Ernest Moniz Ish-sekretari amerikan i Energjisë dhe një nga arkitektët e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Teheranin flet për luftën me Iranin, rrezikun e një gare bërthamore në Lindjen e Mesme, politikat shkencore dhe energjetike të Donald Trump dhe vështirësinë e SHBA-së për të rikthyer besimin e aleatëve Ernest Moniz, fizikanti bërthamor që shërbeu si sekretar amerikan i Energjisë gjatë administratës së Barack Obamës dhe ishte një nga arkitektët kryesorë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, beson se lufta e sotme mund të ishte shmangur nëse marrëveshja do të kishte mbetur në fuqi.
Në një intervistë me Financial Times, zhvilluar gjatë një dreke në The Bombay Club, pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, Moniz flet për konfliktin me Iranin, rrezikun e përhapjes së armëve bërthamore në Lindjen e Mesme, rivalitetin teknologjik me Kinën, ndryshimet klimatike dhe politikat e administratës së Donald Trump ndaj shkencës dhe energjisë.
Gazetari mbërrin herët në The Bombay Club, një restorant i njohur në Uashington, vetëm pak hapa larg Shtëpisë së Bardhë. Një punonjës i tregon fotografitë e ish-presidentëve George H.W. Bush dhe Bill Clinton, të cilët kanë ngrënë aty, përpara se ta drejtojë drejt një zone private pas një muri xhami.
Takimi është me Ernest Moniz, fizikant bërthamor dhe ish-sekretar amerikan i Energjisë gjatë presidencës së Barack Obamës. Moniz luajti rol kyç në hartimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore — Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Kinës, së bashku me Bashkimin Evropian.
Marrëveshja prej 159 faqesh, e hartuar pas negociatash të gjata, synonte të pengonte Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore. Ajo hyri në zbatim në janar 2016, pas pothuajse dy vitesh negociatash.
Megjithatë, marrëveshja nuk zgjati. Inspektorët ndërkombëtarë vlerësuan se Irani, në përgjithësi, po i respektonte kushtet e saj deri në tërheqjen e SHBA-së.
Në maj 2018, gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja. Ai e cilësoi atë si një marrëveshje “të tmerrshme dhe të njëanshme”, duke argumentuar se lehtësimi i sanksioneve kishte pasuruar Teheranin dhe se marrëveshja nuk do ta pengonte Iranin të zhvillonte një armë bërthamore.
Sipas Financial Times, ky vendim i vendosi dy vendet në një trajektore që përfi te lufta aktuale, e cila shpërtheu më 28 shkurt. Konflikti ka shkaktuar pasoja ekonomike globale, ka vrarë mijëra iranianë dhe ka shtuar shqetësimet për një garë rajonale të armatimit bërthamor.
Moniz, i cili sot luan rol drejtues në dy organizata me seli në Uashington që merren me energjinë dhe kërcënimet bërthamore, pritet të paraqesë më vonë këtë muaj, në një program të Institutit Aspen në Seward të Alaskës, hollësitë e një propozimi për një epokë të re bashkëpunimi bërthamor civil në Lindjen e Mesme.
Propozimi mund të ofrojë një bazë për një marrëveshje më të gjerë që synon t'i japë fund luftës me Iranin, në një kohë kur administrata Trump po përballet me vështirësi në negociatat me Teheranin. Çështja ka marrë rëndësi të mëtejshme pas nënshkrimit, muajin e kaluar, të një marrëveshjeje bërthamore civile ndërmjet SHBA-së dhe Arabisë Saudite. Disa ekspertë, përfshirë Moniz, paralajmërojnë se marrëveshjes i mungojnë garancitë e nevojshme.
“Kush vendos? A vendos ndonjë i pasur si Elon Musk se do të hedhë disa aerosole lart në atmosferë dhe të tjerët le të shkojnë në djall?”, pyet Moniz, duke ngritur më vonë çështjen e kontrollit ndërkombëtar mbi teknologjitë e gjeoinxhinierisë.
