Toni i kryeministrit kanadez në konferencën e shtypit, ku mbajti fjalën për tërheqjen nga bisedimet tregtare midis Kanadasë dhe SHBA-së, i ngjante një alarmi luftarak: “We are under attack”. Dhe, në fakt, kjo është, në një lloj mënyre, një luftë. Me këtë prishje të bisedimeve, lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë hyri në një fazë tjetër dhe plasaritja duket e madhe. Nga 22 gushti, administrata e presidentit Donald Trump vendosi tarifa prej 50 për qind mbi rreth 20 miliardë dollarë mallra kanadeze. Kanadaja u përgjigj menjëherë: nga 8 shtatori do të vendosë tarifa ndaj mallrave amerikane, “dollar për dollar”. Në letër dhe televizor duket sikur po luftojnë dy qeveri. Në praktikë, faturën do ta paguajnë amerikanët dhe kanadezët. Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, e përmblodhi shumë qartë problemin për shtetin e saj: tarifat janë, në fakt, një rritje taksash për familjet dhe bizneset. Ato do të rrisin çmimet në dyqane dhe kostot për kompanitë, sidomos për industrinë automobilistike. LEXO EDHE:Thyen rekordin me udhëtimin pranë Hënës, ekuipazhi i Artemis II nderohet me medaljen më të lartë të nderit në SHBA Miçigani është ndoshta një nga vendet ku kjo luftë tregtare ndihet më drejtpërdrejt. Industria e makinave në të dyja anët e kufirit është ndërtuar si një industri e vetme. Një pjesë mund të prodhohet në Miçigan, të kalojë në Ontario për montim dhe të kthehet përsëri në Shtetet e Bashkuara. Kur vendos tarifë në kufi, nuk po godet “produktin kanadez”. Po rrit koston e një makine që, në fund, do ta blejë një amerikan. E njëjta gjë ndodh edhe në anën tjetër. Kanadaja ka njoftuar se do të vendosë tarifa mbi çelikun amerikan, produktet e qumështit, pajisjet shtëpiake, makineritë bujqësore, letrën dhe elektronikën. Këto tarifa do të paguhen fillimisht nga importuesit kanadezë, por një pjesë e kostos do të kalojë te konsumatori. Pra, mekanizmi është i thjeshtë. Qeveritë vendosin tarifat, bizneset përballen me kostot dhe qytetarët i gjejnë ato në çmimet e produkteve. Administrata Trump thotë se Kanadaja ka përfituar për shumë vite nga marrëdhënia tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe se presioni ekonomik është i nevojshëm për të arritur një marrëveshje më të drejtë. Pala kanadeze thotë të kundërtën. Kryeministri Mark Carney deklaroi se kushtet e reja të paraqitura nga Uashingtoni në fund të negociatave ishin ekonomikisht të papranueshme dhe kufizonin aftësinë e Kanadasë për të lidhur marrëveshje tregtare me vende të tjera. Këtu mosmarrëveshja nuk është më vetëm për tarifat. Është edhe për mënyrën se si dy vendet e shohin marrëdhënien mes tyre Për dekada, SHBA-ja dhe Kanadaja kanë ndërtuar një nga marrëdhëniet ekonomike më të integruara në botë. Kanadaja dërgon afro 70 për qind të eksporteve të saj në tregun amerikan. Miliona vende pune në të dyja vendet varen nga tregtia ndërkufitare. Prandaj, një luftë tarifash mes tyre nuk ngjan me një konflikt tregtar mes dy vendeve të largëta. Është më shumë si të vendosësh një taksë në korridorin që lidh dy dhoma të së njëjtës shtëpi. Dhe pasoja nuk është vetëm ekonomike. Carney tha se Kanadaja duhet të pranojë një realitet të ri: “Amerika ka ndryshuar”. Kanadaja po kërkon të zgjerojë marrëdhëniet tregtare dhe strategjike me vende të tjera, pikërisht për të zvogëluar varësinë nga tregu amerikan. Kjo është ndoshta pasoja më e rëndësishme afatgjatë e politikës së tarifave. Kjo është edhe pasoja më e keqe dhe më e vështirë për t’u riparuar. Trump kërkon të përdorë madhësinë e ekonomisë amerikane për të detyruar partnerët të pranojnë kushte më të favorshme për SHBA-në. Kjo mund të sjellë edhe ndonjë rezultat. Por, nëse partnerët arrijnë në përfundimin se tregu amerikan është bërë i paparashikueshëm, ata do të fillojnë të kërkojnë tregje dhe aleanca të tjera. Kanadaja nuk e zëvendëson dot Amerikën brenda natës. As Amerika nuk mund të shkëputë lehtësisht zinxhirët ekonomikë që ka ndërtuar për dekada me Kanadanë. Gjeografia është kjo që është dhe fabrikat nuk zhvendosen me një deklaratë. Por besimi mund të ndryshojë shumë shpejt. Një tarifë hiqet me një firmë. Një marrëdhënie ekonomike rindërtohet me një marrëveshje të re. Por besimi mes dy vendeve, pasi humbet, kërkon shumë më tepër kohë. Ndërkohë, faturat vazhdojnë të vijnë. Kur Gjykata e Lartë Amerikane i shpalli të paligjshme tarifat e vendosura nga Trump, qeveria federale u detyrua të kthejë me miliarda dollarë tek kompanitë që kishin paguar tarifa. Por kompanitë nuk kthyen ndonjë qindarkë tek konsumatori, tek ai që i kishte paguar realisht. Dhe ky është rregulli më i thjeshtë i luftërave tregtare: qeveritë i shpallin, bizneset i përballojnë dhe, në fund, faturën e paguan populli që punon. P.J/SI.E./Shqiptarja.com TAG: Mark Carney kanada SHBA donald trump Tarifat Doganore te Trump Thoma Gëllçi Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (4 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
23 Gusht, 08:55
Si po menaxhohet situata me zjarret? Mirë 64% Keq 28.8% Nuk e di 7.2% Vota total: 642 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 23 Gusht, 08:55 Si po menaxhohet situata me zjarret?

