5 MINUTA ME PARE Bulevardi kthehet në arenë përleshjesh, vajzat përballen fizikisht me policinë, nisin arrestimet (Video) Tensionohet situata në qendër të Tiranës. Policia përdor gaz lotsjellës, ujë me presion dhe spraj për të shpërndarë protestuesit, ndërsa një grup vajzash kundërshtojnë ndërhyrjen dhe përleshen fizikisht me efektivët... Situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është tensionuar, ndërsa një grup të rinjsh janë përplasur fizikisht me efektivët e policisë.
Forcat e rendit kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit nga bulevardi qendror i Tiranës, duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Gjatë përplasjeve, protestuesit u janë drejtuar efektivëve me thirrjet: “Hiqni kapelet, bashkohuni me ne”. Një grup vajzash kanë tentuar fillimisht të bllokojnë lëvizjen e forcave të policisë, duke u ulur në mes të bulevardit. Efektivët kanë përdorur spraj për t'i larguar, por vajzat kanë vijuar rezistencën, duke u përleshur fizikisht me policët që tentonin t'i largonin nga rruga.
Nga ana tjetër, një grup protestuesish kanë qëlluar me gurë dhe molotovë në drejtim të automjeteve të policisë që përdorin ujë me presion. Ndërkohë, policia ka nisur arrestimin e protestuesve gjatë ndërhyrjes për të liruar bulevardin. Efektivët kanë kapur dhe shoqëruar disa prej tyre, ndërsa përplasjet me grupet e tjera kanë vijuar.
Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të arrestuar apo të shoqëruar në komisariat. 45 MINUTA ME PARE Rama nxjerr fadromat për të pastruar gurët para Kryeministrisë Fadromat në bulevard Teksa policia është vënë në ndjekje të protestuesve në rrugët e kryeqytetit, Rama ka nxjerrë fadromat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të pastruar gurët që të rinjtë kanë hedhur gjatë përplasjeve me forcat e rendit.
Makineritë e rënda kanë hyrë në bulevardin përpara Kryeministrisë, ku asfalti është mbushur me gurë dhe sende të tjera pas përballjeve të vazhdueshme mes demonstruesve dhe policisë.
Në pamjet nga vendngjarja shihen fadromat që pastrojnë rrugën, ndërsa në zonë qëndrojnë automjete policore dhe efektivë të shumtë.
Ndërkohë që policia vijon ndjekjen e protestuesve në zona të ndryshme të Tiranës, disa prej demonstruesve janë rikthyer sërish në bulevard, përpara godinës së Kryeministrisë.
Rikthimi i tyre vjen pas përplasjeve të ashpra në Sheshin Skënderbej, ku qindra forca policore ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u përgjigjën me fishekzjarrë.
Gjatë mbrëmjes, policia ka ndjekur grupe protestuesish edhe në Rrugën e Durrësit dhe në akse të tjera të qendrës, duke i shpërndarë disa herë me gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse.
Në ditën e tetë të protestave kundër qeverisë Rama, situata në kryeqytet vijon të mbetet e tensionuar. Ndërsa fadromat pastrojnë bulevardin nga gurët e hedhur gjatë përplasjeve, një pjesë e protestuesve po rikthehet në të njëjtin vend ku nisi përballja me policinë. 51 MINUTA ME PARE Tensione dhe gaz lotsjellës në qendër të Tiranës, një person humb ndjenjat gjatë protestës Një person ka humbur ndjenjat në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë për shpërndarjen e protestuesve.
Në pamje, shihet një burrë i shtrirë në tokë, ndërsa pranë tij janë mbledhur qytetarë dhe gazetarë, të cilët janë përpjekur t'i ofrojnë ndihmën e parë.
Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur situata në qendër të kryeqytetit ishte tensionuar, pas rikthimit në shesh të disa grupeve të protestuesve që më herët u shpërndanë në zonat përreth. Gjatë ndërhyrjes, efektivët e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Dyshohet se personi ka humbur ndjenjat si pasojë e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ende nuk ka të dhëna mbi gjendjen e tij shëndetësore apo nëse është transportuar drejt spitalit. 1 ORE ME PARE Protestuesit marshojnë drejt Zogut të Zi, djegin kosha dhe paralizojnë qarkullimin Protestuesit vijojnë marshimin drejt zonës së Zogut të Zi në Tiranë, ndërsa në ditën e tetë të revoltës qytetare tensionet mbeten të larta dhe qarkullimi i automjeteve në Unazë është bllokuar.
Me thirrje dhe brohorima, pjesëmarrësit po përshkojnë rrugët e kryeqytetit, pas përplasjeve të mëparshme me forcat e rendit.
Gjatë marshimit, disa protestues u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërsa në segmente të ndryshme kanë vendosur kosha dhe blloqe për të penguar kalimin e automjeteve.
Më herët, turma ishte ndarë në disa grupe, të cilat u zhvendosën përgjatë bulevardit, në sheshin “Skënderbej” dhe në zona të tjera të Tiranës.
Përplasjet me policinë nisën gjatë marshimit nga Kryeministria drejt Ministrisë së Jashtme, kur disa protestues shkulën kangjellat anës rrugës dhe hodhën gurë drejt efektivëve. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e tyre.
