Për disa nuk ka asnjë dyshim se Arlind Qorri është komunist dhe se partia që ai drejton, “Lëvizja Bashkë”, është një parti marksiste. Madje, për ta nuk ka nevojë as për programe, as për analiza dhe as për shumë argumente. Arlindi mban syze dhe, meqë edhe Qemal Stafa mbante syze, ngjashmëria është më se e mjaftueshme për të nxjerrë përfundimin: Qorri është komunist, “Lëvizja Bashkë” është marksiste dhe qëllimi i tyre i fshehtë është të përmbysin kapitalizmin e të vendosin komunizmin në Shqipëri. Në këtë lloj arsyetimi, syzet vlejnë më shumë se programi politik. Por a mund të gjykohet një parti politike vetëm nga etiketat që i vendosin kundërshtarët? Kur një parti paraqet një program qeverisës prej 177 faqesh, mënyra më e drejtë është të shohësh se çfarë shteti, çfarë ekonomie dhe çfarë shoqërie propozon të ndërtojë. Nuk e fsheh se m’u desh të harxhoja kohë për t’u marrë me këtë punë dhe i vlerësoj hartuesit e këtij programi, pavarësisht nga përmbajtja apo sa përputhet ai me mendimet e mia. LEXO EDHE:Ylli Pata: Fjalëkryqi politik i Tiranës Programi qeverisës i Lëvizjes BASHKË është ndërtuar mbi katër shtylla të mëdha: shteti zhvillimor, shteti social, shteti i së drejtës dhe pjesëmarrja demokratike. Brenda tyre trajtohen industria, bujqësia, infrastruktura, energjia, turizmi, taksat, pensionet, shëndetësia, arsimi, strehimi, mjedisi, puna, media, kultura, politika e jashtme dhe integrimi evropian. Pikërisht kjo të jep mundësinë të verifikosh nëse kemi përpara një projekt për përmbysjen e kapitalizmit apo një projekt të majtë për ndryshimin e mënyrës se si funksionon kapitalizmi shqiptar. Për t’iu përgjigjur pyetjes duhet më parë të sqarojmë se çfarë do të quanim një program marksist në kuptimin politik të fjalës. Nuk mjafton të kërkosh taksa progresive, sindikata të forta, pensione më të larta, shëndetësi publike apo ndërmarrje shtetërore. Përndryshe një pjesë e mirë e Evropës Perëndimore do të duhej shpallur marksiste. Pyetja themelore është tjetër: a kërkohet që prona private mbi kapitalin dhe mjetet e prodhimit duhet të jetë e shtetit apo e privatit? A kërkohet zëvendësimi i ekonomisë së tregut me një sistem tjetër ekonomik? A trajtohet sipërmarrja private si institucion që duhet zhdukur, apo si pjesë e ekonomisë që duhet rregulluar, taksuar dhe vënë në konkurrencë? Kur programi lexohet me këtë kriter, përgjigjja fillon të bëhet e qartë. Shtet i fortë, por brenda ekonomisë së tregut Lëvizja BASHKË është pa dyshim për një shtet shumë më të fuqishëm ekonomikisht nga ai që kemi sot. Ajo kundërshton idenë neoliberale se tregu duhet lënë sa më shumë në punën e vet dhe se shteti duhet të kufizohet kryesisht te rregullimi. Programi kërkon shtet që investon, prodhon, krediton, kontrollon pasuritë strategjike dhe orienton zhvillimin ekonomik. Në sektorin minerar dhe të naftës propozohet forcimi i kontrollit shtetëror, rinegocimi i kontratave me kompanitë private, krijimi i kompanive publike, Fondi Sovran dhe Banka Zhvillimore. Kjo është një ndër pjesët më të majta të programit. Por fjalia që vjen menjëherë pas propozimit për kompani publike është shumë domethënëse: ato krijohen për të “rritur konkurrueshmërinë në treg”. Banka Zhvillimore, nga ana tjetër, duhet të financojë “bizneset prodhuese”, ndërsa obligacionet e saj mund të blihen nga individë, biznese dhe banka private. Programi kërkon gjithashtu