Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, komentoi në emisionin *Prime News24* transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit, duke e cilësuar këtë lëvizje si një veprim që nuk ka të bëjë me ndonjë sekret shtetëror. Duka u ndal edhe te reagimet e Veliajt, i cili ka kundërshtuar transferimin, si dhe te zhvillimet e fundit politike dhe protestat studentore. Sipas kreut të PAA-së, kryebashkiaku i Tiranës, përmes një statusi në rrjetet sociale, u pozicionua dukshëm në krah të protestave të studentëve, pas reagimit të tij ndaj ish-presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke nënkuptuar sipas tij situatën në Shqipëri. “Sipas meje, Veliaj u vu dukshëm krah protestave të studentëve me statusin që bëri, pas reagimit ndaj Vuçiçit, por nëse zëvendësoje emrat me Ramën, ishte njësoj. Në këto momente Rama po ruhet nga të gjithë. Nuk është luftë parimore, janë prekur interesat”, u shpreh Duka. Duke folur për transferimin në burgun e Fierit, ai tha se kushtet e vuajtjes së dënimit në këtë institucion janë më të rrepta se në Durrës, veçanërisht sa i përket kontrolleve dhe mundësive të komunikimit. “Burgu i Durrësit dihet që është më komod se Fieri. Në Fier ka shumë kontroll dhe është shumë e vështirë të përdoren komunikime, etj.”, deklaroi ai. Duka u shpreh gjithashtu skeptik për argumentin e sekretit shtetëror që është përdorur lidhur me transferimin e Veliajt, duke e cilësuar situatën si një veprim të tepruar dhe qesharak.
“Nuk ka sekret shtetëror pas lëvizjes së tij, mendoj unë. Është butafori, qesharake. E degdisën një ditë nga Durrësi në Fier, tani të shohim si do të vijojë”, tha kreu i PAA-së.
Në vijim, Duka komentoi edhe marrëdhëniet brenda Partisë Socialiste, duke pretenduar se reagimet në mbështetje të Veliajt janë një mesazh edhe për kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, përplasjet nuk lidhen vetëm me parime politike, por edhe me interesa dhe ndikime brenda vetë mazhorancës.
“Rama e ka nisur me shkelma që kur ka ardhur në pushtet. Në një farë mënyre, këto do t’i kthehen bumerang, ai nuk është profet siç e mendon veten. Edhe njerëzit brenda PS-së, këtu ka luftë brenda llojit dhe këta kanë ndikimet e veta, njerëzit e vet. Reagimet brenda PS-së në favor të Veliajt janë mesazhe edhe për Ramën, ndaj them se kazani zien edhe te PS-ja”, përfi Duka. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
