Presidenti amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë nesër tubimin përmbyllës të fushatës së tij në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, që do të mbahen më 3 nëntor. Sipas raportimeve të CNN, aktiviteti do të organizohet në Pishinën pranë Memorialit të Abraham Linkolnit, në Uashington, D.C. Duke cituar disa burime të njohura me planet, CNN bën të ditur se Trump pritet të flasë për projektet e tij të ndërtimit dhe zhvillimit në kryeqytetin amerikan, por edhe të përcjellë mesazhin e fundit elektoral përpara votimit. Sipas raportimit të The Wall Street Journal, fjalimi në Memorialin e Linkolnit do të përqendrohet te agjenda e ndjekur nga administrata Trump dhe republikanët në Kongres që prej fillimit të mandatit të dytë. Aktiviteti vjen pas ndalesave të presidentit në Iowa dhe Kansas, në ditët e fundit të fushatës. Zgjedhjet e 3 nëntorit konsiderohen një test i rëndësishëm politik për Trumpin dhe Partinë Republikane, pasi votuesit do të vendosin për përbërjen e re të Kongresit amerikan © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