Ndërkohë, automjetet e policisë kanë vijuar të ndjekin lëvizjet e protestuesve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. 1 ORE ME PARE Protestuesit bllokojnë rrugët me kosha dhe blloqe betoni, një grup marshon drejt bulevardit Protestuesit vijojnë revoltën e tyre në rrugët e Tiranës, të shpërndarë në disa grupe, ndërsa tensionet me forcat e rendit nuk janë shuar.
Një pjesë e tyre po marshojnë përgjatë bulevardit, ndërsa grupe të tjera janë zhvendosur në sheshin “Skënderbej”, ku ndodhen edhe automjete të policisë.
Gjatë lëvizjes nëpër kryeqytet, protestuesit kanë vendosur kosha mbeturinash dhe blloqe betoni në rrugë, në shenjë revolte dhe për të penguar qarkullimin e automjeteve. Këto veprime kanë krijuar pengesa për trafikun në segmentet ku janë vendosur barrikadat.
Më herët, forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, në përpjekje për të shpërndarë turmën pas përplasjeve të regjistruara gjatë marshimit.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, protestuesit kanë vijuar lëvizjen në drejtime të ndryshme, duke mbajtur aktive protestën në ditën e saj të tetë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa efektivët dhe automjetet e policisë vijojnë të jenë të pranishëm në sheshin “Skënderbej” dhe në zonat ku po lëvizin grupet e protestuesve. 1 ORE ME PARE Video/ "Luftë" në sheshin 'Skënderbej', policia ndërhyn për shpërndarjen e turmës Policia ndërhyn në shesh Sheshi Skënderbej është kthyer në një tjetër vatër përplasjesh mes policisë dhe protestuesve. Qindra forca policore kanë ndërhyrë për të zbrazur sheshin, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse, ndërsa demonstruesit janë përgjigjur duke hedhur fishekzjarrë drejt forcave të rendit. Përplasje të ashpra po zhvillohen mbrëmjen e kësaj të marte në Sheshin Skënderbej, ku policia ka ndërmarrë një operacion me qindra efektivë për të larguar protestuesit nga qendra e Tiranës.
Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe automjete ujëhedhëse për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit janë përgjigjur duke hedhur fishekzjarrë në drejtim të policisë. Përplasja ka përfshirë një nga hapësirat kryesore publike të kryeqytetit, ku demonstruesit ishin grumbulluar pas disa orësh ndjekjeje në rrugët përreth.
Më herët, policia kishte rrethuar protestuesit në Sheshin Skënderbej dhe kishte ndërhyrë me gaz lotsjellës në momentin kur një pjesë e tyre po tentonte të largohej. Tensionet janë përshkallëzuar më tej me përfshirjen e qindra efektivëve dhe përdorimin e ujëhedhëseve për të zbrazur sheshin. Përplasjet në Sheshin Skënderbej vijnë pas një mbrëmjeje të tensionuar në disa zona të Tiranës. Fillimisht, policia ndërhyri pranë Kryeministrisë, ku demonstruesit u përplasën me efektivët dhe u shpërndanë me gaz lotsjellës e ujëhedhëse.
Më pas, protestuesit u zhvendosën në disa rrugë të kryeqytetit, përfshirë Rrugën e Durrësit, ndërsa policia i ndoqi me automjete dhe forca në terren. Një numër i madh demonstruesish arriti të grumbullohej sërish në Sheshin Skënderbej, ku ndërhyrja policore solli përplasjet e fundit.
Gjatë ditës së tetë të protestave kundër qeverisë Rama, tensione pati edhe pranë Ministrisë së Arsimit. Atje, disa protestues hodhën gurë drejt policisë, ndërsa efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse.
Ndërhyrja masive në Sheshin Skënderbej tregon se përplasjet nuk janë kufizuar më vetëm në zonën përpara Kryeministrisë. Policia po përpiqet të largojë demonstruesit edhe nga sheshi qendror i Tiranës, ndërsa hedhja e fishekzjarrëve nga protestuesit po e mban situatën të tensionuar. 1 ORE ME PARE Sheshi 'Skënderbej' mbulohet nga gazi lotsjellës, policia rrethon protestuesit Policia ndërhyn në sheshin 'Skënderbej' Situata është tensionuar sërish mbrëmjen e kësaj të marte në Sheshin Skënderbej, ku forcat e policisë kanë rrethuar një numër të madh protestuesish që ishin grumbulluar në qendër të Tiranës.
Pas ndjekjes në rrugët përreth, efektivët kanë krijuar një rrethim rreth turmës. Në momentin kur demonstruesit kanë tentuar të largohen nga sheshi, policia ka hedhur gaz lotsjellës, duke i detyruar të shpërndahen mes reve të gazit.
Ndërhyrja ka ndodhur pikërisht gjatë përpjekjes së protestuesve për t'u larguar nga zona, ndërsa forcat e rendit kishin zënë pozicione përreth sheshit. Përdorimi i gazit në këto rrethana ka sjellë një tjetër përballje mes policisë dhe demonstruesve.
