Dy turiste suedeze kanë kallëzuar në polici se janë abuzuar seksualisht nga pesë të rinj gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë. Sipas dëshmive të tyre, ngjarjet kanë ndodhur në dy netë radhazi, më 5 dhe 6 shtator 2026, në apartamentin me qira ku ishin akomoduar në kryeqytet.
Dy shtetaset, me inicialet S.M. dhe M.J., mbërritën në Shqipëri më 4 shtator, përmes aeroportit “Nënë Tereza”. Pas disa ditësh në Tiranë, ato udhëtuan drejt Durrësit, ku më 9 shtator iu drejtuan policisë për të bërë denoncimin.
Sipas dëshmive të dy turisteve, mbrëmjen e 5 shtatorit ato kishin dalë nga apartamenti për të ngrënë. Gjatë qëndrimit në një ambient në Tiranë, u njohën me dy të rinj që punonin si shpërndarës ushqimesh me motor.
Pas bisedës, vajzat i ftuan ata në apartamentin ku po qëndronin për të konsumuar pije. Sipas kallëzimit, dy të rinjtë nuk shkuan vetëm, por shoqëroheshin edhe nga një person tjetër. Në apartament ndodheshin kështu pesë persona. Fillimisht, situata ka qenë normale. Sipas dëshmisë së njërës prej turisteve, grupi ka qëndruar së bashku, ka konsumuar pije dhe ka biseduar.
Më vonë, njëri prej të rinjve dyshohet se është afruar fizikisht me njërën prej vajzave. E shqetësuar nga situata, shoqja e saj e ka marrë për dore dhe të dyja janë mbyllur në tualet, ku kanë diskutuar nëse kishin bërë gabim duke i ftuar të rinjtë në banesë.
Pas disa minutash, ato janë kthyer në ambientin ku ndodheshin tre djemtë.
Njëra prej shtetaseve ka deklaruar se nuk e kujton plotësisht vijimin e ngjarjes, pasi kishte konsumuar alkool dhe ishte e përgjumur. Megjithatë, ajo ka dëshmuar se në një moment ka parë shoqen e saj të shtrirë në dhomën e gjumit, ndërsa njëri prej të rinjve dyshohet se po kryente marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj. Pak më vonë, tre të rinjtë janë larguar nga apartamenti. Dy turistet kanë qëndruar në banesë gjatë pjesës tjetër të natës.
Sipas kallëzimit, rreth mesnatës së 6 shtatorit, dy vajzat janë zgjuar dhe kanë dalë sërish në Tiranë për të blerë ushqim. Gjatë kthimit në apartament, ato janë njohur me dy të rinj të tjerë. Pas bisedës, turistet i kanë ftuar edhe ata në banesën ku po qëndronin. Sipas deklarimeve të tyre, takimi ka përfunduar në një tjetër episod që ato e kanë denoncuar si abuzim seksual.
Dy shtetaset pretendojnë se janë detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e tyre. Të nesërmen, ato janë larguar nga Tirana dhe kanë udhëtuar drejt Durrësit.
Tre ditë pas ngjarjeve të pretenduara, dy turistet suedeze janë paraqitur në Policinë e Durrësit dhe kanë bërë kallëzim penal ndaj pesë personave. Në dëshmitë e tyre, ato kanë përshkruar dy episodet dhe kanë dhënë të dhëna për personat me të cilët janë njohur gjatë qëndrimit në Tiranë.
Policia e Tiranës, vendi ku dyshoher se kanë ndodhur ngjarjet, ka nisur verifikimet për identifikimin dhe gjetjen e pesë personave të përmendur në kallëzim, ndërsa po punohet për të dokumentuar rrethanat dhe dinamikën e plotë të ngjarjeve.
Në kuadër të hetimit pritet të verifikohen të dhënat e apartamentit ku qëndronin turistet, lëvizjet e personave të përfshirë, komunikimet mes tyre, si dhe çdo element tjetër që mund të ndihmojë në sqarimin e ngjarjes dhe sigurimin e provave.

