Katër persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga Policia e Tiranës, në kuadër të kontrolleve dhe operacioneve të zhvilluara për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Vendimi”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e 41-vjeçarit Klodian Duro, banues në Tiranë. Duro ishte dënuar me 5 vite burgim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Sipas policisë, gjatë vitit 2025, 41-vjeçari dyshohet se ka shitur doza kokaine, ndërsa lëvizte me një automjet taksi, të cilin e drejtonte në mënyrë të parregullt. Ai u kap në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”. Në një tjetër aksion, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve vunë në pranga K. D., 27 vjeç, M. C., 22 vjeç dhe M. K., 30 vjeç. Për tre të rinjtë ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, pasi dyshohet se shisnin lëndë narkotike në doza pranë institucioneve arsimore në kryeqytet. Të katër të arrestuarit tashmë janë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
