Doktor Berisha është në Amerikë dhe, për këtë arsye, Flamuri, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, mendoi se duhej të mos flinin, por të hidheshin në aksion politik. Ajo përkrahja që doktori i bënte protestës i fuste të dridhurat, kur mendonte se, përveç Ramës, protestuesit e donin edhe vetë doktorin në burg. Prandaj mendoi që, në mungesë të doktorit, të bënte një gjë të rëndësishme: të ndërtonte programin e ri politik dhe qeverisës të Partisë Demokratike, që do të udhëhiqte gjithë aksionin opozitar që këtej e tutje. Për këtë arsye thirri në sallën e madhe të SHQUP-it një mbledhje të zgjeruar, ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët e Kryesisë së PD-së dhe deputetët që nuk e kishin shoqëruar doktorin në vizitën e tij në Amerikë. Flamuri e hapi mbledhjen duke shpjeguar se Partia Demokratike nuk mund të vazhdonte vetëm me denoncime. Njerëzit donin të dinin çfarë do të bëhej me ekonominë, bujqësinë, pensionet, shëndetësinë, arsimin, mjedisin dhe administratën. Duhej një program i qartë, i thjeshtë dhe i kuptueshëm. LEXO EDHE:Iu sekuestrua vila në Palasë/ PD: SPAK t’i kërkojë sërish Kuvendit heqjen e imunitetit të Ballukut, t’i hapet rrugë arrestimit! Test për integrimin në BE Të gjithë ranë dakord. Në tavolinë kishte dosje, shënime dhe statistika. Një ekspert kishte sjellë materialin për ekonominë, një tjetër për bujqësinë, ndërsa dikush kishte përgatitur një dokument të gjatë për pensionet. Flamuri propozoi të fillonin me ekonominë. Eksperti tha se ekonomia kishte nevojë për investime, ulje të kostove, mbështetje për biznesin dhe një sistem taksash më të qëndrueshëm. Flamuri e dëgjoi deri në fund dhe pastaj tha se formulimi duhej të ishte më politik. Pas pak diskutimi u arrit në këtë përfundim: Ekonomia shqiptare do të ecë përpara me Partinë Demokratike, sepse doktor Sali Berisha më në fund mori vizë dhe shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eksperti i ekonomisë u duk sikur deshi të thoshte diçka, por Flamuri kaloi menjëherë te bujqësia. Eksperti i bujqësisë foli për subvencionet, tregun, vaditjen dhe çmimet e prodhimeve. Tha se fermerët kishin nevojë për një politikë të re që t’i ndihmonte të prodhonin dhe të shisnin. Flamuri e dëgjoi me vëmendje dhe propozoi tekstin përfundimtar: Bujqësia shqiptare do të zhvillohet me Partinë Demokratike, sepse doktor Sali Berisha do të marrë pjesë në konventën e republikanëve në Amerikë. Eksperti pyeti nëse duhej të thuhej diçka edhe për subvencionet. Flamuri mendoi se kjo mund ta zgjaste programin pa nevojë. Pastaj erdhi radha e pensioneve. Njëri nga anëtarët e Kryesisë tha se pensionet ishin shumë të ulëta dhe se duhej një skemë konkrete për rritjen e tyre. Kishte përgatitur edhe disa përllogaritje. Flamuri pa letrat dhe tha se ato mund të ruheshin për një fazë të dytë. Për programin kryesor propozoi këtë fjali: Pensionistët do të kenë një të ardhme më të sigurt me Partinë Demokratike, sepse pas shumë vitesh doktor Berisha shkoi përsëri në Amerikë. Kjo u miratua pa shumë debat. Te shëndetësia u fol për mungesën e mjekëve, largimin e infermierëve dhe gjendjen e spitaleve. Pasi dëgjoi diskutimet, Flamuri e përmblodhi kështu: Shëndetësia do të hyjë në një fazë të re me Partinë Demokratike, sepse doktor Berisha tashmë ndodhet në Shtetet e Bashkuara. Te arsimi u fol për shkollat që po zbrazen, pagat e mësuesve dhe universitetet. Në fund u vendos: Arsimi shqiptar do të ketë standarde të reja, sepse kryetari i Partisë Demokratike do të jetë i pranishëm në konventën e Partisë Republikane. Te mjedisi pati pak më shumë diskutim. Një anëtar foli për ndotjen, mbetjet urbane dhe lumenjtë. Një tjetër tha se Shqipëria kishte nevojë për një strategji të gjelbër. Flamuri propozoi një formulim që i kënaqi të gjithë: Mjedisi shqiptar do të mbrohet më mirë nga Partia Demokratike, sepse doktor Berisha ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar në Amerikë. Te turizmi u vendos se Shqipëria do të bëhej një destinacion i rëndësishëm ndërkombëtar, sepse doktor Berisha ishte rikthyer politikisht në Amerikë. Te energjia u shkrua se sektori do të reformohej, sepse prania e Berishës në SHBA tregonte se Partia Demokratike po rikthehej në marrëdhëniet e saj tradicionale me aleatët. Te administrata publike formulimi ishte edhe më i shkurtër: Administrata do të depolitizohet dhe profesionalizohet, sepse doktor Berisha mori vizën amerikane. Këtu një anëtar i Kryesisë tha se kjo fjali mund të dukej pak e fortë. Flamuri e korrigjoi: Administrata do të depolitizohet dhe profesionalizohet nën një qeverisje të Partisë Demokratike, e cila sot është më e fortë ndërkombëtarisht pas vizitës së doktor Berishës në SHBA. Ky version u konsiderua më i plotë dhe më i qartë politikisht. Më pas kaluan te pronat. Një jurist foli gjatë për regjistrimin e pronave, mbivendosjet dhe proceset gjyqësore. Flamuri e përmblodhi materialin në një fjali: Çështja e pronave do të marrë zgjidhje përfundimtare me Partinë Demokratike, sepse doktor Sali Berisha do të marrë pjesë në konventën e republikanëve amerikanë. Juristi nuk foli më. Në fund, Flamuri kërkoi të hartohej edhe një hyrje e përgjithshme për dokumentin. Pas disa propozimeve, u miratua kjo: “Partia Demokratike paraqet një program të ri politik dhe qeverisës, të mbështetur në rikthimin e saj të fuqishëm në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të dëshmuar nga vizita e kryetarit Sali Berisha në SHBA dhe pjesëmarrja e tij në konventën e republikanëve.” Flamuri e lexoi hyrjen me zë dhe pyeti nëse kishte mbetur ndonjë fushë pa u trajtuar. Njëri tha se kishte mbetur kultura. Një tjetër kujtoi sportin. Dikush tjetër përmendi pushtetin vendor. Flamuri mendoi pak dhe tha se nuk kishte pse të zgjateshin. Për të tria mund të përdorej e njëjta fjali: “Edhe në këto fusha, Partia Demokratike do të sjellë ndryshim, sepse doktor Berisha më në fund mori vizë dhe shkoi në Amerikë.” Mbledhja u mbyll. Të gjithë u larguan të kënaqur. Partia Demokratike tani kishte program të qartë për ekonominë, bujqësinë, pensionet, shëndetësinë, arsimin, mjedisin, pronat, energjinë, administratën, kulturën dhe sportin. Me këtë program dhe aksion politik, marrja e pushtetit ishte bukë me djathë. Xh.K/Shqiptarja.com TAG: Thoma Gëllçi PD sali berisha Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
7 Shtator, 07:56
Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78% Magjistratëve 16% Nuk e di 6% Vota total: 3380 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