Protestuesit ishin grumbulluar në Sheshin Skënderbej pasi policia i kishte shpërndarë më herët nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë mbrëmjes pati përplasje dhe ndërhyrje me automjete ujëhedhëse e gaz lotsjellës.
Pavarësisht ndjekjes në disa akse rrugore, përfshirë Rrugën e Durrësit, një pjesë e madhe e demonstruesve ishte bashkuar sërish në sheshin qendror të kryeqytetit. Por edhe aty ata janë përballur me ndërhyrjen e forcave të rendit.
Dita e tetë e protestave nisi me grumbullime dhe marshime në disa zona të Tiranës. Tensionet u regjistruan fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit, ku disa të rinj hodhën gurë drejt efektivëve dhe policia reagoi me ujëhedhëse e gaz lotsjellës.
Më pas, turma u rikthye përpara Kryeministrisë, ku për një periudhë protestuesit kërcyen valle në bulevard. Qetësia u ndërpre nga përplasjet e reja, të cilat sollën shpërndarjen e demonstruesve dhe ndjekjen e tyre në rrugët e kryeqytetit.
Rrethimi i protestuesve në Sheshin Skënderbej dhe përdorimi i gazit lotsjellës në momentin kur ata po tentonin të largoheshin shënojnë zhvillimin më të fundit të mbrëmjes, ndërsa demonstratat kundër qeverisë së Edi Ramës vijojnë për të tetën ditë. 1 ORE ME PARE Protestuesit u vënë flakën 3 koshave të mbeturinave, policia vijon ndjekjen në rrugët e kryeqytetit Protesta në Tiranë vijon të shoqërohet me tensione, teksa disa protestues u kanë vënë flakën tre koshave të mbeturinave në dy zona të kryeqytetit.
Dy prej koshave janë djegur në zonën e 9-katësheve, ndërsa një tjetër është përfshirë nga flakët pranë 15-katëshit. Veprimet kanë ndodhur gjatë zhvendosjes së protestuesve nëpër rrugët e qytetit, pas përplasjeve me forcat e rendit.
Ndërkohë, policia vijon ndjekjen e grupeve të protestuesve, të cilët janë shpërndarë në drejtime të ndryshme. Efektivët po lëvizin nëpër rrugët e kryeqytetit për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë aty ku shfaqen tensione.
Ngjarjet vijnë pas përshkallëzimit të protestës në ditën e saj të tetë, kur gjatë marshimit nga Kryeministria drejt Ministrisë së Jashtme u shkulën kangjella anës rrugës dhe u hodhën gurë drejt policisë.
Forcat e rendit ndërhynë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit u shpërndanë në disa grupe, duke vijuar lëvizjen në zona të ndryshme të Tiranës. 1 ORE ME PARE Tirana mes përplasjeve, turma zhvendoset në sheshin "Skënderbej" Një numër i madh protestuesish është grumbulluar mbrëmjen e kësaj të marte në Sheshin Skënderbej, ndërsa në rrugët e Tiranës vijojnë tensionet mes demonstruesve dhe forcave të policisë.
Grumbullimi në shesh vjen pas ndërhyrjes së policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe automjete ujëhedhëse për të shpërndarë turmën që protestonte përpara Kryeministrisë. Pas përplasjes, protestuesit u larguan në disa drejtime, ndërsa policia nisi ndjekjen e tyre në rrugët përreth qendrës së kryeqytetit. Megjithatë, një pjesë e madhe e demonstruesve është bashkuar sërish në Sheshin Skënderbej, duke vijuar protestën pavarësisht ndërhyrjeve të forcave të rendit. Gjatë mbrëmjes, përplasjet janë zhvendosur edhe në Rrugën e Durrësit, ku policia ka ndjekur grupet e protestuesve me automjete dhe ujëhedhëse. Demonstruesit janë shpërndarë disa herë, por grumbullimi i tyre në sheshin qendror tregon se protesta nuk është ndërprerë.
Situata ka ndryshuar disa herë gjatë ditës së tetë të demonstratave. Më herët, protestuesit qëndruan pranë Ministrisë së Arsimit, ku disa të rinj hodhën gurë drejt efektivëve dhe policia ndërhyri me ujëhedhëse e gaz lotsjellës.
Më pas, turma u rikthye përpara Kryeministrisë, ku për një periudhë tensionet ia lanë vendin muzikës dhe valleve në bulevard. Por qetësia nuk zgjati, pasi hedhja e gurëve drejt forcave të rendit solli një tjetër ndërhyrje policore dhe shpërndarjen e demonstruesve.
Tashmë, Sheshi Skënderbej është kthyer në pikën ku janë grumbulluar shumë prej protestuesve pas ndjekjes nga policia. Ndërsa efektivët vijojnë lëvizjet në rrugët e kryeqytetit, demonstruesit mbeten në qendër të Tiranës, në ditën e tetë të protestave që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. 1 ORE ME PARE Policia nuk i ndahet protestuesve, zonat që blindohen nga forcat speciale Policia nuk i ndahet protestuesve. Forca të shumta policore po ndjekin një grup të rinjsh në rrugët dhe rrugicat e Tiranës, ndërsa e gjithë zona e Pazarit të Ri, është blinduar nga uniformat blu. Gjithashtu zona e qendrës së Tiranës është blinduar nga dhjetra forca policore, veçanërisht ajo te Ushtari i Panjohur dhe sheshi Skënderbej.
