Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku ka humbur jetën 20-vjeçari Thomas Qirjaj, me origjinë shqiptare, pas një aksidenti të rëndë në autostradën A1. Aksidenti ndodhi në orët e para të së premtes, më 30 tetor, pranë zonës së Melegnano-s, në drejtim të San Giuliano Milanese.
Sipas mediave italiane, i riu po udhëtonte së bashku me katër miq në një automjet tip Volvo, me targa zvicerane. Pasi kaluan barrierën e autostradës, makina humbi kontrollin dhe u përplas me ndarësen që ndan korsitë e lëvizjes.
Pas përplasjes, Thomas doli nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës dhe për të sinjalizuar rrezikun për drejtuesit e tjerë të mjeteve.
Por në ato momente, ai u godit nga një fuoristradë tip SUV, e drejtuar nga një 25-vjeçar nga Modena, i cili, sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, nuk arriti ta dallonte të riun në rrugë deri në momentin e fundit.
Përplasja ishte tepër e rëndë. 20-vjeçari u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, në Vizzolo, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Katër miqtë që udhëtonin me të nuk pësuan dëmtime të rënda.
Thomas Qirjaj kishte lindur në Piacenza dhe jetonte me prindërit e tij në Caorso, në provincën e Piacenzës. Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare dhe ishte fëmijë i vetëm. Në muajin dhjetor do të mbushte 21 vjeç.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur komunitetin ku jetonte. Kryetarja e bashkisë së Caorso-s, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjen, duke e kujtuar Thomasin si një të ri që e kishte parë të rritej dhe që ishte integruar mirë në komunitet.
I riu kishte qenë gjithashtu i angazhuar në futbollin amator, ndërsa klubi ku kishte luajtur vendosi të anulonte ndeshjen e planifikuar në shenjë zie.
Policia Rrugore italiane dhe Prokuroria e Lodit kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit. Autoritetet po shqyrtojnë shkaqet që çuan në përplasjen fillestare të automjetit Volvo me ndarësen e autostradës, si dhe rrethanat në të cilat fuoristrada goditi të riun.
Sipas mediave italiane, drejtuesit të SUV-it do t’i nënshtrohet edhe analizave toksikologjike, në kuadër të procedurave hetimore. Top Channel