Kur Moniz hyn në restorant, ai përshëndet dhe bisedon me punonjësit, të cilët i njeh nga vizitat e mëparshme. Shkencëtari 81-vjeçar dallohet menjëherë nga flokët e gjatë gri në të argjendtë, për të cilët prezantuesi Jon Stewart kishte bërë dikur shaka se e bënin të dukej si një nga “etërit themelues të vërtetë” të Amerikës.
“Atje, pranë atyre bimëve, ajo ishte gjithmonë tavolina ime”, thotë Moniz, duke treguar një cep të restorantit ku priste rregullisht zyrtarë rusë gjatë diskutimeve për sigurimin e arsenalit bërthamor rus pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Këto bisedime u zhvilluan kur Moniz shërbente si nënsekretar i Energjisë gjatë administratës Clinton. Por pasi Obama e emëroi sekretar të Energjisë në vitin 2013, negociatat me Iranin morën pjesën më të madhe të vëmendjes së tij.
Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, i njohur si JCPOA, vendosi kufizime mbi programin bërthamor iranian dhe krijoi një sistem të rreptë monitorimi për të verifikuar respektimin e marrëveshjes.
Kur pyetet nëse lufta e këtij viti do të kishte ndodhur nëse JCPOA do të kishte mbetur në fuqi, Moniz përgjigjet pa hezitim.
“Oh, sigurisht që jo. Kufizimi ishte që Irani të mos kishte më shumë se 300 kilogramë uranium të pasuruar dhe pasurimi të mos kalonte 3,67 për qind. Në vend të kësaj, sigurisht, ata tani kanë 10 tonë uranium të pasuruar, duke përfshirë pothuajse gjysmë toni uranium të pasuruar në 60 për qind... kështu që, deri në kohën e bombardimit të centraleve bërthamore të Iranit në qershor 2025, ata kishin tashmë materialin për disa bomba”, thotë ai.
Moniz paralajmëron se konflikti me Iranin paraqet rreziqe jashtëzakonisht të larta për sigurinë rajonale, regjimin ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore dhe jetën e ushtarakëve amerikanë.
Për ta ilustruar këtë, ai hap telefonin dhe gjen një kopje të një letre të shkruar me dorë nga nëna e një piloti të Marinës amerikane. Letra iu dërgua Obamës, sekretarit të atëhershëm të Shtetit John Kerry dhe Monizit pak pas nënshkrimit të marrëveshjes me Iranin.
Nëna i falënderonte tre zyrtarët që e kishin bërë të ndihej “shumë më e sigurt” për djalin e saj, i cili shërbente në rajon, duke i dhënë “diplomacisë një shans”.
Lufta aktuale, tashmë në muajin e saj të gjashtë, ka marrë deri tani jetën e 18 ushtarakëve amerikanë dhe ka plagosur më shumë se 600 persona.
Para se biseda të kalojë më thellë te konflikti, kamerieri shpjegon menunë. Moniz propozon që si antipastë të ndajnë lakër jeshile krokante. Për pjatën kryesore zgjedh një thali me perime, një vakt i plotë i servirur në një pjatë të vetme, ndërsa gazetari porosit thali me fruta deti. Të dy marrin nga një birrë Kingfisher.
Moniz thotë se, po të ishte pas orës 17:00, do të porosiste një martini me xhin Bombay.
“Pas orës 17:00, ky është parimi im dhe nuk e shkel kurrë”, thotë ai.
Në faturë përfshihen lakra jeshile krokante për 14 dollarë, Samundari thali për 30 dollarë, Bombay thali për 26 dollarë, orizi për 14 dollarë, pista kulfi për 12 dollarë, dy birra Kingfisher për 18 dollarë dhe dy espresso për 9 dollarë. Me taksat dhe bakshishin, fatura arrin në 165,30 dollarë.
