Rritja e çmimit të naftës në 214 lekë për litër po shton vështirësitë për operatorët e transportit publik. Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i është drejtuar qeverisë me një tjetër kërkesë qeverisë për vijimin e skemës së kompensimit edhe për muajt qershor, korrik dhe gusht, duke argumentuar se kostot e larta të karburantit po rëndojnë ndjeshëm aktivitetin e sektorit.
“Rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit, e cila aktualisht ka arritur nivelet më të larta të vitit, ka rënduar ndjeshëm kostot operative të sektorit. Duke patur parasysh konsumin e lartë të karburantit nga mjetet e transportit pubik, kjo situatë ka krijuar një barrë financiare të papërballueshme për operatorët, duke vënë në rrezik vazhdimësinë normale të aktivitetit dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktore.”
Kërkesa vjen në kulmin e sezonit turistik, kur fluksi i pasagjerëve është rritur, por sipas operatorëve kjo nuk mjafton për të përballuar kostot e shtuara të karburantit.
Më herët, pas rritjes së çmimit të naftës si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, qeveria miratoi një fond prej 250 milionë lekësh për kompensimin me 50 lekë për litër të konsumit të karburantit për periudhën mars-maj.
Megjithatë operatorët thonë se një pjesë e tyre ende nuk kanë marrë pagesat e parashikuara ndërsa kërkojnë që procedurat e rimbursimit të thjeshtohen dhe të përshpejtohen. Në kërkesën drejtuar institucioneve, shoqata thekson se mbështetja është e domosdoshme për të garantuar vijimësinë e shërbimit të transportit publik. Top Channel

