Francesco Schettino, kapiteni i anijes Costa Concordia që u mbyt 14 vite më parë, ka dalë nga burgu i Rebibbias mbrëmjen e së premtes, duke u zhdukur më pas në errësirën e periferisë së kryeqytetit italian, drejt një destinacioni të panjohur, raporton Corriere. Kapiteni i anijes ku humbën jetën 32 persona dhe mijëra të tjerë mbetën të bllokuar në det, në atë që ishte tragjedia më e madhe në detet italiane gjatë dekadave të fundit, e ndodhur më 13 janar 2012 në shkëmbinjtë përreth ishullit Giglio, ishte dënuar nga gjykata e Grossetos me 16 vjet burg. Tashmë ai ka përfituar masën e lirisë me kusht pranë shërbimeve sociale. Ende nuk dihet se çfarë detyre do të kryejë dhe as se ku do të vendoset. I vetmi informacion zyrtar, i konfirmuar nga avokatja e tij, Francesca Carnicelli, është përfitimi i kësaj mase alternative, të dhënë ditët e fundit nga gjykata e mbikëqyrjes së ekzekutimit të dënimeve. LEXO EDHE:'Kështu nuk shkojmë deri në fund të mandatit', Meloni paralajmëron aleatët pas përplasjeve në koalicionin qeverisës në Itali: Gati për zgjedhje të parakohshme Ky vendim i rikthen Schettinos një liri më të madhe sesa ajo e regjimit kur duhej të kthehej çdo natë në burg, prej të cili hoqi dorë më 8 prill 2025, edhe për shkak të polemikave që shpërthyen menjëherë pas vendimit. Tani, ai ka vetëm detyrimin të angazhohet pranë shërbimit social, i cili ende nuk është bërë i ditur, ku është caktuar dhe pranë të cilit do të duhet të vuajë edhe 6 vjet e gjysmë të dënimit të mbetur. Në burg ai ka kaluar tashmë nëntë vjet e gjysmë. Avokatja Carnicelli, në një deklaratë të parë për faqen e internetit të Grossetos, Maremma Oggi, nuk e fsheh kënaqësinë e saj: “Është shumë e madhe. Sipas mendimit tonë, ekzistonin të gjitha kushtet për dhënien e kësaj mase alternative, e cila përfaqëson vazhdimin e duhur të rrugëtimit të nisur pas dënimit”. Carnicelli shpjegon gjithashtu se procedura për vendosjen e tij pranë shërbimeve sociale ka qenë e gjatë dhe rigoroze: “Vlerësimi nga të gjithë profesionistët e përfshirë ka qenë jashtëzakonisht pozitiv, si për sa i përket sjelljes së të burgosurit Schettino, ashtu edhe për respektimin e udhëzimeve të programit ndëshkues dhe rehabilitues të hartuar posaçërisht për të”. Çfarë ndodhi më 13 janar 2012 në ishullin Giglio Anija Costa Concordia ishte larguar nga porti i Civitaveçhias me 4.200 persona në bord, në mbrëmjen e 13 janarit 2012. Në afërsi të ishullit Giglio, kapiteni, me origjinë nga Meta di Sorrento dhe sapo kishte mbushur 66 vjeç, vendosi të kryente manovrën famëkeqe të quajtur “përkulja e nderimit”, si shenjë respekti ndaj një kryemazhordomi të anijes, me origjinë nga ishulli, si dhe ndaj një ish-kapiteni të kompanisë Costa, i cili jetonte atje. Por në vend të kësaj ndodhi një tragjedi e përmasave të jashtëzakonshme: anija gjigante turistike iu afrua tepër shkëmbinjve, u përplas me ta dhe pësoi një çarje kolosale në trupin e saj, e cila bëri që të mbytej brenda pak orësh. Edhe Schettino e braktisi anijen Concordia, duke marrë qortimin e famshëm nga kapiteni Gregorio Di Falco, i cili po ndiqte situatën nga kapitaneria e portit të Livornos: “Kthehu në bord, m...!” Tre ditë më vonë, ai u arrestua. Procesi gjyqësor Procesi gjyqësor nisi më 9 korrik 2013 në Grosseto. Numri i madh i dëshmitarëve, të pandehurve, gazetarëve dhe publikut ishte aq i madh, saqë gjykata u detyrua të kthente një kinema-teatër vendas, të quajtur Moderno, në sallë gjyqi. Më 11 shkurt 2015 u dha vendimi, me të cilin kapiteni u dënua me 16 vjet burg (prokuroria kishte kërkuar 26 vjet): 10 vjet për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia dhe plagosje; 5 vjet për shkaktimin e mbytjes së anijes; 1 vit për braktisjen e anijes. Vendimi u konfirmua më pas edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë (Kasacioni), më 12 maj 2017. Po atë mbrëmje, kapiteni u paraqit në burgun e Rebibbias për të nisur vuajtjen e dënimit dhe, që nga ajo kohë, nuk kishte dalë më prej tij, përveçse për disa leje të shkurtra. P.J A.E Shqiptarja.com TAG: itali Francesco Schettino Costa Concordia Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
18 Nëntor, 11:04
A i reflekton shqetësimet e qytetarëve pr.buxheti 2027? Po 59.9% Jo 30.6% Nuk e di 9.5% Vota total: 2474 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 18 Nëntor, 11:04 A i reflekton shqetësimet e qytetarëve pr.buxheti 2027?