Moniz u rrit në Fall River të Massachusettsit, një qytet ku pothuajse gjysma e popullsisë deklaron prejardhje portugeze, kryesisht nga Ishujt Azore. Prej andej vinin edhe gjyshërit e tij përpara se të emigronin në Shtetet e Bashkuara.
Në shkollë, ai zhvilloi pasionin për fizikën, i nxitur nga një mësues entuziast. Babai i tij, i cili punonte në fabrikën lokale të gomave Firestone, e inkurajoi të vazhdonte universitetin dhe të bëhej inxhinier.
“Unë jam produkt i Sputnik-ut”, thotë Moniz, duke iu referuar lëshimit nga Bashkimi Sovjetik të satelitit të parë artificial në botë në vitin 1957.
Ngjarja tronditi politikëbërësit amerikanë dhe nxiti financime të mëdha për garën hapësinore, duke krijuar mundësi të reja për studentët amerikanë. Moniz mori një bursë nga sindikata ku bënte pjesë i ati dhe studioi fizikë në Boston College.
Pasi përfi doktoraturën në fizikë teorike në Universitetin Stanford të Kalifornisë, ai mori një pozicion në Massachusetts Institute of Technology, MIT, ku në vitin 1991 u bë drejtues i departamentit të fizikës. Katër vjet më vonë, iu bashkua administratës Clinton si këshilltar presidencial për politikat shkencore.
Sot, udhëheqja shkencore e Shteteve të Bashkuara po përballet me konkurrencën gjithnjë e më të fortë të Kinës. Kritikët e administratës Trump argumentojnë se shkurtimi i financimeve, kufizimi i kërkimeve për ndryshimet klimatike dhe përplasjet me universitetet dhe akademikët mund ta përshpejtojnë dobësimin e pozitës amerikane.
Moniz përmend botimin muajin e kaluar të librit Science: The New Golden Age, një raport që bën thirrje për reformim themelor të mënyrës së financimit të botës akademike dhe që është hartuar nga këshilltari shkencor i Shtëpisë së Bardhë, Michael Kratsios.
Emërimi i Kratsios për të drejtuar Zyrën e Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar debate për shkak të formimit të tij të kufizuar akademik në shkencat natyrore: ai ka një diplomë Bachelor of Arts në shkenca politike dhe një certifikatë në studime helenistike.
“Kjo është shumë, shumë e rrezikshme dhe nuk e di se si do të dalim nga kjo... minimi i universitetit kërkimor si institucion është shumë, shumë gërryes”, thotë Moniz.
Ai argumenton gjithashtu se përhapja e rrjeteve sociale ka ushqyer qëndrimet kundër ekspertëve, sepse njerëzit mund të zgjedhin të dëgjojnë atë që duan në vend që t'u drejtohen burimeve që janë në gjendje të sintetizojnë dhe vlerësojnë informacionin.
“Walter Cronkite, ku je kur kemi nevojë për ty?”, pyet ai, duke iu referuar gazetarit të njohur amerikan.
Ndërkohë, kamerieri sjell lakrën krokante, të shoqëruar me hurma dhe tamarind, qepë dhe kos. Biseda kalon te një tjetër çështje me të cilën Moniz u mor gjatë kohës në kabinetin e Obamës: Marrëveshja e Parisit për klimën, e cila synon kufizimin e rritjes së temperaturës mesatare globale.
“Mendoj se moti ekstrem do të jetë përfundimisht pika e kthesës që do t'i bëjë Shtetet e Bashkuara të kenë një politikë koherente”, thotë Moniz, duke përmendur zjarret shkatërruese që kanë goditur Evropën, Kanadanë dhe SHBA-në këtë verë.
“Mendoj se do t'i tejkalojmë në mënyrë dramatike ato objektiva të Parisit”, shton ai.
Moniz parashikon se mund të bëhet i nevojshëm përdorimi i zgjidhjeve të gjeoinxhinierisë, si hedhja e aerosoleve në atmosferë për të reflektuar një pjesë të rrezatimit diellor dhe për të ulur temperaturat. Sipas tij, qeveritë duhet të financojnë kërkimet dhe të krijojnë rregulla për teknologji të tilla, pasi ndërhyrjet mund të kenë pasoja të rrezikshme mbi modelet e motit dhe prodhimin e ushqimit.
