Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të heqin tarifën prej 10% që aktualisht aplikohet ndaj uiskit irlandez. Trump e bëri deklaratën të dielën, gjatë ceremonisë së ndarjes së trofeut në përfundim të turneut të Irish Open, në Irlandë. Presidenti amerikan tha se ishte pyetur vazhdimisht për këtë çështje, madje edhe nga disa prej lojtarëve të golfit.
“Të gjithë po më bezdisnin që ta bëja”, tha Trump, përpara se të shtonte: “Dhe unë thashë: ‘Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’i heq tarifat uiskit irlandez’”.
Uiski irlandez aktualisht përballet me tarifën standarde të vendosur nga administrata Trump për shumicën e importeve nga Bashkimi Evropian. Kjo tarifë ishte ulur nga 15% në 10% në muajin korrik.
Deklarata e Trump u prit me brohoritje dhe fishkëllima nga spektatorët e pranishëm në turne.
Në muajin maj, Shoqata Irlandeze e Uiskit kishte kërkuar heqjen e tarifës, duke argumentuar se një vendim i tillë do të ndihmonte kompanitë amerikane që tregtojnë produkte irlandeze dhe do të ulte pasigurinë për konsumatorët.
Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura detajet se kur do të hyjë në fuqi heqja e tarifës.
Vendimi vjen pasi Trump kishte hequr më herët tarifat për uiskin britanik, përfshirë Scotch-in dhe pijet e prodhuara në Irlandën e Veriut. Top Channel

