Rafineria e naftës Dy punëtorë me origjinë shqiptare u plagosën rëndë gjatë punimeve të mirëmbajtjes në rafinerinë Motor Oil, pranë Korinthit. Njëri prej tyre, 43 vjeç, ndërroi jetë në spital, ndërsa 50-vjeçari ndodhet në gjendje kritike. Hetimet po përqendrohen te një incident me presionin e gazit gjatë ndërhyrjes në pajisjet industriale... Një punëtor 43-vjeçar, i identifikuar si Robert Cakaj, me origjinë shqiptare ka humbur jetën dhe një tjetër, 50-vjeçari, Dorian Hysa, ndodhet në gjendje kritike pas një aksidenti të rëndë industrial në rafinerinë e kompanisë Motor Oil, në Agioi Theodoroi, pranë Korinthit në Greqi.
Ngjarja ndodhi të premten, më 9 tetor 2026, rreth orës 11:00, gjatë punimeve të planifikuara për mirëmbajtjen e përgjithshme të rafinerisë, një nga komplekset kryesore të përpunimit të naftës në Greqi.
Sipas portalit grek Zougla, dy punëtorët e plagosur rëndë janë me origjinë shqiptare dhe punonin për një kompani të jashtme kontraktore, të cilën Motor Oil e kishte angazhuar për punimet e mirëmbajtjes.
Mediat greke raportojnë se aksidenti ndodhi gjatë ndërhyrjes në shkëmbyesit e nxehtësisë, pajisje që shërbejnë për transferimin e energjisë termike në proceset industriale.
Sipas televizionit publik ERT, gjatë punimeve ndodhi një çlirim i papritur i presionit të gazit, i cili shkëputi me forcë një kapak metalik të pajisjes. Goditja shkaktoi plagosjen e rëndë të dy punëtorëve, ndërsa një tjetër pësoi lëndime më të lehta.
Raportimet e para e përshkruan ngjarjen si shpërthim, por të dhënat e publikuara nga ERT tregojnë se incidenti nuk shkaktoi zjarr. Kjo rrethanë e orienton hetimin drejt kushteve teknike në të cilat punëtorët po kryenin ndërhyrjen dhe kontrollit të presionit në pajisje.
Disa media greke raportojnë se aksidenti ndodhi në njësinë U-607 të rafinerisë, gjatë operacionit të mirëmbajtjes së planifikuar, të njohur në industri si shutdown.
Menjëherë pas aksidentit, të plagosurit morën ndihmën e parë dhe u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Korinthit. Për shkak të dëmtimeve të rënda, mjekët i intubuan dhe organizuan transferimin në spitalin Thriasio, pranë Athinës, i cili ka një njësi të specializuar për trajtimin e djegieve.
Sipas raportimeve greke, punëtorët kishin pësuar dëmtime të rënda, përfshirë trauma në kokë. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 43-vjeçari ndërroi jetë, ndërsa 50-vjeçari vijon të marrë trajtim intensiv. Pas aksidentit, policia greke nisi hetimet dhe shoqëroi përgjegjësin e ekipit të mirëmbajtjes. Sipas raportimeve, prokurori urdhëroi arrestimin e përgjegjësit të kontraktorit, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë rrethanat e aksidentit.
Kompania Motor Oil konfirmoi zyrtarisht se ngjarja ndodhi gjatë punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes, se punëtorët morën ndihmën e parë dhe se kompania aktivizoi protokollet e sigurisë dhe të reagimit ndaj emergjencave.
Megjithatë, deklarata fillestare e kompanisë nuk sqaroi mekanizmin teknik të aksidentit dhe as masat konkrete që ekipi i mirëmbajtjes kishte marrë për të shmangur çlirimin e presionit gjatë punimeve.
Hetimi duhet të përcaktojë nëse pajisja ishte izoluar dhe çliruar plotësisht nga presioni përpara ndërhyrjes, kush kishte autorizuar fillimin e punimeve dhe cilat ishin përgjegjësitë e kompanisë kontraktore dhe të operatorit të rafinerisë.
Aksidenti i 9 tetorit nuk është incidenti i parë i rëndë në këtë kompleks industrial. Më 17 shtator 2024, një zjarr në njësitë e përpunimit të rafinerisë Motor Oil shkaktoi plagosjen e tre punonjësve të një kompanie kontraktore, sipas njoftimit zyrtar që publikoi atëherë kompania.
Dy vjet më vonë, një tjetër incident gjatë punimeve të mirëmbajtjes ka përfunduar me vdekjen e një punëtori dhe plagosjen kritike të një tjetri. /Pamfleti/ greqi rafineria punetori Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kronike Dyshohet se vinte nga Shqipëria, sekuestrohen 36 kg drogë në Janinë; arrestohen tre persona 9 Tetor 2026, 14:4914:49Kronike U gjet e pajetë pranë vajzës 2-vjeçare, dalin rezultatet paraprake për vdekjen e turistes britanike në Durrës 9 Tetor 2026, 14:5014:50Kronike Pjesë e grupit që po planifikonin një atentat, publikohet fotoja e Vinçesk Pirolit 9 Tetor 2026, 13:2013:20Kronike Do të kryenin vrasje, por i tradhtoi motori i vjedhur në Suedi; zbardhen emrat e 3 të arrestuarve 9 Tetor 2026, 12:4412:44Kronike Vidhnin bizhuteri ari dhe para në banesa, arrestohen 3 shqiptarë në Itali, dyshohen për 20 raste vjedhjesh 9 Tetor 2026, 12:4512:45Kronike Po përgatisnin një atentat, RENEA operacion në Shkodër, Lezhë dhe Sarandë; arrestohen 3 persona 9 Tetor 2026, 12:2212:22Kronike