Protestuesit janë ndarë në disa grupe duke tentuar të çorientojnë forcat e policisë, por edhe këto të fundit duket se kanë ndryshuar strategji, pasi me forca të shumëfishuara nuk po i lënë hapësira grupeve të të rinjve që të qarkullojnë. Forcat e policisë janë ndarë në disa grupe, që ndjekin këmba këmbës të rinjtë protestues, ndoshta me synimin për t’i bllokuar ato, duke i zënë në zona, që nuk kanë mundësi të largohen apo t’i shpëtojnë ndalimit.
Në dallim nga ditët e mëparshme, në orët e pasdites së të martës, forcat e rendit po lëvizin në mënyrë më të organizuar, teksa në ndihmë të tyre janë autobotët që hedhin ujin me presion. Në aksionin policor janë trupat e FNSH dhe ato Shqiponja, ndërsa grupet e protestuesve janë ndarë në të paktën 5 grupe më të vogla, që u ndanë në 5 drejtime. 1 ORE ME PARE Rama shton arsenalin kundër protestuesve, nxjerr ujëhedhësen e pestë në rrugët e Tiranës Makina e re Në ditën e tetë të protestave kundër qeverisë, Policia e Shtetit ka futur në përdorim një tjetër automjet ujëhedhës. Deri më sot, forcat e rendit kishin përdorur katër mjete të tilla për shpërndarjen e demonstruesve, ndërsa me automjetin e ri numri shkon në pesë. Policia e Shtetit ka shtuar një tjetër automjet ujëhedhës në rrugët e Tiranës, ndërsa vijojnë protestat kundër qeverisë së Edi Ramës. Në ditën e tetë të demonstratave, forcat e rendit kanë nxjerrë një mjet të ri, duke e çuar në pesë numrin e ujëhedhëseve të përdorura gjatë përballjeve me protestuesit.
Automjeti i ri është shfaqur këtë të martë në kryeqytet, ku policia ka angazhuar prej ditësh mjete të blinduara dhe pajisje për kontrollin e turmave.
Deri më sot, gjatë ndërhyrjeve për shpërndarjen e demonstruesve, policia kishte përdorur katër automjete ujëhedhëse. Me daljen në terren të mjetit të pestë, shtohet kapaciteti i forcave të rendit për ndërhyrje në zonat ku zhvillohen protestat.
Zhvillimi vjen një ditë pas raportimeve për mbërritjen në Shqipëri të dy automjeteve të blinduara ujëhedhëse të tipit TOMA nga Turqia. Mjetet u transportuan në aeroportin e Rinasit me një avion ushtarak turk dhe janë projektuar për ndërhyrje në zona urbane, përfshirë rrugët më të ngushta ku automjetet e mëdha hasin vështirësi në lëvizje.
Shtimi i mjeteve policore përkon me një tjetër ditë përplasjesh në Tiranë. Gjatë së martës, demonstruesit u përballën me policinë pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse pas hedhjes së gurëve nga disa protestues.
Pas ndërhyrjeve pranë Kryeministrisë, përplasjet u zhvendosën në rrugët përreth, ndërsa policia vijoi ndjekjen e grupeve të demonstruesve që u shpërndanë në disa drejtime.
Gjatë tetë ditëve të protestave, ujëhedhëset janë kthyer në një nga mjetet kryesore të ndërhyrjes policore, krahas gazit lotsjellës dhe forcave të angazhuara në terren. Automjetet janë përdorur për të larguar turmat nga institucionet shtetërore dhe për të shtyrë demonstruesit gjatë përplasjeve.
Tashmë, me pesë ujëhedhëse të nxjerra në rrugët e kryeqytetit, policia ka shtuar praninë e mjeteve të specializuara në një kohë kur protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. 2 ORE ME PARE Policia në ndjekje të protestuesve, rikthehen trazirat në rrugët e Tiranës Pas rreth tre orësh qëndrimi përpara Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Jashtme, ndërsa dita e tetë e revoltës qytetare është shoqëruar me përplasje të reja me forcat e policisë.
Gjatë marshimit, një grup protestuesish kanë shkulur kangjellat mbrojtëse në anë të rrugës, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar kur drejt efektivëve të policisë janë hedhur gurë.
Forcat e rendit janë përgjigjur duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Pas ndërhyrjes, protestuesit janë ndarë në disa grupe, duke u zhvendosur në drejtime të ndryshme.
Përplasjet janë përqendruar veçanërisht në Rrugën e Durrësit, ku policia po vijon ndjekjen e protestuesve. Efektivët po lëvizin të shoqëruar nga automjete policie dhe autobotë me ujë me presion, në përpjekje për të shpërndarë grupet e mbetura në rrugë.
Më herët, situata përpara Kryeministrisë kishte qenë e qetë, me të rinjtë që qëndronin të ulur këmbëkryq në bulevard, ndërsa forcat e policisë ishin pozicionuar brenda territorit të godinës së qeverisë.
