo është e mrekullueshme. Këto janë gjërat që i japin kuptim jetës sime tani, ndërsa më parë jeta ime ishte e mbushur me takime pa fund dhe videokonferenca të pafundme në Zoom, për të zgjidhur detyra që duhej të përfnin. Kërko magjinë, mos prit që ajo të vijë vetë Në vende si Stanfordi, dhe veçanërisht kur punon në fushën e mjekësisë, ne vazhdimisht e shtyjmë lumturinë për më vonë. Mendojmë: “Do të jem i lumtur kur të marr diplomën”, “Do të jem i lumtur kur të marr këtë promovim...”. Vazhdimisht presim që diçka e mrekullueshme të ndodhë vetvetiu. Por lumturinë e kemi kudo rreth nesh, si për shembull kur shoh djalin tim që kthehet nga shkolla, kur shijoj një libër apo kur pi një kafe me një mik. Njerëzit duhet t'i shijojnë këto momente. Mos prisni atë “ngjarjen e madhe magjike”. Të gjithë jemi në një lloj rutine të pandërprerë të jetës, duke u përpjekur të arrijmë gjithmonë diçka tjetër. Për mua është shumë e rëndësishme të them: “Jam i lumtur. Çdo ditë kam të gjitha këto gjëra të mrekullueshme, për të cilat jam mirënjohës”. Shoh shumë njerëz që nuk ndalen asnjëherë për të thënë: “Ka kaq shumë arsye që sot të jem i lumtur”. Shikoji gjërat në perspektivën e duhur Ne jemi gjithmonë në ankth ose të shqetësuar për diçka, si për shembull për plotësimin e deklaratës së taksave apo të një formulari. Unë preferoj të shqetësohem për gjërat që mund t'i kontrolloj dhe të mos shqetësohem për ato që janë jashtë kontrollit tim. E pranoj kancerin. Nuk do të dorëzohem. Ende po marr trajtim dhe po përpiqem të gjej alternativën e radhës që do të më ndihmojë të jetoj më gjatë, por me një cilësi të mirë jete. Po bëj më të mirën për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e mushkërive dhe për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga kanceri. E di se ka gjëra që mund t'i ndryshoj dhe të tjera që nuk mund t'i ndryshoj. Kur kthej kokën pas në jetën time, 99,99999 për qind e saj ka qenë e mrekullueshme. Kjo ka të bëjë me vlerësimin e asaj që ke. Nëse e bën këtë, kupton se 0,00001 për qind e gjërave të tmerrshme që kanë ndodhur nuk janë aq të rëndësishme. Gjithçka varet nga këndvështrimi. Gjithashtu, mendoj se është e dobishme t'i shohësh gjërat nga dita në ditë, në vend që të mendosh vetëm në terma muajsh dhe vitesh. Pyete veten: “Çfarë dua të bëj sot?” Kisha dëshirë të realizoja një projekt ku do të udhëtoja me tren nga Nju Jorku në San Francisko. Mendoja të merrja me vete një makinë shkrimi dhe t'i pyesja njerëzit: “Çfarë do të bënit nëse do t'ju kishin mbetur edhe gjashtë muaj jetë?” Kjo është një pyetje që ia vlen të mendohet: “Nëse do të kishe një kohë të kufizuar në dispozicion, çfarë do të kishte rëndësi për ty?” Nuk e kam ndryshuar shumë jetën time, përveçse kam ndryshuar mënyrën se si e ndaj kohën, duke u përqendruar më shumë te gjërat që kanë kuptim. Por kjo pyetje më ka ndihmuar të fitoj një këndvështrim më të qartë për atë që ka vërtet rëndësi. Ji kureshtar, krijues dhe i sjellshëm Jam optimist dhe kam besim të madh te njerëzimi. Të gjithë i kemi natyrshëm kureshtjen, krijimtarinë dhe mirësinë që në fëmijëri. Kur diagnostikohesh me kancer, është e lehtë të harrosh të jesh kureshtar, krijues dhe i sjellshëm. Je duke ngarë makinën në autostradë dhe dikush të pret rrugën, ndaj zemërohesh. Ose je i zënë me punë, ose nuk ke fjetur mjaftueshëm. Si dikush që vuan nga kanceri terminal, nuk dua të harroj të jem kureshtar, krijues dhe i sjellshëm. Këto parime kanë marrë një rëndësi të re në jetën time. Ndihmo të tjerët Të ndihmosh njerëzit e tjerë është një dimension tjetër i mirësisë. Nëna ime vuan nga demenca e avancuar. Por ajo gjithmonë gjente mënyra për të ndihmuar të tjerët, duke bërë më shumë sesa pritej prej saj. Për mua, ajo është shembulli më i madh i mirësisë. Të ndihmosh të tjerët, të punosh me njerëzit dhe të bisedosh me ta, më sjell gëzim dhe lumturi. Kjo është ajo që dua të bëj me kohën që më ka mbetur.