Lajme Zone
Tirana dhe Parisi në flakë, Rama e Macron ‘binjakëzojnë’ përgjigjet: S’ka dorëheqje, vendimet nuk merren në rrugë
PolitikëPamfleti

Tirana dhe Parisi në flakë, Rama e Macron ‘binjakëzojnë’ përgjigjet: S’ka dorëheqje, vendimet nuk merren në rrugë

Të dy dënojnë ashpër dhunën, pranojnë se pas pakënaqësive qëndrojnë shqetësime legjitime, përpiqen të bëjnë dallimin mes protestuesve paqësorë dhe atyre që shkaktojnë trazira, ndërsa nuk japin sinjale për largim nga pushteti apo ndryshim të kalendarit zgjedhor.

Edi Rama dhe Emmanuel Macron Në aspektin politik, dy liderët shfaqin një qasje të ngjashme: protestat nuk duhet të përcaktojnë përmes presionit në rrugë fatin e institucioneve apo kalendarin zgjedhor... Nga Parisi në Tiranë, Emmanuel Macron dhe Edi Rama duket se kanë zgjedhur pothuajse të njëjtën strategji përballë protestave që kanë përfshirë vendet e tyre.

Të dy dënojnë ashpër dhunën, pranojnë se pas pakënaqësive qëndrojnë shqetësime legjitime, përpiqen të bëjnë dallimin mes protestuesve paqësorë dhe atyre që shkaktojnë trazira, ndërsa nuk japin sinjale për largim nga pushteti apo ndryshim të kalendarit zgjedhor.

Macron në fjalimin e tij për protestat dhe trazirat në Francë, dukej sikur kishte dëgjuar deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë dy ditëve të fundit.

Megjithëse përballen me situata dhe kërkesa të ndryshme, ngjashmëria mes qëndrimeve të dy liderëve është e dukshme. Si Macron, ashtu edhe Rama, vendosin në qendër të mesazhit të tyre dënimin e dhunës, ndërsa njohjen e shqetësimeve të protestuesve e shoqërojnë me thirrje për dialog dhe respektim të institucioneve.

Në fjalimin e tij, Macron përdori tone të ashpra për të përshkruar trazirat që kanë përfshirë qytetet franceze.

“Ndërtesat publike, dyqanet dhe bashkitë u sulmuan dhe në disa raste u shkatërruan. Qindra oficerë policie u plagosën”, deklaroi presidenti francez.

Ai theksoi se asgjë nuk mund ta justifikojë dhunën dhe dëmet e shkaktuara.

“Sonte të gjithë ndiejmë zemërim dhe turp. Të shohësh qytetet dhe rrugët tona të plaçkitura në këtë mënyrë është e padurueshme”, u shpreh Macron.

Por, ashtu si në qëndrimet e Ramës ndaj protestave në Shqipëri, edhe presidenti francez u përpoq të bënte një dallim të qartë mes atyre që protestojnë për kërkesat e tyre dhe personave që përfshihen në akte dhune.

“Nuk duhet t'i ngatërrojmë kurrë demonstruesit me ata që shkatërrojnë, shkaktojnë trazira dhe plaçkitin”, deklaroi Macron.

Një tjetër pikë e përbashkët është pranimi i legjitimitetit të disa prej kërkesave, pa pranuar domosdoshmërisht përgjegjësi politike për situatën. Macron pranoi se qytetarët francezë kanë shqetësime të drejta lidhur me rritjen e kostos së jetesës dhe çmimet e karburantit, por një pjesë të shkaqeve ia atribuoi zhvillimeve ndërkombëtare.

“Ka pretendime legjitime në lidhje me koston e jetesës dhe çmimin e karburantit. Shumë nga arsyet lidhen me Luftën e Gjirit Persik dhe Franca nuk ishte pjesë e saj. Por ne përballemi me pasojat”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, presidenti francez paralajmëroi masa të forta ndaj personave që kanë shkaktuar dëme gjatë protestave. Ai kërkoi vendosmëri nga prokurorët dhe theksoi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

“Ata që kanë shkatërruar dhe duhet të paguajnë për dëmet, do të përgjigjen për atë që kanë bërë”, deklaroi Macron.

Edhe në aspektin politik, dy liderët shfaqin një qasje të ngjashme: protestat nuk duhet të përcaktojnë përmes presionit në rrugë fatin e institucioneve apo kalendarin zgjedhor.

Macron iu referua zgjedhjeve presidenciale në Francë, duke theksuar se përballja politike duhet të zhvillohet përmes debatit demokratik dhe jo dhunës.

“Ky debat duhet të zhvillohet në lajme, në gazeta dhe në stacione televizive, në takime paqësore ku njerëzit flasin me njëri-tjetrin me respekt dhe kurrë në çrregullime dhe trazira”, tha presidenti francez.

Në këtë pikë, qëndrimi i Macron ngjan me atë të Ramës, i cili, sipas krahasimit të deklaratave, ka këmbëngulur në respektimin e afateve zgjedhore dhe vazhdimin e mandatit qeverisës, pavarësisht presionit të protestave.

Në fund, mesazhi politik i të dyve duket i ngjashëm: kërkesat e protestuesve edhe mund të dëgjohen, dhuna do të ndëshkohet, por vendimet për pushtetin nuk do të merren në rrugë./Pamfletimacron rama protesta Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Video/ Berisha i 'jep ushqim' Ramës të sulmojë protestën, momenti i përplasjes te selia e PD 18 Tetor 2026, 22:3422:34Aktualitet Rama nxjerr sërish fadromat, "zhvesh" bulevardin nga pllakat 18 Tetor 2026, 22:0522:05Aktualitet Rreth 200 pedagogë mbështesin largimin e Ramës, kërkojnë krijimin e një qeverie teknike 18 Tetor 2026, 21:4821:48Aktualitet Gazi lotsjellës te PD-ja, reagon Policia e Shtetit: Grupi i molotovëve u fut në seli dhe na sumoi 18 Tetor 2026, 21:4021:40Aktualitet Protestat në Tiranë, 28 të lënduar përfjnë në spital; mes tyre efektivë policie, protestues dhe gazetarë! 18 Tetor 2026, 21:2421:24Aktualitet Qetësohet situata në Tiranë pas disa orësh kaosi, policia nis shoqërimin e protestuesve 18 Tetor 2026, 21:2321:23Aktualitet