bashkëpunim me Bankën Botërore dhe BERZH-in. Këtu kemi shtet aktiv brenda tregut, jo shtet që e zëvendëson tregun. Edhe Fondi Sovran, i frymëzuar nga modeli norvegjez, nuk propozohet si një arkë ku shteti grumbullon kapitalin për të administruar të gjithë ekonominë. Të ardhurat e tij parashikohet të investohen në bursë, në bono thesari dhe në pasuri të paluajtshme, madje mundësisht jashtë Shqipërisë. Është e vështirë ta paraqesësh investimin e një fondi shtetëror në bursë si projekt për zhdukjen e kapitalizmit. Programi shkon shumë larg në sektorët strategjikë. Për naftën kërkon rinegocimin e kontratës me Bankers Petroleum, kontroll më të madh të shtetit dhe rritjen e tatimit mbi fitimin nga 50 në 60 për qind. Në miniera kërkon kompani shtetërore dhe propozon edhe një kombinat metalurgjik ku shteti do të zotëronte 51 për qind të aksioneve. Por edhe aty parashikohet bashkëpunimi me investitorë të huaj dhe, njëkohësisht, lehtësimi i barrës tatimore për kompanitë që investojnë në teknologji, kredi të buta dhe shkurtim të procedurave për licencat private. Ky që propozohet nuk është modeli i pronës shtetërore. Është model i ekonomisë së përzier ku shteti kërkon të jetë pronar dhe aktor i fuqishëm në sektorët strategjikë, duke bashkëjetuar dhe konkurruar me kapitalin privat. Prona private nuk zhduket; përkundrazi, në bujqësi kërkohet të garantohet Një provë edhe më e drejtpërdrejtë gjendet te bujqësia. Po të kishim një program për kufizimin e pronës private, toka do të ishte një prej vendeve ku kjo do të shfaqej më qartë. Ndodh e kundërta. Programi e quan “pronësinë e tokës” një prej pikave kryesore të modernizimit të bujqësisë dhe kritikon faktin se shumë fermerë nuk kanë certifikatë pronësie. Pasoja, thuhet në program, është se pronarët nuk mund ta japin tokën me qira, ta shesin apo të aplikojnë për subvencione. Pra programi kërkon pikërisht funksionimin juridik të pronës: regjistrimin e saj, shitjen, qiranë dhe përdorimin ekonomik. Mund të diskutohet sa e madhe duhet të jetë ndërhyrja shtetërore në bujqësi, sa subvencione duhen dhënë apo sa duhet nxitur bashkimi i fermerëve në shoqëri bashkëpunimi. Por nuk mund të thuhet se kemi përpara një program që kërkon shfuqizimin e pronës private mbi tokën. Edhe ndërtimi sulmohet për mungesë tregu, jo për ekzistencën e tregut Në kapitullin e ndërtimit gjuha ndaj oligarkëve është e ashpër. Programi kërkon veting të kompanive, konfiskim të pasurive kur provohet lidhja me krimin, ndalimin e PPP-ve infrastrukturore dhe abrogimin e ligjit për investimet strategjike. Në energji kërkon investime publike dhe pronësi shtetërore mbi projekte të rëndësishme. Por arsyeja që programi jep për problemet e ndërtimit është domethënëse. Ai kritikon “mungesën e konkurrencës së lirë në treg”, sepse sektori është përqendruar në pak duar. Dhe si zgjidhje propozon “nxitjen e konkurrencës së ndershme” dhe politika fiskale që lehtësojnë barrën e subjekteve më të vogla. Një program që kërkon konkurrencë të lirë dhe hyrjen e sipërmarrjeve të reja në treg nuk po propozon zhdukjen e tregut. Ai po propozon një treg më të rregulluar dhe me më shume konkurence.. Taksat janë të majta, por fitimi privat mbetet Kapitulli fiskal është ndoshta pjesa ku karakteri i majtë i Lëvizjes BASHKË shfaqet më qartë. Synohet rritja graduale e të ardhurave publike deri në 33 për qind të PBB-së, luftë kundër