Protestat kanë hyrë në ditën e tetë, ndërsa të rinjtë vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke refuzuar ftesën e tij për dialog. 2 ORE ME PARE Rikthehen përplasjet/ Policia shpërndan protestuesit nga bulevardi, ndërhyn me gaz e ujë Pas sulmit me gurë, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Më pas, forcat e rendit aktivizuan automjetet që hedhin ujë me presion, ndërsa nga vendngjarja raportohet se efektivët qëlluan edhe me plumba gome në drejtim të protestuesve. Situata para Kryeministrisë u tensionua pas rreth një ore qetësie, kur një grup të rinjsh hodhi gurë ndaj forcave të rendit. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës, automjete me ujë me presion dhe, sipas raportimeve nga vendngjarja, plumba gome, duke shpërndarë protestuesit në disa drejtime...
Kanë nisur përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Qetësia mes palëve nuk zgjati më shumë se 60 minuta, pasi një grup të rinjsh nisi të hidhte gurë ndaj efektivëve të policisë që ndodheshin brenda perimetrit të godinës qeveritare.
Pas sulmit me gurë, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Më pas, forcat e rendit aktivizuan automjetet që hedhin ujë me presion, ndërsa nga vendngjarja raportohet se efektivët qëlluan edhe me plumba gome në drejtim të protestuesve.
Në operacion u angazhuan tre automjete me ujë me presion, të cilat ndërhynë për të larguar protestuesit nga bulevardi. Ndërkohë, policia vendosi një kordon pranë Ministrisë së Brendshme, duke kufizuar lëvizjen e turmës në atë pjesë të zonës. Kjo është përplasja e parë e raportuar gjatë orëve të pasdites mes protestuesve dhe forcave të rendit. Incidenti nisi kur një grup të rinjsh sulmoi me gurë efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kishin marrë pozicione brenda perimetrit të Kryeministrisë.
Pas ndërhyrjes me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, policia vijoi ndjekjen e grupeve të protestuesve në të dy kahet e Unazës. Protestuesit u shpërndanë në drejtime të ndryshme, ndërsa forcat e rendit vijuan ndërhyrjen për të liruar bulevardin.
Deri në këto momente, materiali i raportuar nuk jep të dhëna për persona të lënduar apo të shoqëruar nga policia. 3 ORE ME PARE Dita e 8-të e protestave/ Të rinjtë ulen këmbëkryq para Kryeministrisë, policia shmang përballjen Protestuesit vijojnë të qëndrojnë përpara Kryeministrisë, ku janë ulur këmbëkryq në bulevard, në shenjë revolte kundër qeverisë. Pas tetë ditësh protestash dhe përplasjesh me forcat e rendit, situata për momentin paraqitet e qetë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, policia ka ndryshuar mënyrën e vendosjes së forcave në terren. Dhjetëra efektivë, së bashku me një autobot me ujë me presion, janë pozicionuar brenda territorit të Kryeministrisë, duke shmangur ngritjen e një kordoni policor përreth godinës.
Kjo vendosje ka shmangur deri tani përballjen e drejtpërdrejtë mes protestuesve dhe efektivëve. Megjithatë, herë pas here, të rinjtë u drejtohen forcave të rendit me thirrje dhe gjeste sfiduese, ndërsa të dyja palët vijojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre.
Më herët, një grup protestuesish zhvendosën stacionin e autobusit që ndodhej përpara Piramidës së Tiranës, duke e vendosur si barrikadë përballë forcave të policisë, pranë Kryeministrisë.
Pavarësisht qetësisë së momentit, mbetet e paqartë nëse situata do të vijojë e tillë apo nëse do të ketë tentativa të tjera për t'iu afruar godinës së qeverisë.
Ndërkohë, protestuesit vijojnë t'i qëndrojnë kërkesës së tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke refuzuar mundësinë e dialogut me të. 3 ORE ME PARE Policia tërhiqet brenda Kryeministrisë, protestuesit sfidojnë Ramën në ditën e tetë Pamje nga protesta Forcat e policisë janë zhvendosur brenda territorit të Kryeministrisë, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë në bulevard. Studentët dhe qytetarët refuzojnë dialogun me Edi Ramën dhe kërkojnë dorëheqjen e tij… “Hiqni kapelet, hiqni kapelet”, kanë thirrur protestuesit në drejtim të forcave të rendit, ndërsa protesta e studentëve dhe qytetarëve ka hyrë në ditën e tetë përpara Kryeministrisë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, policia ka ndryshuar mënyrën e vendosjes së forcave në terren. Dhjetëra efektivë dhe një autobot me ujë me presion janë pozicionuar brenda territorit të Kryeministrisë, duke shmangur krijimin e kordonit policor rreth godinës.
Kjo vendosje ka shmangur deri tani përballjen e drejtpërdrejtë mes policisë dhe protestuesve, të cilët vijojnë të qëndrojnë në bulevard. Herë pas here, të rinjtë u drejtohen efektivëve me thirrje dhe veprime sfiduese, por situata mbetet e qetë. Të dyja palët po qëndrojnë në pozicionet e tyre, pas tetë ditësh protestash dhe përplasjesh në rrugët e Tiranës. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo situatë do të vijojë apo nëse protestuesit do të tentojnë sërish të afrohen te godina e Kryeministrisë.
Ndërkohë, kërkesa politike e protestuesve nuk ka ndryshuar. Ata kanë refuzuar dialogun me kryeministrin Edi Rama dhe këmbëngulin në dorëheqjen e tij. 3 ORE ME PARE Nga molotovët te vallja/ Protestuesit lënë përplasjet dhe nisin kërcimin para Kryeministrisë Nga gazi lotsjellës dhe gurët te muzika dhe vallja. Kështu ka ndryshuar atmosfera e protestës së kësaj të marte në Tiranë, ku demonstruesit janë rikthyer përpara Kryeministrisë pas tensioneve të regjistruara më herët pranë Ministrisë së Arsimit.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar disa prej përplasjeve më të forta mes protestuesve dhe policisë, këtë herë kanë marrë vendin ritmet e muzikës. Një pjesë e demonstruesve kanë nisur të kërcejnë valle në rrugë, ndërsa turma vijon të qëndrojë përballë godinës së qeverisë. Pamja ndryshon dukshëm nga ajo e pak më parë, kur disa të rinj hodhën gurë drejt efektivëve pranë Ministrisë së Arsimit dhe policia u përgjigj me ujëhedhëse e gaz lotsjellës për të larguar turmën. Për momentin, përpara Kryeministrisë nuk po regjistrohen përplasje dhe policia nuk po përdor gaz lotsjellës apo ujëhedhëse. Në vend të vrapimeve për t'iu shmangur ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit janë bashkuar në valle në mes të bulevardit.
Megjithatë, ndryshimi i atmosferës nuk ka ndryshuar kërkesën politike të protestës. Demonstruesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra. 4 ORE ME PARE Studentët përmbysin karriget e Ramës, protesta kthehet në revoltë kundër qeverisë Protesta Protestat kundër Edi Ramës kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa studentët refuzuan ftesën e kryeministrit për dialog, duke përmbysur 12 karriget e kuqe që ai kishte vendosur para Kryeministrisë. Rama i cilëson protestat një “luftë hibride” të nxitur nga faktorë të huaj, ndërsa 1350 pedagogë dhe punonjës universitetesh kërkojnë largimin e tij dhe krijimin e një qeverie teknike... Tirana është përfshirë sërish nga përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë. Pas një nate me barrikada, zjarre dhe dhjetëra persona të shoqëruar, tensionet janë rikthyer pasditen e së martës, këtë herë në rrugën e Durrësit, ku demonstruesit kanë qëlluar me gurë dhe shishe drejt efektivëve.
Edi Rama tentoi të hapte një dialog me studentët nëpërmjet 12 karrigeve të kuqe që vendosi përpara Kryeministrisë, por përgjigjja erdhi ndryshe nga ajo që priste. Një grup studentësh i përmbysi karriget mesditën e së martës, më 20 tetor, duke refuzuar publikisht ftesën e kryeministrit.
Sipas raportimit nga Tirana të gazetares Despina Kritikou për televizionin publik grek ERTnews, mijëra qytetarë iu bashkuan studentëve përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Protesta, e cila fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej përpara Ministrisë së Arsimit, u zhvendos në qendër të Tiranës.
Ajo që nisi si një përplasje për kërkesat e studentëve, tashmë ka marrë përmasa politike. Në ditën e 8 të protestave, studentëve u janë bashkuar nxënës, pedagogë, punonjës universitetesh dhe qytetarë që kundërshtojnë korrupsionin dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës.
Studentët nuk pranojnë të ulen në tryezë me Ramën. Ata argumentojnë se prej 3 muajsh kanë protestuar pa marrë përgjigje nga institucionet, ndërsa qeveria vendosi t'i ftojë në dialog vetëm pasi protestat u shoqëruan me dëmtime të pronës në kryeqytet. “Çfarë kishim për të thënë, e thamë. Folëm të gjithë shumë, tani më në fund të ketë veprime”, deklaruan studentët për ERTnews.
Në këtë mënyrë, 12 karriget e Ramës, të menduara si simbol i gatishmërisë për dialog, u kthyen në simbol të refuzimit të tij. Studentët nuk kërkojnë më takime apo premtime, por përgjigje konkrete për problemet që, sipas tyre, lidhen drejtpërdrejt me mbijetesën ekonomike.
Një element që veçoi protestën e së martës ishte fakti se studentët që përmbysën karriget vepruan me fytyra të zbuluara, përpara kamerave dhe fotografëve. Gazetarja e ERTnews raportoi se deri në atë moment nuk kishte parë asnjë protestues me fytyrë të mbuluar.
Ndërkohë, Edi Rama ka zgjedhur ta trajtojë përplasjen edhe si çështje sigurie. Të hënën, sipas raportimit të televizionit grek, kryeministri u dha rreth 3000 euro secilit prej 2750 policëve të vijës së parë që kishin marrë pjesë në përballimin e trazirave në Tiranë dhe qytete të tjera.
Paralelisht, Rama paralajmëroi se studentët që kanë dëmtuar prona do të detyrohen të paguajnë dëmet. Ai njoftoi gjithashtu se studentët ekselentë që përfitojnë bonusin prej 300 eurosh rrezikojnë ta humbasin atë nëse vazhdojnë të marrin pjesë në protesta.
