Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se do të kërkojë kompensim financiar nga Irani për personat që, sipas tij, janë vrarë ose plagosur rëndë nga Teherani, gjatë konfliktit të armatosur që vijon prej 28 shkurtit të këtij viti. Deklarata e presidentit Trump vjen pasi Irani ka kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga sulmet amerikane dhe izraelite. Në një postim në Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë shkroi se tashmë edhe ai po kërkon dëmshpërblim nga Irani.
Trump përmendi viktimat e sulmeve dhe konflikteve të lidhura me Iranin, si dhe familjet e personave që, sipas tij, janë vrarë gjatë protestave antiqeveritare në vend.
Në deklaratën e tij, presidenti amerikan iu referua edhe sulmit ndaj anijes luftarake amerikane në Jemen, në tetor 2000. Sulmi vetëvrasës, i atribuuar Al-Kaedës, shkaktoi vdekjen e 17 marinarëve amerikanë dhe plagosjen e më shumë se 30 të tjerëve.
Ndërkohë, Irani ka vendosur si kushte për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit kompensimin për dëmet e shkaktuara, heqjen e sanksioneve dhe përfundimin e kërcënimeve ushtarake amerikane.
Përplasja mbi kompensimet vjen në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut raportojnë se autoritetet iraniane vijojnë goditjen ndaj kundërshtarëve të qeverisë. Top Channel