“Kush vendos? A vendos ndonjë i pasur si Elon Musk se do të hedhë disa aerosole lart dhe të tjerët le të shkojnë në djall? Apo vendos SHBA-ja dhe më pas Evropa thotë se mendon se kjo është një ide e keqe? Ne mendojmë se këto vendime kërkojnë programe ndërkombëtare të koordinuara”, thotë Moniz.
Megjithatë, qëndrimet e tij për klimën janë kritikuar nga disa aktivistë mjedisorë, të cilët e kanë etiketuar “frackademic” për pranimin e financimeve nga industria e naftës dhe për bashkautorësinë e studimeve si raporti i MIT-it i vitit 2011, ku argumentohej se gazi natyror mund të shërbente si lëndë djegëse tranzitore.
“Askush nuk do ta mohojë faktin se pjesa më e madhe e progresit që SHBA-ja ka bërë në aspektin klimatik ka ardhur nga kalimi nga qymyri te gazi”, thotë Moniz, kur pyetet për mbështetjen e tij ndaj kësaj lënde djegëse fosile.
Ai kritikon ashpër politikat e administratës Trump ndaj energjisë së rinovueshme, përfshirë pagesat prej miliarda dollarësh për kompani që të ndalojnë projektet e parqeve eolike në det.
Moniz paralajmëron se dështimi për të miratuar një strategji energjetike që kombinon burimet e rinovueshme, gazin dhe energjinë bërthamore rrezikon t'ia lërë Kinës avantazhin në të ardhmen e energjisë dhe inteligjencës artificiale.
“Administrata po bën një gabim të tmerrshëm... Nuk më vjen ndër mend asnjë tregues sipas të cilit mund të thuash se SHBA-ja është përpara Kinës në garën e elektroneve”, thotë ai.
Kur gazetari vëren se ish-presidenti Joe Biden kishte ndaluar miratimet për terminalet e gazit natyror të lëngshëm dhe se kompanitë druhen se një fitore e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 mund të rikthente presionin ndaj industrisë, Moniz argumenton se energjia duhet të shkëputet nga përplasjet e forta partiake.
“Demokratët duhet ta zgjerojnë hapësirën — ‘të gjitha sa më sipër’ — në vend që të thonë jo naftë, jo gaz. Realiteti është se ne jemi prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në botë. Dhe, për më tepër, siç ka treguar mbyllja e Ngushticës së Hormuzit... bota ka nevojë për atë që ne mund të ofrojmë”, thotë ai.
Pjatat kryesore mbërrijnë në pjata argjendi, secila me një përzgjedhje salcash dhe gatimesh, të shoqëruara me bukë naan.
“Shije të shkëlqyera”, thotë Moniz ndërsa provon perimet, djathin dhe thjerrëzat. Pjata e gazetarit është e ngjashme, por përmban edhe një porcion të vogël peshku të pjekur në skarë.
Ndërsa pi një gllënjkë nga birra Kingfisher, gazetari e pyet Monizin për mundësitë që Trump të arrijë me Iranin një marrëveshje më të mirë se ajo që Obama siguroi në vitin 2015.
Moniz thotë se nuk e ka takuar kurrë personalisht Trumpin, ndonëse të dy ishin të ftuar në të njëjtin episod të emisionit televiziv të Stephen Colbert në vitin 2015, kur Trump ishte kandidat për president.
Gjatë programit, Trump nënshkroi një kopje të librit të tij Trump: The Art of the Deal me mesazhin: “I dashur Ernest, më shumë fat herën tjetër”, duke iu referuar marrëveshjes me Iranin që Moniz po promovonte në atë kohë para publikut dhe politikanëve.