informalitetit dhe evazionit dhe heqje e privilegjeve fiskale për kategori të caktuara sipërmarrësish. Tatimi mbi të ardhurat personale propozohet me pesë fasha: zero për pagën minimale prej 60 mijë lekësh dhe deri në 35 për qind për pjesën e të ardhurave mbi 400 mijë lekë në muaj. Dividendi propozohet të tatohet 15 për qind. Për bizneset propozohet tatim i diferencuar prej 10, 15 dhe 20 për qind, me norma më të larta për sektorët financiarë dhe spekulativë. Por këtu gjendet edhe një detaj që rrëzon një pjesë të mirë të argumentit se Lëvizja Bashkë është kundër kapitalit privat: për investimet që rrisin kapacitetin teknologjik, produktivitetin dhe e ngjitin ekonominë shqiptare në zinxhirin global të vlerës, Lëvizja BASHKË propozon tatim-fitimi vetëm 3 për qind. Pra fitimi privat nuk konsiderohet diçka që duhet eliminuar. Përkundrazi, një lloj i caktuar kapitali privat kërkohet të nxitet me një normë tatimore pothuajse simbolike. Kundërshtari i programit nuk është sipërmarrja në vetvete, por kapitali monopolist, spekulativ, rentier dhe i lidhur me pushtetin. Ky është dallim shumë i rëndësishëm. Shteti social është modeli që programi shpall hapur Në vend që të premtojë një rend ekonomik pas kapitalizmit, programi emërton vetë modelin që dëshiron: shtetin social. Dhe nuk e kërkon modelin te një eksperiment revolucionar, por te përvojat e Evropës Veriore, Evropës Qendrore e Perëndimore dhe vendeve anglo-saksone. Madje thotë shprehimisht se synon të ndërthurë “aspektet më përparimtare” të këtyre tri modeleve. Pensionet duhet të rriten, minimumi jetik duhet të bëhet pikë reference dhe skema publike duhet forcuar. Programi është kundër shndërrimit të detyrueshëm të pensioneve në skema private, por nuk propozon ndalimin e pensioneve private. Përkundrazi, njeh ekzistencën e shtyllës private vullnetare dhe faktin se një pjesë e sistemit mund të administrohet publikisht ose privatisht. Në shëndetësi programi është dukshëm i majtë. Frymëzohet drejtpërdrejt nga NHS britanik dhe parimi që shërbimi duhet të jetë falas në momentin e përfitimit dhe të varet nga nevoja shëndetësore, jo nga aftësia e pacientit për të paguar. Ai kundërshton koncesionet dhe transferimin e fondeve publike drejt spitaleve fitimprurëse private. Por NHS është krijuar dhe ka funksionuar për dekada në një prej ekonomive kapitaliste më të zhvilluara të botës. Shëndetësia publike universale është politikë socialdemokrate apo e së majtës demokratike; nuk është në vetvete provë e marksizmit. E njëjta logjikë shfaqet në arsim. Arsimi konsiderohet “e mirë publike”, financimi publik propozohet të rritet nga 2.9 në të paktën 4 për qind të PBB-së dhe për reformimin e sistemit parauniversitar merret si pikë referimi modeli finlandez. Për arsimin e lartë synohet gradualisht universitet publik falas, por laboratorët e universiteteve publike mund të ofrojnë edhe shërbime për palë të treta kundrejt pagesës. Në strehim banesa trajtohet si e drejtë sociale, por vetë programi analizon kërkesën dhe ofertën në tregun e banesave dhe pranon shprehimisht rolin e “aktiviteteve të sektorit privat” në ofertë. Edhe këtu kemi ndërhyrje shtetërore në një treg që vazhdon të ekzistojë, jo eliminimin e tij. Puna dhe sindikatat: këtu ndihet më shumë e majta Nëse ka një kapitull ku mund të gjenden më shumë gjurmë të traditës socialiste dhe të kritikës marksiste, ai është