Kaosi dhe tensionet e shënuara në Kuvend, ku opozita hodhi tymuese dhe flakadanë, janë pasuar nga kërkesat e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetëve demokratë nga punimet parlamentare. PS kërkon përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa për gjashtë deputetë të tjerë të opozitës ka kërkuar masën më të rëndë, atë të përjashtimit për 60 ditë. Në listën e deputetëve ndaj të cilëve kërkohen masa disiplinore janë Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu, Bledion Nallbani, Klodiana Çapja dhe Albana Vokshi. Kërkesat vijnë pas seancës së tensionuar plenare, ku hedhja e tymueseve dhe flakadanëve shkaktoi kaos në sallë dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Tashmë pritet shqyrtimi i kërkesave për përjashtim, të cilat synojnë të ndëshkojnë deputetët e opozitës pas episodeve të fundit në Parlament. KERKESA E PS
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, Të nderuar anëtarë të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën,
Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 29 tetor 2026, që në nisje të saj deputetët e Partisë Demokratike penguan zhvillimin normal të punimeve parlamentare. Siç duket edhe nga pamjet dhe videot bashkangjitur kësaj kërkese, por edhe nga publikimet në media, sapo po lexohej Rendi i Ditës nga drejtuesi i seancës, deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, duke penguar funksionimin normal të punimeve të Seancës Plenare. Gjatë bllokimit të foltores së Kuvendit i është dhënë fjala deputetit Sali Berisha për procedurë. Gjatë fjalës së tij, duke mbajtur të bllokuar foltoren dhe jashtë parashikimeve të nenit 49 të Rregullores së Kuvendit, deputeti Sali Berisha përdori një fjalor joparlamentar, bëri thirrje për akte dhune, përdori një gjuhë të shprehuri që nxit urrejtjen, shkelje këto të rënda të parashikuara në Nenin 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit dhe të parashikuara në nenet 64 dhe 65 të Rregullores së Kuvendit. Në vijim të këtyre veprimeve të rënda të kryera nga deputeti Sali Berisha, i cili u mbështet edhe nga deputetë të tjerë anëtarë të grupeve parlamentare të opozitës.
Në momentin që filloi votimi i çështjeve të rendit të ditës deputetët Blendi Himçi, Ivi Kaso, Bledion Nallbati, Xhelal Mziu përdorën lëndë apo mjete piroteknike ndërsa gjithashtu deputeti Blendi Himçi dhe deputetet Albana Vokshi dhe Klodiana Çapja hodhën sende të forta në drejtim të Drejtuesit të Seancës dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, shkelje këto të rënda të parashikuara në Nenin 65/1 të Rregullores së Kuvendit.
Sjellja e këtyre deputetëve përbën shkelje të rënda të normave të etikës dhe disiplinës parlamentare, duke cënuar autoritetin e Kuvendit dhe kushtet për ushtrimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare.
Veprimet e deputetëve të sipërcituar u shoqëruan me bllokim të foltores së Kuvendit, tensione dhe zhurmë të vazhdueshme me mjete fryrëse nga deputetë të tjerë të opozitës, duke penguar zhvillimin e rregullt të procedurës së votimit. Gjithashtu është një shkelje e rëndë gjuha joparlamentare dhe nxitëse e dhunës nga deputeti Sali Berisha.
Për sa më sipër, bazuar në nenin 63, dhe nenin 65/1, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar dhe nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:
1.Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 10 ditë referuar nenit 65/1 pika 1, për deputetin Sali Berisha, për veprimet e sipërpërmendura.
2.Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë referuar nenit 65/1 pika 7, për deputetin Bledion Nallbati, për veprimet e sipërpërmendura.
3.Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë referuar nenit 65/1 pika 7, për deputetin Ivi Kaso, për veprimet e sipërpërmendura.
4.Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë referuar nenit 65/1 pika 7, për deputetin Blendi Himçi, për veprimet e sipërpërmendura.
5.Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë referuar nenit 65/1 pika 7, për deputetin Xhelal Mziu, për veprimet e sipërpërmendura.
6.Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë referuar nenit 65/1 pika 7, për deputeten Albana Vokshi, për veprimet e sipërpërmendura.
7.Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë referuar nenit 65/1 pika 7, për deputeten Klodiana Çapja, për veprimet e sipërpërmendura. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