Moniz buzëqesh kur kujton episodin. Më pas thotë se vendimi i Trump për të hyrë në një luftë të plotë me Iranin ishte “një gabim i madh” dhe se e ka vendosur SHBA-në në një rrugë pa krye, nga e cila do të jetë e vështirë të dalë.
“Do të shohim se si do të përfjë e gjithë kjo, por mendoj se do të doja t'i dërgoja një fotografi të atij libri të nënshkruar, sepse këtë herë do të ishte radha e tij”, thotë Moniz.
Ai bën gjithashtu shaka se Trump ndoshta e meriton Çmimin Nobel për Paqen, të cilin e dëshiron aq shumë, sepse ka pretenduar tashmë tetë herë se i ka dhënë fund luftës me Iranin.
“Irani ka avantazhin e terrenit të vet. Dhe avantazhet e terrenit vendas nuk kanë funksionuar aq mirë për ne në Vietnam dhe Afganistan”, thotë Moniz.
Rritja e çmimeve të benzinës ka ndikuar në rënien e mbështetjes për Trumpin në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor, duke shtuar presionin ndaj presidentit për të negociuar një marrëveshje. Megjithatë, Moniz mendon se gjasat nuk janë në favor të tij.
“Besimi do të jetë një çështje e madhe dhe kjo është një nga arsyet pse mendoj se do të jetë shumë, shumë e vështirë të rikthehemi te shumë prej dispozitave të marrëveshjes së vitit 2015, si verifikimi”, thotë ai.
Moniz ndihmoi në arritjen e marrëveshjes së vitit 2015 duke krijuar një marrëdhënie të afërt pune me Ali Akbar Salehi, drejtuesin e atëhershëm të Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit dhe ish-student në MIT.
Në korrik 2025, në 10-vjetorin e nënshkrimit të JCPOA-së, Moniz i shkroi Salehit. Por komunikimi mes tyre u ndërpre pasi Moniz i tha se Irani kishte bërë një “gabim të madh” duke prodhuar uranium të pasuruar në sasi dhe nivele që e afronin vendin me kapacitetin për të prodhuar material për disa armë bërthamore, nëse do të merrte një vendim të tillë.
Sipas Monizit, kjo kaloi një vijë të kuqe dhe çoi në bombardimin e objekteve bërthamore iraniane nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në vitin 2025.
“Kaloni vijën dhe ndodh diçka e keqe”, thotë Moniz, duke shtuar se ai “sulm kirurgjikal” kishte lënë ende të hapur mundësinë e negociatave me iranianët.
Por, sipas tij, lufta në shkallë të plotë e nisur nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në shkurt e ka bërë shumë më të vështirë rikthimin te negociatat.
Moniz argumenton se tani ka pak gjasa që të funksionojë një marrëveshje e kufizuar vetëm te Irani. Në vend të saj, ai propozon krijimin e një cikli rajonal të karburantit bërthamor, ku do të përfshiheshin Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas propozimit, këto shtete do të merrnin pjesë së bashku në një zinxhir furnizimi me karburant bërthamor dhe asnjëri nuk do ta kontrollonte individualisht të gjithë ciklin, duke kufizuar kështu rrezikun e përhapjes së teknologjisë së përdorshme për armë.
“Ideja është që këtë cikël karburanti ta shpërndash, me shumë gjasa përmes një entiteti korporativ. Analogu që kam përdorur në punimin tim është Urenco”, shpjegon Moniz.
Urenco, me seli në Londër, zotërohet një të tretën nga qeveria britanike, një të tretën nga qeveria holandeze dhe pjesa tjetër ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet dy kompanive të mëdha gjermane të energjisë, Eon dhe RWE.
Moniz thotë se modeli mund të adresojë edhe shqetësimet rreth marrëveshjes së fundit bërthamore ndërmjet SHBA-së dhe Arabisë Saudite. Kritikët thonë se marrëveshja nuk duket se përmban mekanizmat e rreptë të verifikimit të pavarur që ishin pjesë e marrëveshjes së vitit 2015 me Iranin.