kapitulli për punën. Programi e vendos punën në qendër të krijimit të pasurisë, kërkon pagë minimale 60 mijë lekë, forcim të Inspektoratit të Punës, mbrojtje më të fortë nga pushimi arbitrar, zgjerim të së drejtës së grevës dhe lehtësim të krijimit të sindikatave. Por, në të njëjtin kapitull, kërkon edhe “politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit” dhe mbështetje për sipërmarrjet prodhuese që investojnë në teknologji. Edhe propozimi më radikal, krijimi i Këshillave të Punëtorëve në sipërmarrjet e mesme dhe të mëdha, nuk merret nga modeli sovjetik. Programi thotë shprehimisht se mbështetet te modeli gjerman i bashkëmenaxhimit dhe e përcakton qëllimin si vendosje të një ekuilibri “mes interesave të sipërmarrjeve dhe interesave të punëtorëve”. Kur lexova këtë, thashë: “Prit, çfarë është ky Këshill Punëtorësh që propozon kjo parti? Këtu më ra pak era si socializëm.” Atëherë bëra një kërkim nëse këto “këshilla punëtorësh” ishin edhe në vende të tjera. Dhe ja çfarë doli: “Në Gjermani ekziston Betriebsrat, që mund të përkthehet Këshilli i Punëtorëve ose Këshilli i Ndërmarrjes. Ai zgjidhet nga punonjësit e një ndërmarrjeje dhe, ndryshe nga sindikata, përfaqëson punonjësit e vendit të punës pavarësisht nëse janë apo jo anëtarë sindikate. Sipas ligjit gjerman, në ndërmarrjet me të paktën pesë punonjës që plotësojnë kushtet ligjore mund të krijohet një këshill i tillë. Ai ka të drejta informimi, konsultimi dhe, në disa fusha, bashkëvendimmarrjeje me punëdhënësin.” Edhe vende të tjera evropiane kanë institucione të ngjashme. Holanda, për shembull, ka ondernemingsraad: në ndërmarrjet me më shumë se 50 punonjës krijohet një këshill i përbërë vetëm nga përfaqësues të punonjësve, me të drejta të gjera informimi, konsultimi dhe disa kompetenca vendimmarrëse. Austria ka gjithashtu sistemin e Betriebsrat, të ndarë institucionalisht nga sindikatat. Forma të përfaqësimit të punonjësve në nivel ndërmarrjeje ekzistojnë gjithashtu në Francë dhe në shumë vende të BE-së. Vetë legjislacioni evropian njeh dhe rregullon të drejtat e punonjësve për informim dhe konsultim. Prandaj, ky propozim në vetvete nuk mund të përdoret si argument se Lëvizja BASHKË është marksiste. Përkundrazi, modeli që ajo citon është një institucion i vendosur prej dekadash brenda ekonomisë sociale të tregut gjermane, ku pronësia private, kompanitë private, investitorët dhe tregu vazhdojnë të ekzistojnë. Ideja është që punëtorët të kenë një zë institucional përballë pronarit dhe drejtimit të kompanisë, jo që punëtorët të marrin pronësinë e kompanisë ose të eliminohet kapitali privat. Turizmi, mjedisi dhe biznesi privat Në turizëm programi kritikon oligarkizimin, ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe modelin e zhvillimit masiv. Por nuk kërkon turizëm shtetëror. Flet vazhdimisht për sipërmarrjet turistike, operatorët, strukturat akomoduese, të vetëpunësuarit dhe nevojën që profesionistët të trajnohen “në përputhje me kërkesat e tregut dhe standardet ndërkombëtare”. Madje kritikon qeverinë sepse favorizimi i oligarkëve vendas ka sjellë “mbyllje të tregut” ndaj investimeve të huaja me përvojë. Politikat mjedisore janë ndërhyrëse dhe rregullatore, por bazohen te analiza e kostos dhe përfitimit, te vlerësimi monetar i eksternaliteteve dhe te praktikat e Bashkimit Evropian. Edhe sporti shihet kryesisht si shërbim publik që kërkon