Një test i zhvilluar nga Universiteti i Birminghamit mund të reduktojë ndjeshëm cistoskopitë e panevojshme dhe të përshpejtojë diagnostikimin për pacientët që kanë vërtet nevojë për të. Prej vitesh, procedura kryesore për diagnostikimin dhe monitorimin e sëmundjeve që prekin fshikëzën dhe uretrën është cistoskopia. Bëhet fjalë për një ekzaminim ambulator, i bezdisshëm dhe i frikshëm për shumë pacientë, pavarësisht përdorimit të një qetësuesi të lehtë. Gjatë procedurës, një sondë me kamerë futet përmes uretrës për të kontrolluar pjesën e brendshme të fshikëzës.Lexo edhe:Vitamina D mund të ndihmojë në ngadalësimin e demencës dhe përmirësimin e kujtesës Në të ardhmen e afërt, të paktën për sa u përket tumoreve të fshikëzës, kjo situatë mund të ndryshojë ndjeshëm falë një testi të thjeshtë që mund të kryhet vetë në shtëpi. Testi, i quajtur Galeas dhe i zhvilluar me financim nga organizata Cancer Research UK, bazohet në një fakt të njohur: qelizat tumorale lëshojnë në urinë fragmente të ADN-së së tyre. Nga kjo lindi ideja për krijimin e një pajisjeje që mund t'i zbulojë këto fragmente. Sipas rezultateve të studimit, të publikuara në revistën European Urology Oncology, Galeas është në gjendje të analizojë më shumë se 450 mutacione të ADN-së në 23 gjene, të lidhura drejtpërdrejt me kancerin e fshikëzës. Faza e testimit përfshiu rreth 1 mijë pacientë në shtatë spitale në Angli dhe Skoci. Sipas rezultateve të para, testi arriti të zbulonte 92% të rasteve të kancerit të fshikëzës. Për më tepër, ai është në gjendje të përjashtojë praninë e sëmundjes me një saktësi prej më shumë se 99%, një nivel shumë i lartë sigurie që hap rrugën për përdorimin e tij konkret në praktikën klinike. Studiuesit sqarojnë se qëllimi i Galeas nuk është të zëvendësojë plotësisht cistoskopinë, por të reduktojë ndjeshëm numrin e ekzaminimeve të panevojshme. Parimi është ai i stratifikimit të rrezikut: pacientët që rezultojnë pozitivë në testin Galeas do të kenë përparësi absolute për t'iu nënshtruar një cistoskopie urgjente, ndërsa ata me rezultat negativ mund të shmangin ekzaminimin invaziv, të paktën në fazën fillestare. Nëse këto të dhëna konfirmohen në studime më të mëdha, testi mund t'u mundësojë dhjetëra mijëra njerëzve çdo vit të shmangin kontrollet invazive dhe të panevojshme, ndërsa në të njëjtën kohë do të përshpejtonte procesin diagnostik për pacientët që kanë realisht nevojë për ekzaminime të mëtejshme. Aktualisht, me synimin për të mbledhur të dhëna në një shkallë më të gjerë, testi po eksperimentohen në kuadër të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS).).

