Lajme Zone
Trump, Putin dhe Xi ndajnë botën, Evropa jashtë loje
PolitikëPamfleti

Trump, Putin dhe Xi ndajnë botën, Evropa jashtë loje

Politika e Vladimir Putinit diktohej atëherë, ashtu si edhe sot, nga pakënaqësia e thellë dhe dëshira për hakmarrje ndaj humbjes së statusit të superfuqisë që Rusia pësoi pas Luftës së Ftohtë.

Donald Trump dhe Xi Jinping / Takimi i tre udhëheqësve sinjalizon një rend të ri ndërkombëtar, ku fuqitë e mëdha synojnë të përcaktojnë vetë ekuilibrat globalë. Evropa rrezikon të mbetet spektatore, pa një zë të përbashkët dhe pa ndikimin e dikurshëm në skenën botërore... Në historinë e diplomacisë së shekullit XXI, pak deklarata kanë shkaktuar kaq shumë zemërim me kaq pak fjalë sa cilësimi që Barack Obama i bëri Rusisë në vitin 2014, kur e përshkroi atë si një “fuqi rajonale”.

Politika e Vladimir Putinit diktohej atëherë, ashtu si edhe sot, nga pakënaqësia e thellë dhe dëshira për hakmarrje ndaj humbjes së statusit të superfuqisë që Rusia pësoi pas Luftës së Ftohtë.

Botëkuptimi i tij është i deformuar nga bindja paranojake, se NATO-ja nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për ta thelluar këtë poshtërim, edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Nga froni i Kremlinit, presidenti rus pret të trajtohet si një figurë madhështore e historisë botërore. Është e vështirë të përshkruhet se sa shumë e lëndoi Putinin përçmimi i Obamës, i cili e renditi Rusinë mes fuqive të dorës së dytë në skenën gjeopolitike. Te Donald Trump, Putini ka gjetur njeriun e duhur për t’i balsamosur krenarinë e plagosur. Presidenti amerikan ka një koncept sipërfaqësor dhe përfitues mbi pushtetin.

Atë e impresionojnë pallatet e stolisura me ar dhe sundimtarët e armatosur deri në dhëmbë.

Ai ndihet i penguar nga kufizimet që demokracia amerikane i vendos pushtetit presidencial dhe i ka zili autokratët që qeverisin pa pasur nevojë të përballen me të njëjtat pengesa.

Meqenëse madhështinë e një shteti Trump e mat përmes përbuzjes që udhëheqësi i tij tregon ndaj vendeve më të vogla dhe oreksit për përfitime personale, ai është i gatshëm ta rikthejë Rusinë në radhën e fuqive të mëdha.

Këtu qëndron edhe rëndësia që ka për Putinin samiti trepalësh me Trumpin dhe presidentin kinez, Xi Jinping, që do të mbahet nesër në Shenzhen. Vetë organizimi i këtij takimi i jep Rusisë pamjen e një fuqie të barabartë me dy superfuqitë e vërteta të botës.

Për Putinin, ky është tashmë një sukses, pavarësisht nëse palët do të arrijnë apo jo ndonjë marrëveshje konkrete. Axhenda e takimit mbetet e paqartë. Ministria e Jashtme kineze, ka deklaruar se diskutimet do të përqendrohen te “ruajtja e paqes botërore” dhe “nxitja e stabilitetit strategjik në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha”.

Xi do të jetë i kënaqur me mundësinë për ta paraqitur Kinën si organizatoren e një rendi të ri botëror. Ndërkaq, Trump ka thënë se pret që bisedimet të përfshijnë çarmatimin bërthamor, Iranin, tregtinë dhe “temën time të preferuar, Ukrainën”.

Pamja e tre udhëheqësve që diskutojnë ekuilibrat e pushtetit global është krahasuar me Konferencën e Jaltës, në shkurt të vitit 1945, kur Ruzvelti, Stalini dhe Çërçilli hartuan planet për Evropën e pasluftës.

Por Jalta ishte një konferencë që zgjati një javë, ku aleatët ushtarakë diskutuan fatin e një armiku të mundur. Krahasimi është domethënës, kryesisht sepse shpreh ankthin e atyre që nuk do të jenë të pranishëm në tryezën e Shenzhenit.

Për shumë evropianë, Jalta sjell ndër mend ndarjen cinike të kontinentit, e cila i dënoi vendet e Evropës Lindore me dekada nën sundimin sovjetik. Në Kiev ekziston frika se Putini do të shfrytëzojë qasjen e privilegjuar te Trumpi, për t’i servirur atij një version të shtrembëruar të shkaqeve të luftës në Ukrainë dhe mënyrës se si duhet t’i jepet fund asaj.

Një rrëfim i mbështetur te pretendimi se NATO-ja e provokoi Rusinë, se epërsia ushtarake ruse është e papërballueshme dhe se Evropa duhet të ndalojë së shpenzuari para dhe armatime amerikane për një kauzë, që është i destinuar të dështojë.

Përjashtimi i demokracive evropiane nga takimi në Shenzhen, lidhet pjesërisht me faktin se ai zhvillohet në kuadër të një samiti të vendeve me dalje në Oqeanin Paqësor. Por kjo situatë nxjerr në pah një pasiguri shumë më të thellë strategjike.

Aleatët evropianë të Ukrainës, kanë këmbëngulur se duhet të jenë pjesë e çdo procesi paqeje, por ende nuk kanë arritur ta shndërrojnë këtë kërkesë në një qëndrim të përbashkët, të koordinuar nga një figurë me peshë dhe autoritet diplomatik.

