Operacioni i koduar “Muri i Lartë” është finalizuar në Shkodër nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK, duke çuar në pranga 50-vjeçarin Bledar Cafi, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH kanë ekzekutuar masën e sigurimit “Arrest me burg”, të caktuar më 25 shtator nga Gjykata e Posaçme, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e një tjetër personi të shpallur në kërkim.
Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme kishte nxjerrë urdhër-arrest për 50-vjeçarin Bledar Cafi. Nga hetimet që SPAK po zhvillonte për trafikun e drogës të grupit Rraja, rezultoi se Cafi dyshohet se ishte pjesë e këtij grupi.
Bledar Cafi është person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai ka qenë i dënuar më parë në Itali për të njëjtën vepër penale, trafik të lëndëve narkotike, ku në vitin 2021 është arrestuar.
Cafi njihet ndryshe edhe si një nga të fortët e Shkodrës. Vite më parë Operacioni Forca e Ligjit u kishte dërguar formularin vëllezërve Cafi për justifikimin e pasurisë, pasi kanë disa biznese në qytetin e Shkodrës. Top Channel

