Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar zvarritjen e punimeve për rrjetin shpërndarës të ujësjellësit në Gjashtë të Sarandës, duke akuzuar Bashkinë Sarandë dhe Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Sarandë për keqmenaxhim të fondeve publike. Sipas Zhupës, për projektin janë shpenzuar rreth 400 mijë euro me TVSH, ndërsa punimet vazhdojnë ende jashtë afatit kontraktor dhe me cilësi të papranueshme. Ajo thekson se banorët e Gjashtës kanë mbetur pa furnizim me ujë prej më shumë se tre muajsh, në kulmin e sezonit turistik, duke e cilësuar situatën një dështim të rëndë të institucioneve përgjegjëse. Zhupa kërkon transparencë për përdorimin e fondeve, përgjegjësi për vonesat dhe llogaridhënie për kushtet në të cilat janë lënë banorët. Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
400 mijë euro nga taksat e qytetarëve për rrjetin e ujësjellësit në Gjashtë, Sarandë dhe banorët nuk kanë uje ndërsa punimet vazhdojnë jashtë afateve me cilësi si në mesjetë! Për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të ujësjellësit në fshatin Gjashtë, Bashkia Sarandë, përmes Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Sarandë SH.A. është dhënë për 33.333.330 lekë pa TVSH (rreth 330 mijë euro, ose afërsisht 400 mijë euro me TVSH) kompanisë COGREN shpk.
Punimet vazhdojnë ende, megjithëse afati i kontratës ishte vetëm 8 muaj. Duhet ishte mbyllur në dhjetor 2025. Në terren gjithçka duket si një kantier i braktisurr: rrugë të hapura, baltë dhe punime primitive, sikur të ishim kthyer dekada pas në mesjetë.
Më e rënda është se banorët e Gjashtës kanë mbetur pa furnizim me ujë prej më shumë se tre muajsh. Në kulmin e sezonit turistik, familjet detyrohen të përballojnë një situatë të papranueshme, ndërsa protestat e tyre vazhdojnë të bien në vesh të shurdhër. Ky është një dëm i madh për jetesën e tyre por edhe për turizmin!
Ku kanë shkuar këto qindra mijëra euro? Kush mban përgjegjësi për zvarritjen e punimeve, për mungesën e mbikëqyrjes dhe për vuajtjet që u janë shkaktuar banorëve?
Bashkia Sarandë nuk mund të fshihet pas justifikimeve. Ka detyrimin të japë llogari për vonesat, për cilësinë e punimeve dhe për faktin që qytetarët janë lënë pa një shërbim jetik për muaj të tërë, ndërkohë që paratë publike janë shpenzuar. Premtimet e fushatës kanë ngel vetëm propaganda e zakonshme pa rezultat konkret për banorët e Sarandës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: INA ZHUPA

