Riviera Shqiptare vijon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare të udhëtimeve, ndërsa Ksamili është renditur në vendin e parë mes pesë destinacioneve bregdetare më të rekomanduara në Evropë nga “Travel Off Path”.
Në një artikull të publikuar nga media amerikane e udhëtimeve, gazetari Trevor Kucheran e vlerëson rivierën shqiptare për ujërat e kristalta, peizazhet spektakolare dhe çmimet më të përballueshme krahasuar me shumë prej destinacioneve të tjera të njohura të Mesdheut.
Sipas artikullit, turistët po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa ndaj destinacioneve tradicionale evropiane, të cilat gjatë sezonit të pikut përballen me turma të mëdha, probleme logjistike dhe çmime të larta. Your browser does not support the video tag. Your browser does not support the video tag. Në këtë kontekst, Ksamil përshkruhet si një alternativë që ofron ujëra me ngjyrë blu të thellë, plazhe me gurë të bardhë dhe një atmosferë më të qetë.
“Ujëra si Maldivet, por me çmime më të ulëta”
Artikulli e krahason pamjen e Ksamilit me ujërat tropikale të Maldiveve, duke theksuar se turistët mund të shijojnë një eksperiencë të ngjashme mesdhetare pa shpenzimet e larta që karakterizojnë disa destinacione të tjera luksoze.
“Travel Off Path” vlerëson veçanërisht raportin cilësi-çmim në Shqipëri. Sipas artikullit, ushqimet e detit pranë plazhit mund të gjenden me çmime dukshëm më të ulëta se në destinacionet e njohura të Greqisë, ndërsa akomodimi buzë detit mbetet relativisht i përballueshëm.
Riviera Shqiptare përshkruhet gjithashtu si një prej zonave ku turistët evropianë po gjejnë një alternativë ndaj plazheve gjithnjë e më të mbipopulluara të Mesdheut.
Paralajmërimi: Ksamili nuk është më sekret
Megjithatë, artikulli nuk e fsheh faktin se popullariteti në rritje ka sjellë edhe probleme.
Gjatë muajve të pikut të verës, Ksamili përballet me turma të mëdha turistësh dhe rritje të çmimeve. Për udhëtarët që mbërrijnë nga Korfuzi me traget, përmenden gjithashtu radhët në pikat kufitare dhe nevoja për të marrë parasysh ndryshimin e orës mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Sipas autorit, shtatori dhe tetori mund të jenë ndër periudhat më të mira për të vizituar zonën, kur temperaturat mbeten të favorshme, ndërsa turmat e sezonit të lartë fillojnë të largohen.
Pesë destinacionet bregdetare më të rekomanduara
Sipas renditjes së “Travel Off Path”, pesë destinacionet janë:
Ksamil, Shqipëri
Ischia – Plazhi i Marontit, Itali
Plazhi i Adragas, Portugali
Gjiri i Ramlas, Gozo, Maltë
Plazhi i Sarakinikos, Milos, Greqi
Renditja e fundit është një tjetër vlerësim ndërkombëtar për potencialin turistik të Shqipërisë, ndërsa Riviera Shqiptare po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një alternativë mesdhetare për turistët që kërkojnë plazhe spektakolare, çmime më të moderuara dhe një eksperiencë larg destinacioneve tradicionale të mbipopulluara. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet

