Lajme Zone
Tirana pa hapësira për fëmijët, fusha sportive te Malajziani i hap rrugë një tjetër kulle
PolitikëJOQ Albania

Tirana pa hapësira për fëmijët, fusha sportive te Malajziani i hap rrugë një tjetër kulle

Një tjetër denoncim qytetar ngre shqetësimin për betonizimin dhe zhdukjen e hapësirave të përbashkëta në Tiranë.

Një tjetër denoncim qytetar ngre shqetësimin për betonizimin dhe zhdukjen e hapësirave të përbashkëta në Tiranë.

Këtëherë bëhet fjalë për një fushë sportive, e përdorur nga fëmijët dhe banorët e zonës pranë Kompleksit Malajziani te Kthesa e Kamzës, e cila pritet t’i hapë rrugën ndërtimit të një pallati të ri.

Në një video të dërguar nga një banor i zonës, shihet se hapësira sportive është rrethuar me rrjetë metalike, ndërsa në terren kanë nisur ndërhyrjet që paralajmërojnë zhdukjen e saj.

Banori shprehet i revoltuar për këtë vendim, duke theksuar se fusha ka qenë një hapësirë e rëndësishme për fëmijët dhe komunitetin, ndërsa tashmë po sakrifikohet për ndërtimin e një tjetër kulle.

Shqetësimi i tij nuk lidhet vetëm me humbjen e një ambienti sportiv dhe çlodhës, por edhe me pasojat që ndërtimi i ri do të ketë për banorët e pallateve përreth. Sipas tij, godina e re do të pengojë depërtimin e dritës së diellit, duke rënduar mëtej kushtet e jetesës, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.

“Fëmijët e mi janë rritur këtu. Kam një keqardhje të madhe. E gjithë drita e diellit do të na mbulohet”, shprehet banori nëvideon e tij.

Ai ngre gjithashtu pikëpyetje mbi të ardhmen e komunitetit, duke pyetur nëse banorët duhet të largohen nga zona apo të reagojnë për të kundërshtuar ndërtimin.

Denoncimi rikthen në vëmendje një shqetësim të përsëritur të qytetarëve të Tiranës: zëvendësimin e hapësirave sportivedhe të përbashkëta me ndërtime të reja, në një kohë kur nevoja për ambiente publike, gjelbërim dhe hapësira për fëmijët mbetet gjithnjë e më e madhe.

Banori u bën thirrje institucioneve dhe opinionit publik të reagojnë, për të mos lejuar që zhvillimi urban të vijë në kurriztë cilësisë së jetesës së qytetarëve.