Ish-Presidenti Bamir Topi dëshmoi në GJKKO në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Partizani”, ku deklaroi se Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura ishte pjesë e reformimit të ushtrisë shqiptare në funksion të anëtarësimit në NATO. Sipas tij, procesi drejtohej nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, ndërsa Presidenti përfshihej vetëm në fazën përfundimtare për mbylljen juridike të procedurave.
Topi tha se, pasi një strukturë ushtarake dilte nga Plani i Përhapjes, ajo nuk ishte më në varësi të drejtpërdrejtë të Presidentit. Ai shtoi se kishte kërkuar verifikime nga strukturat përkatëse lidhur me komunikimet me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Vladimir Qiriazi, dhe ishte informuar se çështja nuk hynte në kompetencat e Presidencës, por ishte në juridiksionin e institucioneve qeveritare.
Duke folur për privatizimin e kompleksit “Partizani”, ish-kreu i shtetit deklaroi se nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces dhe se për të kishte mësuar si gjithë të tjerët. I pyetur edhe për dekretin e vitit 2009 për shkarkimin e gjeneralit Vladimir Qiriazi, Topi u shpreh se nuk i kujtohen detajet e propozimeve konkrete, duke theksuar se ato kanë ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm.

