Lajme Zone
Tregtarët ripushtojnë hapësirat publike/ Trotuaret e rrugës “Don Bosko” nën pushtetin e tezgave
PolitikëCNA

Tregtarët ripushtojnë hapësirat publike/ Trotuaret e rrugës “Don Bosko” nën pushtetin e tezgave

Të zmbrapsur në kufijtë e përcaktuar prej institucionit ko...

Të zmbrapsur në kufijtë e përcaktuar prej institucionit kompentent të Bashkisë së Tiranës, tregtarët që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugën “Don Bosko” e kanë ripushtuar sërish hapësirën në shërbim të publiku.

Do të mjaftonte një vizitë në këtë rrugë për të parë me sy të lirë katrahurën ku është zhytur rruga “Don Bosko”, një nga arteriet kryesore të lëvizjes qytetare.

Nëpërmjet publikimeve CNA e ka evidentuar edhe më parë pushtimin e rrugës “Don Bosko” nga tregtarët, që në zgjerim antiligjor të tezgave kanë zaptuar më shumë e gjysmën e trotuareve.

Pjesën e mbetur e shfrytëzojnë makinat që në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor qëndrojnë të parkuara në hapësirat e trotuareve sa, si e kur t'u teket pronarëve të tyre. Çudia që lë shijen e hidhur në këtë mes qëndron te policia patrulluese e ajo rrugore që qëndron indiferente edhe kur rastis të jetë prezente në këtë katrahurë makinash. Në përmbyllje të këtij ekuacioni pa asnjë të panjohur, rezulton se udhëtarët, në dispozicion të të cilëve janë trotuaret, duhet të vuajnë për të kaluar në këtë segment rrugor të çliruar muaj më parë nga aksionet e Policisë Bashkiake IKMT etj. institucioneve. Kujtojmë se në 4 korrik 2025 Kryeministri Edi Rama e shpalli aksionin kombëtar lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve, duke nxitur hedhjen në veprim të institucioneve zyrtare: Policisë Bashkiake, asaj të rendit dhe IKMT-së.

Këto të fundit lëvizën duke e çliruar pjesën dërrmuese të hapësirës së zaptur publike, por kur iu “ftoh gjaku” çlirues e harruan aksionin. Ndonëse në deklarimin e tij Kryeministri e kishte përkufizuar aksionin çlirues si “proces i vazhdueshëm përgjatë gjithë mandatit 4-vjeçar". Megjithëse shpallja e aksionit u shoqërua me hartimin e një Rregulloreje Kombëtare për përdorimin e hapësirave publike nga bizneset. Qetësia e mosveprimi i strukturave institucionale nxiti ripushtimin e hapësirave publike nga shfrytëzuesit e tyre, që ndonëse të identifikuar, qëndrojnë sypatrembur përballë policëve bashkiakë që prezencën e tyre e kanë kthyer në rutinë. Nuk dihet arsyeja e mosveprimit të kësaj policie, e cila ruajtjen e hapësirave publike e ka në agjendë të punës së saj të përditshme, por fakt është se prezencën e vet përgjatë rrugës “Don Bosko” Policia e Bashkisë Tiranë e ka kthyer në “varavingo” boshe. Duke u bërë qesharake përballë tregtarëve që në shkelje të ligjit vijojnë të pushtojnë pjesë të trotuarit të destinuar për qytetarët. Më poshtë po ju sjellim pamjet më të fundit të rrugës “Don Bosko” ku rizaptimi i trotuareve duket ashiqare të jetë prezent. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.