Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e kaluar në Malishevë të Kosovës, ku një grua ka humbur jetën pas plagosjes me armë zjarri, ndërsa një burrë ndodhet në gjendje kritike për jetën. Sipas raportimeve të mediave nga Kosova, gruaja e plagosur ishte shtatzënë në javën e 34-t. Ajo u transportua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në repartin e Emergjencës.
Ndërkohë, burri i plagosur ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe të paqëndrueshme shëndetësore. Raportohet se ai është i intubuar dhe po mbahet në respirator, ndërsa mjekët vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin e tij.
Rasti është konfirmuar edhe nga Emergjenca e QKUK-së. Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të plota mbi rrethanat e ngjarjes, identitetin e personit apo personave të dyshuar dhe motivin e të shtënave.
Policia pritet të japë më shumë informacion në vijim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike janë në zhvillim. Top Channel

