Lajme Zone
Tragjedia në Postribë: Trupat u gjetën pranë njëri-tjetrit, nëna 24-vjeçare mbante në krahë foshnjën
Të tjeraJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 10 burime — Krahaso mbulimin →

Tragjedia në Postribë: Trupat u gjetën pranë njëri-tjetrit, nëna 24-vjeçare mbante në krahë foshnjën

Detaje të reja kanë dalë nga tragjedia e rëndë që ndodhi një ditë më parë në fshatin Domen të njësisë administrative Postribë, në Shkodër, ku një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur humbën jetën pasi banesa ku ndodheshin u përfshi nga flakët.

Detaje të reja kanë dalë nga tragjedia e rëndë që ndodhi një ditë më parë në fshatin Domen të njësisë administrative Postribë, në Shkodër, ku një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur humbën jetën pasi banesa ku ndodheshin u përfshi nga flakët.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, trupat e viktimave janë gjetur të karbonizuar pranë njëri-tjetrit. Dyshohet se në çastet e fundit të jetës, e reja ka tentuar të shpëtojë fëmijët e saj, por nuk ka arritur të largohet nga shtëpia. Foshnja 1-vjeçare është gjetur në krahët e nënës, ndërsa fëmija tjetër pranë tyre.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët kanë gjetur mbetjet e një bombole të vogël gazi, e cila është sekuestruar si provë materiale. Brenda banesës është konstatuar vetëm susta metalike e një shtrati, pasi gjithçka tjetër ishte shkatërruar nga zjarri.

Jashtë objektit janë gjetur edhe çantat me të cilat familja Çelaj kishte mbërritur në banesën e vjetër. Të gjitha provat e mbledhura do t'i nënshtrohen ekspertizës në Tiranë për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, bashkëshorti i 24-vjeçares ka deklaruar se familja kishte marrë me vete edhe një shishe me benzinë, e cila do të përdorej për punime pastrimi dhe riparimi në banesë. Ai ka treguar se ishte larguar për pak minuta drejt një marketi për të blerë disa sende, ndërsa gjatë mungesës së tij shpërthyen flakët.

Sipas dyshimeve paraprake, zjarri mund të jetë shkaktuar gjatë tentativës së viktimës për të ndezur bombolën e gazit për gatim. Hetuesit po verifikojnë mundësinë që një rrjedhje gazi të ketë shkaktuar shpërthimin dhe përhapjen e menjëhershme të flakëve. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që dy fëmijët të kenë qenë në gjumë kur nisi zjarri.

Një faktor që ka rënduar pasojat e ngjarjes ishte edhe vendndodhja e banesës. E izoluar dhe larg shtëpive të tjera, zjarri nuk u vu re menjëherë, ndërsa terreni i vështirë dhe mungesa e një njoftimi të hershëm penguan ndërhyrjen e shpejtë të shërbimeve të emergjencës.

Familja Çelaj jetonte prej vitesh në Gjermani dhe ishte kthyer në Shqipëri për pushime. Ata kishin shkuar në banesën e tyre të vjetër në Domen për ta pastruar dhe për të kaluar disa orë aty, por vizita u shndërrua në një tragjedi që ka prekur thellë opinionin publik.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet janë në pritje të rezultateve të ekspertizës, të cilat pritet të hedhin dritë mbi rrethanat dhe shkakun e saktë të zjarrit.