Lajme Zone
Trump apelon vendimin për shpifje ndaj E. Jean Carroll, kërkon anulimin e dëmshpërblimit prej 83.3 milionë dollarësh
BotëTop Channel

Trump apelon vendimin për shpifje ndaj E. Jean Carroll, kërkon anulimin e dëmshpërblimit prej 83.3 milionë dollarësh

Presidenti amerikan Donald Trump i është drejtuar Gjykatës Supreme të SHBA-së, duke kërkuar rrëzimin e vendimit që e detyron të paguajë 83.3 milionë dollarë dëmshpërblim ndaj shkrimtares E. Jean Carroll për shpifje.

Presidenti amerikan Donald Trump i është drejtuar Gjykatës Supreme të SHBA-së, duke kërkuar rrëzimin e vendimit që e detyron të paguajë 83.3 milionë dollarë dëmshpërblim ndaj shkrimtares E. Jean Carroll për shpifje. Në apelin e paraqitur, Trump argumenton se deklaratat e bëra në vitin 2019, kur ishte president, mbrohen nga imuniteti presidencial dhe për këtë arsye ai nuk mund të mbahet përgjegjës në një proces civil. Avokatët e tij mbështeten edhe te vendimi i Gjykatës Supreme i vitit 2024, i cili i njeh presidentit imunitet të gjerë për veprimet zyrtare gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas mbrojtjes, çështja krijon një precedent të rrezikshëm, pasi për herë të parë një president është ngarkuar me një dëmshpërblim kaq të lartë për veprime që, sipas tyre, lidhen me ushtrimin e detyrës.

Trump kërkon gjithashtu që Gjykata Supreme të shqyrtojë nëse i paditur në këtë çështje duhet të jetë qeveria federale dhe jo ai personalisht.

E. Jean Carroll paditi Trump për deklaratat që ai bëri në vitin 2019, kur mohoi akuzat e saj për abuzim seksual dhe e akuzoi se kishte shpikur historinë për të promovuar librin e saj. Një juri vendosi në favor të Carroll dhe e dënoi Trump të paguajë 83.3 milionë dollarë dëmshpërblim, vendim që më pas u la në fuqi edhe nga gjykata e apelit.

Gjykata Supreme pritet ta shqyrtojë kërkesën në vjeshtë. Nëse pranon ta marrë në shqyrtim çështjen, vendimi përfundimtar ka të ngjarë të jepet gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, Trump vazhdon betejën ligjore edhe për një çështje tjetër të veçantë, në të cilën është dënuar të paguajë 5 milionë dollarë dëmshpërblim ndaj Carroll për abuzim seksual dhe shpifje. Top Channel