infrastrukturë, financim dhe mbështetje për fëmijët dhe sportistët. Këto janë tipare të një shteti social aktiv, jo kritere që përcaktojnë një sistem marksist. Demokracia dhe shteti i së drejtës nuk trajtohen si etapa kalimtare Një tjetër element i rëndësishëm është modeli politik. Programi nuk e trajton demokracinë liberale si një formë të përkohshme të pushtetit borgjez që duhet kapërcyer dhe ndryshuar. Përkundrazi, deklaron: “Demokracia është e vetmja mënyrë e ndershme dhe efikase qeverisëse.” Kërkon zgjerimin e demokracisë përfaqësuese me referendumet, iniciativat qytetare dhe pjesëmarrjen më të madhe në vendimmarrje. Për referendumet kombëtare propozon uljen e pragut në 30 mijë firma dhe për nismat ligjore qytetare në 10 mijë. Shteti i së drejtës përkufizohet përmes ndarjes dhe balancimit të pushteteve, kushtetutës demokratike, institucioneve të pavarura dhe pavarësisë së gjyqësorit. Në kapitullin e antikorrupsionit programi shkon deri aty sa akuzon oligarkinë dhe krimin se kanë deformuar “parimet e një ekonomie të shëndetshme tregu”. Shprehja është e rëndësishme. Nëse objektivi do të ishte eliminimi i ekonomisë së tregut, vështirë se “ekonomia e shëndetshme e tregut” do të paraqitej si diçka që duhet restauruar dhe mbrojtur. Media dhe teknologjia: përsëri modeli evropian Në media, Lëvizja BASHKË kërkon kufizimin e përqendrimit të pronësisë, por jo shuarjen e medias private. Përkundrazi, programi flet për diversifikimin e tregut të medias, hyrjen e operatorëve të rinj, modele alternative biznesi, truste, fondacione dhe financim përmes abonimeve. Për rregullimin ligjor merr si pikë referimi European Media Freedom Act, Digital Services Act dhe Digital Markets Act të Bashkimit Evropian. Në fushën digjitale propozon auditimin e sistemeve të inteligjencës artificiale, mbrojtjen nga diskriminimi algoritmik dhe njohjen e internetit si të drejtë sociale. Edhe këtu kemi një agjendë progresive evropiane, jo ndonjë projekt për kontroll total të informacionit nga shteti. Politika e jashtme e bën edhe më të vështirë etiketën marksiste Politika e jashtme është ndoshta prova më e qartë se programi nuk është ndërtuar si një projekt për shkëputjen e Shqipërisë nga rendi politik dhe ekonomik perëndimor. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian quhet “prioritet strategjik”. Programi kërkon forcimin e institucioneve të pavarura, të drejtave të njeriut, reformave ekonomike dhe shtetit social pikërisht si pjesë e procesit të integrimit. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara cilësohen komponent i rëndësishëm i politikës së jashtme dhe kërkohet forcimi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare me botën. Në siguri kërkohet modernizimi i forcave të armatosura dhe “rritja e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s”. Për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë programi shkon edhe më tej, duke kërkuar eliminimin e barrierave tregtare dhe krijimin e një hapësire ku “lëvizja e forcës punëtore, kapitalit dhe mallrave është tërësisht e lirë”. Lëvizja e lirë e kapitalit dhe mallrave, integrimi në tregun evropian, investimet e huaja dhe bashkëpunimi ekonomik me SHBA-në janë shumë larg idesë së braktisjes së ekonomisë kapitaliste. Atëherë, çfarë është lëvizja bashkë? Nëse me “parti marksiste” kuptojmë një parti që kërkon ndryshimin e kapitalizmit si