Këto masa e zhvendosin përplasjen nga kërkesat e studentëve te pasojat që mund të kenë për pjesëmarrjen në protesta. Qeveria ofron dialog, por njëkohësisht paralajmëron pasoja financiare për një pjesë të protestuesve.
Në takimin e së martës me drejtorët e shkollave të Tiranës, në Ministrinë e Arsimit, Rama deklaroi se ndryshimi i pushtetit me dhunë nuk do të ndodhë dhe se asnjë alternativë politike nuk mund të imponohet në këtë mënyrë. Por kryeministri shkoi më tej, duke i cilësuar protestat një “luftë hibride”.
Sipas tij, ngjarjet në Tiranë përbëjnë një sulm të organizuar në një perimetër të caktuar, nga persona të trajnuar që marrin mbështetje prej faktorëve të huaj. Rama pretendoi se këta faktorë synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe pengimin e rrugës së saj drejt Bashkimit Europian.
Ndërsa Rama flet për ndërhyrje nga jashtë, protesta po merr mbështetje edhe nga universitetet shqiptare.
Sipas mediave shqiptare që citon raportimi grek, 1350 pedagogë dhe punonjës universitarë kanë nënshkruar një kërkesë për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike. Pedagogë dhe punonjës të arsimit u mblodhën në orën 10:00 përpara Universitetit Politeknik, për t'iu bashkuar marshimit të studentëve.
Ky është një zhvillim politik që shkon përtej refuzimit të një ftese për dialog. Studentët kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre, ndërsa pedagogët që kanë nënshkruar peticionin kërkojnë ndryshimin e qeverisë.
Edi Rama përballet kështu me dy kërkesa që nuk mund t'i trajtojë si të njëjta: përgjigje institucionale për studentët dhe largim politik nga një pjesë e komunitetit universitar.
Përmbysja e 12 karrigeve tregoi se ftesa e kryeministrit nuk ka arritur të ndryshojë qëndrimin e protestuesve. Ndërsa Rama këmbëngul se nuk do të lejojë ndryshimin e pushtetit me dhunë, studentët vazhdojnë të refuzojnë dialogun dhe mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e tij.
Tashmë çështja nuk është nëse Rama do të vendosë përsëri karrige për dialog, por nëse qeveria do t'u japë përgjigje kërkesave që kanë nxjerrë studentët dhe qytetarët në rrugë për shtatë ditë radhazi. Përplasjet e së martës vijnë pas incidenteve të së hënës, kur protestuesit ngritën barrikada, u vunë zjarrin kazanëve të mbeturinave dhe u përballën me policinë në disa rrugë të kryeqytetit. Sipas raportimeve, incidentet vazhduan deri rreth orës 23:30, ndërsa policia shoqëroi afërsisht 45 persona. Numri i arrestimeve nuk është konfirmuar ende.
Kryeministri ka kërkuar ndërprerjen e incidenteve si kusht për të diskutuar me përfaqësuesit e protestuesve. Në këtë situatë ka ndërhyrë edhe Sali Berisha, i cili ka deklaruar mbështetjen për studentët dhe ka kundërshtuar shoqërimet dhe arrestimet që i konsideron të padrejta.
Ndërkohë, përplasjet kanë nisur të ndikojnë edhe në aktivitetin ekonomik të kryeqytetit. Sipas raportimeve, rreth 100 dyqane qëndruan të mbyllura të hënën, ndërsa të martën një pjesë e bizneseve tentuan të rifillonin aktivitetin. Mes tregtarëve ka qëndrime të ndryshme. Disa e lidhin vazhdimin e protestave me mundësinë e ndryshimeve politike, ndërsa të tjerë kërkojnë ndërprerjen e incidenteve për të shmangur humbjet ekonomike. Përdorimi i gazit lotsjellës dhe mjeteve ujëhedhëse mund të shpërndajë demonstruesit nga një rrugë, por nuk zgjidh mosmarrëveshjen që ka sjellë protestat. /Përshtati Pamfleti/ 4 ORE ME PARE Protestuesit zhvendosin stacionin e autobusit, e kthejnë në barrikadë përballë policisë te Kryeministria Një grup protestuesish kanë zhvendosur stacionin e autobusit që ndodhej përpara Piramidës së Tiranës, duke e vendosur si barrikadë përballë forcave të policisë, pranë Kryeministrisë.
Incidenti është regjistruar pasi të rinjtë u rikthyen përpara godinës së qeverisë, pas përplasjeve me efektivët e policisë pranë Ministrisë së Arsimit.
Në zonë ishin pozicionuar forca të shumta policore, përfshirë efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH), për të monitoruar situatën dhe për të ruajtur sigurinë.
Më herët, protesta pranë Ministrisë së Arsimit u shoqërua me tensione, pasi protestuesit hodhën gurë në drejtim të godinës dhe efektivëve. Policia ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës, ndërsa studentët vijuan qëndresën e tyre.
Protestat e studentëve dhe të rinjve kanë hyrë në ditën e tetë, pas një jave të shoqëruar me përplasje me policinë, dëmtime dhe zjarrvënie në prona publike e private, si dhe arrestime.