Një element veçanërisht i rëndësishëm i JCPOA-së ishte “protokolli shtesë”, i cili u jepte inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike mundësi për të hyrë, me njoftim të shkurtër, në objekte të deklaruara ose të padeklaruara për të kontrolluar respektimin e angazhimeve nga Teherani.
“Sinqerisht, një marrëveshje pa pasurim, por pa verifikim, është disi e pakuptimtë”, thotë Moniz.
Ai është gjithashtu bashkëkryetar i Nuclear Threat Initiative, një organizatë që synon të zvogëlojë rreziqet ndaj njerëzimit nga teknologjitë bërthamore, biologjike dhe kërcënime të tjera.
Moniz paralajmëron se rreziku i një lufte bërthamore ose i një incidenti bërthamor është sot më i lartë se në çdo periudhë që nga kriza e raketave në Kubë në vitet 1960. Ai përmend si vatra kryesore rreziku Rusinë dhe Ukrainën, Lindjen e Mesme, Indinë dhe Pakistanin, si dhe Korenë e Veriut.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet thelbësor për trajtimin e mospërhapjes bërthamore dhe ndryshimeve klimatike. Megjithatë, ndryshimet e mëdha të politikave nën administratën Trump dhe polarizimi gjithnjë e më i fortë partiak po e bëjnë më të vështirë arritjen e zgjidhjeve afatgjata.
“Tani jemi në një rrëmujë të madhe dhe kjo rrëmujë dhe pasiguria që krijon po na dëmtojnë në shumë mënyra”, thotë Moniz.
Në fund të drekës, ndërsa gazetari paguan faturën, ai e pyet Monizin nëse një fitore e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 do t'i mundësonte SHBA-së të rifitonte besimin e aleatëve evropianë dhe aziatikë dhe të ndërtonte sërish konsensus për përballimin e sfidave globale.
Moniz nuk mendon se një ndryshim i vetëm në Shtëpinë e Bardhë do të mjaftonte.
“Nuk mendoj se do të jetë e mundur, pavarësisht se kush fiton në vitin 2028, sepse ende nuk e dimë nëse do të vazhdojë kjo lëkundje nga njëra anë në tjetrën. Duhen dy ose tre presidentë radhazi që të kenë pikëpamje të qëndrueshme”, thotë ai.
Sipas Monizit, cikli i ndryshimeve të forta politike nisi me fitoren e Trumpit në vitin 2016 dhe pasojat e tij mund të zgjasin për shumë vite.
“Kjo lëkundje filloi me fitoren e Trumpit në vitin 2016 dhe, sipas mendimit tim, nuk do të përfjë të paktën deri në vitin 2040”, përfn Moniz./ Përshtati "Pamfleti", nga "Financial Times"irani shba marreveshja berthamore Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Zelensky kris marrëdhëniet Rusi-Serbi, Lavrov: E papranueshme që “vëllezërit” tanë të financojnë Ukrainën 14 Gusht 2026, 17:2117:21Rajoni dhe Bota "Cenohet privatësia", Gjykata Kushtetuese në Francë rrëzon projektligjin që ndalon rrjete sociale për të miturit 14 Gusht 2026, 17:0717:07Rajoni dhe Bota Venezuela kërkon arin e saj nga Banka e Anglisë, SHBA-ja i vjen në ndihmë 14 Gusht 2026, 16:4016:40Rajoni dhe Bota Horror në Romë, djali vret nënën dhe trupin ia fsheh në dollap; shkak, paratë për drogë 14 Gusht 2026, 15:5115:51Rajoni dhe Bota Krizat nuk presin derisa politikanët të mbarojnë pushimet 14 Gusht 2026, 15:1915:19Rajoni dhe Bota Shufra dhe monedha ari, gjendet thesari i fshehur me vlerë 9 milionë euro gjatë punimeve në një ndërtesë në Belgjikë 14 Gusht 2026, 13:4413:44Rajoni dhe Bota

