Presidenti amerikan Donald Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po shqyrtojnë mundësinë e largimit nga detyra të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme, raportoi agjencia Associated Press (AP). Sipas The Wall Street Journal, Guilfoyle dyshohet se i kërkoi donatorit republikan Eric Deters t’i paguante një faturë prej 100 mijë dollarësh të kartës American Express, duke i ofruar në këmbim akses te zyrtarë të lartë të administratës Trump. Pagesa nuk u krye. Avokatët e ambasadores i kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë vënë në pikëpyetje autenticitetin e mesazheve të publikuara.
Sipas mesazheve të shqyrtuara nga gazeta, Guilfoyle i kishte kërkuar Detersit që paratë të transferoheshin në një mënyrë që të mos linin gjurmë dokumentare. Raportimi pretendon gjithashtu se ajo i kishte ofruar akses te zyrtarë të lartë të administratës Trump në këmbim të pagesës, por Deters nuk e kreu transferimin.
Raportimet e The Wall Street Journal përfshijnë edhe pretendime të tjera për sjelljen e Guilfoyle në Greqi, përfshirë promovimin e interesave të një kompanie greke të sektorit të ndërtimit dhe energjisë, si dhe praninë e një lobisti të saj në takime diplomatike. Sipas AP, një zyrtar amerikan bëri të ditur se inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit po shqyrton akuzat, por nuk është konfirmuar nëse është hapur një hetim formal.
Guilfoyle u takua me Ramën në Tiranë
Më 28 prill 2026, Kimberly Guilfoyle u takua me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të një marrëveshjeje kuadër 20-vjeçare për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.
Në aktivitet u prezantuan gjithashtu hapa për zhvillimin e projektit Vlora Energy Hub, me synimin për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike. Sipas deklarimeve të publikuara në atë kohë, marrëveshja për furnizimin me LNG u paraqit si një angazhim me vlerë 6 miliardë dollarë.
Takimi me Ramën ishte pjesë e bashkëpunimit energjetik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Nuk ka të dhëna publike që e lidhin këtë vizitë me akuzat e raportuara së fundmi ndaj Guilfoyle në SHBA. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

