Një sasi e dyshuar lënde plasëse është konstatuar mëngjesin e sotëm pranë derës së një lokali në Kamëz. Ngjarja është regjistruar rreth orës 06:30, në rrugën “Berisha”. Fatmirësisht, lënda e dyshuar nuk ka shpërthyer, duke shmangur pasoja të mundshme.
Lokali ku u konstatua lënda e dyshuar është në pronësi të një 38-vjeçari me inicialet K. H. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e specializuara xheniere, të cilat kanë ndërhyrë për heqjen e saj.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, si dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin. Deri më tani, nuk ka të dhëna të tjera zyrtare lidhur me autorët e mundshëm apo motivet e vendosjes së lëndës së dyshuar plasëse.