Ndërkohë, protestuesit kanë paralajmëruar një protestë rinore kombëtare të shtunën, më 24 tetor, në orën 10:00, përpara Kryeministrisë, duke ftuar në mobilizim të rinjtë nga i gjithë vendi dhe shqiptarët që jetojnë në diasporë. 4 ORE ME PARE Përplasje në rrugën e Durrësit, studentët nuk tërhiqen dhe zhvendosin protestën te Kryeministria Protesta Pas ndërhyrjes së policisë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës në rrugën e Durrësit, studentët dhe qytetarët që i mbështesin marshuan drejt Kryeministrisë. Në protestë u përfshinë edhe pedagogë, të cilët kërkuan ndalimin e akteve të dhunës... Studentët, të mbështetur nga qytetarë të grupmoshave të ndryshme, janë zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke marshuar në drejtim të Kryeministrisë.
Rreth mesditës, përpara godinës së qeverisë u zhvillua një tubim ku morën pjesë edhe pedagogë, të cilët shprehën mbështetjen për studentët dhe bënë thirrje për ndalimin e dhunës. Marshimi drejt Kryeministrisë pasoi përplasjet në rrugën e Durrësit, ku policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Gjatë përplasjes, disa protestues hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të policisë.
Pas ndërhyrjes, protestuesit u ndanë në disa grupe. Një pjesë vijoi marshimin drejt Kryeministrisë, ndërsa pas tyre lëvizën një autobot uji dhe dhjetëra efektivë policie.
Ndërkohë forcat e policisë janë pozicionuar pranë godinës së Kryeministrisë, ndërsa disa të rinj kanë nisur aksionin duke qëlluar me gurë në drejtim të uniformave blu. Gjithashtu në mes të bulevardit është vendosur një barrikadë e improvizuar, me qëllim që të pengojë lëvizjen e autoboteve me ujë. 4 ORE ME PARE Studentët nuk tërhiqen, protestë kombëtare të shtunën para Kryeministrisë Protestuesit kanë bërë thirrje për një protestë rinore kombëtare të shtunën, më 24 tetor, në orën 10:00, përpara Kryeministrisë, duke ftuar në mobilizim të rinjtë nga i gjithë vendi, si dhe shqiptarët që jetojnë në diasporë, për t'iu bashkuar revoltës kundër qeverisë.
Thirrja vjen në ditën e tetë të protestave studentore, të cilat prej më shumë se një jave kanë përfshirë rrugët e Tiranës dhe më gjerë, duke u shoqëruar me tensione, përplasje të dhunshme me policinë, dëmtime dhe zjarrvënie në institucione publike e private, si dhe arrestime të protestuesve. Ndryshe nga shtatë ditët e mëparshme, të karakterizuara nga kaosi dhe incidentet e dhunshme, situata gjatë ditës së sotme është paraqitur fillimisht më e qetë.
Prej orës 13:30, protestuesit janë grumbulluar përpara Ministrisë së Arsimit. Pasi iu bashkuan pedagogëve në tubimin para Kryeministrisë, të rinjtë marshuan përgjatë Rrugës së Durrësit, për t'u mbledhur më pas sërish përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Megjithatë, qetësia nuk zgjati shumë. Në mesin e protestuesve u shfaqën sërish persona të maskuar, ndërsa pas rreth 30 minutash nisën sulmet me gurë në drejtim të godinës së ministrisë dhe efektivëve të policisë.
Forcat e rendit u përgjigjën duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, protestuesit vijuan të qëndronin përpara Ministrisë së Arsimit.
Ndërkohë, pas tetë ditësh protestash dhe përplasjesh, të rinjtë synojnë ta shtrijnë mobilizimin në nivel kombëtar. Përmes thirrjes për tubimin e së shtunës, ata kërkojnë pjesëmarrje masive jo vetëm nga studentët dhe të rinjtë në Shqipëri, por edhe nga diaspora shqiptare.
Protesta e 24 tetorit, e paralajmëruar për në orën 10:00 përpara Kryeministrisë, pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm i mobilizimit studentor, ndërsa mbetet për t'u parë se si do të zhvillohet tubimi pas një jave të shoqëruar me tensione dhe incidente të dhunshme. proteste tirane kaos tensione Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Një javë kaos, nis protesta te Ministria e Arsimit; e gjithë Shqipëria në këmbë 19 Tetor 2026, 12:3012:30LIVE UPDATES Tirana në kolaps/ Tym e flakë kudo, përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë 18 Tetor 2026, 19:3519:35LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Dita e gjashtë e revoltës kundër Ramës, Tirana mes gazit, molotovëve dhe përplasjeve me policinë 18 Tetor 2026, 17:1217:12LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana sërish në kaos, policia në ndjekje të protestuesve; përplasje nëpër rrugët e kryeqytetit 18 Tetor 2026, 15:3615:36LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Molotovë, gaz, ujë dhe gurë, kaos total para Kryeministrisë 17 Tetor 2026, 16:2516:25LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana kthehet në arenë përplasjesh; nga molotovët te gazi lotsjellës, kryeqyteti në kaos 17 Tetor 2026, 13:5113:51LIVE UPDATES