sistem, heqjen e pronësisë private mbi mjetet kryesore të prodhimit dhe zëvendësimin e ekonomisë së tregut me një rend ekonomik tjetër, programi qeverisës i Lëvizjes BASHKË nuk e mbështet këtë përkufizim. Programi është qartësisht i majtë dhe në disa fusha është më radikal se socialdemokracia tradicionale. Ai kërkon pronësi publike më të madhe në pasuritë strategjike, kompani shtetërore, bankë zhvillimore, fond sovran, taksim progresiv, sindikata të forta, këshilla punëtorësh, shëndetësi dhe arsim publik të fuqishëm, strehim më të përballueshëm dhe një shtet social shumë më të gjerë. Por në të njëjtën kohë programi njeh dhe mbron pronën private, kërkon certifikimin e pronësisë së tokës, pranon shitjen dhe dhënien e saj me qira, kërkon konkurrencë të lirë e të ndershme, mbështet biznesin e vogël dhe sipërmarrjen prodhuese, favorizon me tatim 3 për qind investitorin privat që sjell teknologji, kërkon investime të huaja, përdor bursën si instrument investimi, pranon bankat private, flet për një “ekonomi të shëndetshme tregu” dhe kërkon lëvizjen e lirë të kapitalit dhe mallrave. Për më tepër, modeli i tij politik mbetet demokracia pluraliste, shteti i së drejtës, NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Prandaj përkufizimi më i saktë që del nga ky program nuk është “parti Lëvizja Bashkë nuk është një parti marksiste që kërkon të rrëzojë kapitalizmin”. Sipas programit ajo është një parti e së majtës demokratike, me elemente të socializmit demokratik dhe socialdemokracisë evropiane, që propozon një ekonomi të përzier dhe një shtet zhvillimor e social shumë më të fortë. Kjo nuk do të thotë se programi është i drejtë, që të më pëlqejë mua apo që duhet t’u pëlqejë të gjithëve, apo se të gjitha masat e tij janë ekonomikisht të realizueshme. Unë personalisht dyshoj se një shtet shqiptar me institucionet që kemi sot do të ishte në gjendje të administronte me sukses kaq shumë ndërmarrje dhe instrumente publike. Këto janë debate të tjera dhe programi mund e duhet të kritikohet pikërisht aty: sa kushton, çfarë rreziku krijon zgjerimi i pronësisë shtetërore, sa efikase do të ishte Banka Zhvillimore, a do të largonte kapital taksimi i propozuar dhe a ka administrata shqiptare aftësinë të zbatojë gjithë këtë arkitekturë. Por ky debat duhet bërë mbi atë që programi thotë realisht. Ta quash Lëvizjen BASHKË “marksiste” dhe me këtë të nënkuptosh se programi i saj synon të heqë pronën private dhe ekonominë kapitaliste është më shumë etiketë e luftes se pandershme politike sesa përshkrim i dokumentit që vetë kjo parti ka paraqitur për të qeverisur Shqipërinë. Mendoj se këto etiketime janë më tepër një strategji e Partisë Socialiste, e cila, në shkarjen e saj djathtas, rrezikohet seriozisht nga zëvendësimi i saj në spektrin e majtë nga Lëvizja Bashkë. Dhe, për t’iu përgjigjur pyetjes që është në titullin e shkrimit, Lëvizja “Bashkë”, nisur nga programi i saj, nuk është një parti marksiste, pavarësisht se kryetari i saj, Arlind Qorri, mban syze, siç mbante edhe Qemal Stafa. Xh.K/Shqiptarja.com TAG: Thoma Gëllçi Lëvizja Bashkë arlind qori Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (4 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
24 Gusht, 21:21
Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.2% Keq 33.5% Nuk e di 14.3% Vota total: 651 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?