Pas një raundi bisedimesh për paqen në Abu Dhabi javën e kaluar, Jared Kushner, njëri prej të dërguarve të Trumpit, bëri një deklaratë qetësuese, duke thënë se një marrëveshje nuk mund të arrihej “pa evropianët në tryezë”.

Krejt ndryshe u shpreh negociatori kryesor rus, Vladimir Medinski, i cili i akuzoi evropianët se nuk kanë vullnet serioz për të gjetur zgjidhje. Ai e përqeshi delegacionin e tyre në Gjirin Persik, duke i cilësuar anëtarët e tij si “turistë”, të cilët mund të shkonin fare mirë “të bisedonin në barin e hotelit”.

Ky është një provokim tipik i Kremlinit, por që zbulon edhe një të vërtetë të pakëndshme. Ai nxjerr në pah një problem të vjetër, që shpesh ilustrohet me një histori, ndoshta apokrife, sipas së cilës Henri Kisingeri ankohej se nuk kishte një numër telefoni, ku mund të telefononte për të folur me Evropën.

Sot kjo sfidë është edhe më e mprehtë. Themelet institucionale dhe ekonomike të ndikimit evropian po përballen me trysni të forta. Trumpi, mban në rastin më të mirë një qëndrim të lëkundur ndaj NATO-s.

Administrata e tij ndjek politika proteksioniste dhe nacionaliste, ndërsa ideologjia MAGA e paraqet Evropën liberale dhe demokratike si një qytetërim në rënie, që po shkatërron vetveten përmes emigracionit masiv.

Ndërkohë, Kina e sheh Evropën kryesisht si një treg konsumator për eksportet e saj industriale, ndërsa politikanët evropianë priren në shumicën e rasteve të ndjekin qëndrimin e Uashingtonit.

Bashkimi Evropian ka shpallur ambicien për të arritur një “autonomi strategjike”, por ky proces është i ngadaltë dhe i kushtueshëm. Ai kërkon kalimin nga fuqia e butë, e mbështetur te pesha ekonomike e tregut të përbashkët dhe te aftësia për të vendosur standarde globale përmes rregullave të tij, drejt një forme shumë më konkrete dhe të fortë ndikimi.

Zgjedhësit evropianë mund ta përçmojnë Trumpin dhe t’i druhen Putinit, por jo të gjithë janë të gatshëm të pranojnë pasojat që do të sillte ndryshimi i prioriteteve buxhetore në favor të rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.

Një pjesë e madhe e politikës evropiane të viteve të fundit, është ushqyer nga nostalgjia për të kaluarën, me shpresën se mund të rikthehet bota e dikurshme: tregtia e lirë, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe një Shtëpi e Bardhë që nuk do t’i hapte rrugë Kremlinit për të rrëmbyer territore me forcë.

Por po bëhet gjithnjë e më e qartë, se e ardhmja e Evropës nuk mund të jetë një kopje e së shkuarës së saj të afërt. Britania e Madhe është pjesë e kësaj historie dhe Andi Burnham i ka kuptuar pasojat. Në një fjalim të mbajtur të hënën, kryeministri e zgjeroi kritikën ndaj Brexit-it, duke kaluar nga pasojat ekonomike te ato gjeopolitike.

Sipas tij, Brexit-i ishte “dominoja e parë që ra”, duke hapur rrugën për një proces fragmentimi global. Ai krijoi një përçarje në aleancat evropiane, pikërisht atë që dëshironin kundërshtarët tanë. Vlerësimi i Burnham për kostot ekonomike të Brexit-it, veçanërisht për humbjet në tregti, ishte në thelb i njohur.

Por këtë herë ai e çoi argumentin më tej, duke vënë në dukje se largimi nga tryeza ku merren vendimet kryesore në Evropë, i ka kushtuar Britanisë fuqi dhe ndikim në skenën ndërkombëtare. Ky është një realitet që mbështetësit e Brexit-it, të cilët vazhdojnë të mbrojnë shkëputjen nga Bashkimi Evropian, duket se nuk arrijnë ta përllogarisin./Pamfleti nga “The Guardian”trump putin xi evropa jashtë loje Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Irani mohon akuzat për sulm me bombë ndaj Uashingtonit, akuzon SHBA-në për dezinformim 18 Nëntor 2026, 09:0509:05Rajoni dhe Bota Samiti në Kinë alarmon Evropën, frika nga marrëveshjet që mund të vulosin fatin e Ukrainës 18 Nëntor 2026, 09:0009:00Rajoni dhe Bota Serbia pas Vuçiç, nis beteja për çmontimin e sistemit të vjetër të pushtetit 18 Nëntor 2026, 08:2308:23Rajoni dhe Bota Xi dhe Putin, takim 'kokë më kokë' përpara samitit trepalësh me Trump: Ne i sjellim botës kaotike stabilitet 18 Nëntor 2026, 08:0508:05Rajoni dhe Bota Operacioni sekret me 7 faza ndaj prestigjit të Moskës; si e goditën ukrainasit urën simbolike të Putinit në Krime (Video) 18 Nëntor 2026, 07:5707:57Rajoni dhe Bota “Tërmeti” në Deutsche Bank, 15 milionë dokumente sekrete zbulojnë skandalet me Epstein, Trump dhe oligarkët e Putinit 18 Nëntor 2026, 07:2707:27Rajoni dhe Bota