Një zjarr tragjik ka përfshirë repartin e maternitetit dhe të porsalindurve në spitalin e Institutit të Shkencave Mjekësore të Pakistanit (PIMS), në Islamabad, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 14 foshnjave të porsalindura. Zjarri shpërtheu në katin e tretë të njësisë së shëndetit të nënës dhe fëmijës (MCH), një prej reparteve kryesore të spitalit. Sipas zëdhënëses së PIMS, Dr. Aneeza Jalil, 14 të porsalindur kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër foshnje është shpëtuar. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë me automjete zjarrfikëse, ambulanca dhe personel të specializuar. Sipas autoriteteve, të paktën 19 persona janë shpëtuar nga ndërtesa, mes tyre 10 gra, shtatë fëmijë dhe dy burra. Zjarrfikësit kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll, ndërsa personat e plagosur janë transportuar për trajtim, përfshirë edhe në repartet e kujdesit intensiv. Në momentin e rënies së zjarrit, në repart ndodheshin 15 foshnje të porsalindura. Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura dhe autoritetet kanë nisur hetimet. Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka shprehur “pikëllim të thellë dhe keqardhje të sinqertë” për tragjedinë dhe ka kërkuar një hetim të menjëhershëm për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
“Një situatë e tillë me fëmijët është e pakthyeshme”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit, i cili u ka shprehur ngushëllimet familjeve të foshnjave.
PIMS është një nga spitalet më të mëdha shtetërore të Islamabadit dhe njësia e shëndetit të nënës dhe fëmijës disponon 156 shtretër.
Ngjarja rikthen në vëmendje problemet e sigurisë nga zjarret në Pakistan. Vendi është përballur me disa zjarre të rënda vitet e fundit, ndërsa zbatimi i dobët i standardeve të sigurisë në ndërtesa është përmendur shpesh si një nga faktorët që ka rënduar pasojat e këtyre tragjedive. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

