Behar Zyberi nga Fieri dhe Shpëtim Malasi nga Patosi janë ndaluar nga Policia, ndërsa Gentjan Zhupa dhe Kliton Omeri janë shpallur në kërkim. Katër personat dyshohen për përfshirje në atentatin me tritol, ku mbeti i vrarë 48-vjeçari Beqir Devolli.
Policia ka finalizuar operacionin e koduar “GJURMA”, në kuadër të hetimeve për shpërthimin e ndodhur më 10 tetor 2026, në bulevardin “18 Shtatori” në Gjirokastër, përballë Prokurorisë.
Sipas policisë, rreth orës 22:00, automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonte Beqir Devolli shpërtheu në lëvizje, humbi kontrollin dhe u përplas me trafik-ndarësen e rrugës. Si pasojë, drejtuesi i mjetit humbi jetën, ndërsa pasagjeri, 26-vjeçari Erigels Mela, mbeti i dëmtuar. Nga këqyrja e automjetit dyshohet se lënda plasëse ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit.
Në kuadër të operacionit janë kapur dhe ndaluar:
Behar Zyberi, alias Behar Heqimaj, 64 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.
Shpëtim Malasi, 42 vjeç, banues në Patos.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë:
Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, me precedent penal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit dhe krimit të organizuar.
Sipas hetimeve, katër personat dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e atentatit, me qëllim vrasjen e Beqir Devollit. Policia dyshon se ngjarja lidhet me konflikte për prishjen e pazareve në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në shtetet evropiane.
-Gjatë hetimeve, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një motomjet pa targa, që dyshohet se është përdorur për vendosjen e lëndës plasëse, dy automjete, tre telefona celularë, 2 500 euro dhe rreth 130 mijë lekë.
Policia bën me dije se për zbardhjen e ngjarjes janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 18 persona, ndërsa janë kryer kontrolle, ekspertime biologjike dhe veprime të tjera hetimore.
Dy të ndaluarit dyshohen për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje, ndërsa Policia nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme, për shkak të sekretit hetimor.
Njoftimi i plotë:
Më datë 10.10.2026 rreth orës 22:00 në bulevardin “18 shtatori”, përballë Prokurorisë Gjirokastër, një automjet tip “Benz”, ka shpërthyer me lëndë plasëse, në lëvizje, ku ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafik-ndarësen e rrugës.
Si pasojë këtij shpërthimit ka humbur jetën drejtuesi i automjetit shtetasi Beqir Devolli, 48 vjeç, banues në Gjirokastër dhe ka mbetur i dëmtuar lehtë pasagjeri shtetasi Erigels Mela, 26 vjeç, banues në Gjirokastër.
Për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e ngjarjes u ngrit një grup i posaçëm hetimor nga strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë.
Grupi i posaçëm hetimor kreu një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale në vendin e ngjarjes.
Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në brendësi të automjetin të shtetasit Beqir Devolli, konkretisht nën sediljen e shoferit ishte vendosur një sasi lëndë plasëse.
Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 18 persona. U kryen intervista, verifikime, kontrolle, ekspertime, u bë eksperiment hetimor dhe të gjitha veprimet e tjera për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore ngjarjen.
Nga hetimet intensive me metoda speciale të hetimit, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave u arrit të dokumentohet me prova ligjore autorësia e kësaj ngjarje të rëndë.
Në bazë të rezultateve të deritanishme të hetimit, në kuadër të Operacionit Policor “GJURMA” u kapen dhe ndaluan si persona të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje shtetasit:
1. Behar Zyberi alais Behar Heqimaj, 64 vjeç, banues në Fier, i dënuar disa herë për disa vepra dhe në kuadër të grupit kriminal.
2. Shpëtim Malasi, 42 vjeç, banues në Patos.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 shtetas, të cilët pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit, konkretisht:
1. Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, me precedent kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike jashtë vendit.
2. Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në krimet kundër personit dhe krimit të organizuar ne drejtim të trafikimit të narkotikëve dhe qënieve njerzore.
Sipas të dhënave të administruara në kuadër të hetimit, këta shtetas dyshohet se kanë pasur role të ndryshme dhe kanë organizuar vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjet me qëllim vrasjen e shtetasit Beqir Devolli, dyshuar për shkak të prishjeve të pazareve në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në shtetet Europiane.
Nga provat e siguruara rezulton se autorët e krimit janë këta 4 shtetas, si dhe persona të tjera të identifikuar nga ana jonë por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të bëhen të ditura më shumë detaje.
Në kuadër të veprimeve hetimore, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
* Një motomjet pa targa, i cili dyshohet se është përdorur në kuadër të veprimtarisë kriminale për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e viktimës;
* Dy automjete dhe tre aparate celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse;
* Një shumë prej 2 500 eurosh;
* Një shumë prej rreth 130 000 lekësh.
Ndalimi i këtyre shtetasve u krye për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 dhe 25 i Kodit Penal.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë është punuar intensivisht nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, duke bashkëpunuar me strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë Vlorë, Fier dhe Komisariatin e Policisë Nr.6 Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ku gjej rastin ti falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe punën profesionale të bërë për këtë rast. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet alias Kliton NanushiBehar Zyberi nga FieriBeqir DevolligjirokasterKliton OmeriShpëtim Malasi

