Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar ashpër nga paraburgimi pas deklaratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila e cilësoi si dokument të klasifikuar “sekret shtetëror” urdhrin për transferimin e tij nga Durrësi në burgun e Fierit.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim në kuadër të një procesi penal të nisur nga SPAK, ka vënë në dyshim transparencën dhe ligjshmërinë e vendimmarrjes, duke përfshirë tashmë në debat edhe kryeministrin Edi Rama.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka kërkuar që Drejtoria e Burgjeve të bëjë publik autorizimin e kryeministrit, mbi bazën e të cilit institucioni pretendon se ka kompetencën për klasifikimin e dokumenteve si sekret shtetëror.
“U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!”, shkruan Veliaj, duke akuzuar autoritetet se po përdorin klasifikimin e dokumentit për t'i mohuar mundësinë e njohjes dhe kundërshtimit të vendimit.
Sipas tij, mosvënia në dispozicion e urdhrit të transferimit cenon të drejtën për t'u informuar mbi arsyet e kësaj mase dhe për ta ankimuar atë në mënyrë efektive.
Në reagimin e tij, Veliaj e cilëson situatën si një kalim nga vendimmarrja arbitrare te fshehja e saj pas sekretit shtetëror.
“Ateherë kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i vendimmarrjes te fshehja e saj pas sekretit shtetëror!”, shprehet ai.
Më tej, kryebashkiaku i drejtohet institucionit me një kërkesë të drejtpërdrejtë:
“Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues.”
Reagimi vjen pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se transferimi i Veliajt në Fier, më 28 tetor, është kryer në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së institucioneve penitenciare.
Sipas institucionit, urdhri është miratuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa njohja dhe administrimi i tij i nënshtrohen legjislacionit për informacionin e klasifikuar. Drejtoria theksoi gjithashtu se vendimmarrja për transferimet është kompetencë e drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve dhe se për rastin është njoftuar edhe Prokuroria.
Megjithatë, deklarata nuk ka bindur Veliajn, i cili vijon të kundërshtojë mënyrën e transferimit dhe kërkon dokumentacionin që, sipas tij, duhet të justifikojë ligjërisht këtë vendim.
Përfshirja e emrit të Edi Ramës në reagimin e fundit e zhvendos përplasjen përtej administratës së burgjeve, duke ngritur pikëpyetje mbi kompetencat e klasifikimit të dokumenteve dhe transparencën e institucioneve.

