Lajme Zone
Thika i mori një sy, por jo jetën: Salman Rushdie dhe historia e rikthimit pas sulmit
KulturëPamfleti

Thika i mori një sy, por jo jetën: Salman Rushdie dhe historia e rikthimit pas sulmit

Bashkëshorti i saj, shkrimtari Salman Rushdie, ishte sulmuar gjatë një aktiviteti publik rreth 640 kilometra larg. Griffiths ndezi televizorin dhe pa pamje të paqarta të kaosit në skenë, ndërsa njerëzit vraponin për të ndihmuar.

Eliza Griffiths, Salman Rushdie dhe Alex Gibney Katër vjet pas sulmit me thikë që për pak i mori jetën, Salman Rushdie përballet përsëri me atë që i ndodhi. Dokumentari i ri “Knife: The Attempted Murder of Salman Rushdie” sjell pamje të filmuara nga bashkëshortja e tij në spital, rikthehet te fetvaja e vitit 1989 dhe ndjek rrugën e gjatë të shkrimtarit nga plagët e rënda deri te rikuperimi. Rachel Eliza Griffiths ishte në shtëpinë e saj në Nju Jork, duke pirë filxhanin e dytë të kafesë një mëngjes gushti të vitit 2022, kur telefoni i ra. Në anën tjetër ishte një mike e alarmuar.

Bashkëshorti i saj, shkrimtari Salman Rushdie, ishte sulmuar gjatë një aktiviteti publik rreth 640 kilometra larg. Griffiths ndezi televizorin dhe pa pamje të paqarta të kaosit në skenë, ndërsa njerëzit vraponin për të ndihmuar.

Rushdie ishte goditur disa herë me thikë dhe po luftonte për jetën.

Griffiths siguroi me urgjencë një avion për të shkuar në spital. Në ato orë nuk e dinte ende nëse bashkëshorti i saj do të mbijetonte.

Pak ditë më vonë, ndërsa mjekët vazhdonin trajtimin, poetja dhe fotografja mori kamerën dhe nisi të regjistronte atë që po ndodhte.

Fillimisht, ideja e Rushdie-t kishte qenë shumë më modeste. Kur u bë e qartë se kishte gjasa të mbijetonte, ai i sugjeroi bashkëshortes që ta dokumentonin rikuperimin, ndoshta me një fotografi në telefon çdo dy ditë.

Por Griffiths vendosi të përdorte një kamerë të mirëfilltë.

Ajo kujton se qau kur mbërriti kutia me pajisjen. Kamera, thotë ajo, e rilidhi me identitetin e saj si artiste në një moment kur jeta që kishte njohur deri një ditë më parë dukej sikur ishte zhdukur.

Pamjet e regjistruara prej saj u shndërruan më vonë në një nga shtyllat kryesore të dokumentarit “Knife: The Attempted Murder of Salman Rushdie”, të realizuar nga dokumentaristi fitues i çmimit Oscar, Alex Gibney. Filmi nuk e zbut realitetin e ditëve pas sulmit. Ai e tregon Rushdie-n në spital, ndërsa mjekët përpiqen të trajtojnë plagët e shumta dhe dëmtimet e rënda. Një nga pasojat më të rënda ishte dëmtimi i syrit të djathtë, në të cilin shkrimtari humbi shikimin.

Pikërisht syri i dëmtuar shfaqet vazhdimisht në pamjet e Griffiths.

Për të, kamera u bë një mënyrë për të përballuar një realitet që në ato momente dukej i pabesueshëm.

“Ky nuk mund të jetë duke na ndodhur neve”, kujton ajo se mendonte.

Por kishte edhe një kundërshti të fortë: ajo vetë mund të mos e pranonte atë që po ndodhte, ndërsa kamera e regjistronte pa mëshirë.

“Është e vërtetë, sepse mund ta shoh në kamerë”, thotë Griffiths. Parisi hap historinë që arti la jashtë: 70 veprat e Kerry James Marshall

18 Shtator, 12:53 Ajo filmonte gjatë ditës dhe kalonte netët në dhomën e spitalit. Në të njëjtën kohë përpiqej të mos ia tregonte Rushdie-t frikën e saj dhe nuk e lejonte të shihte se si dukej pas sulmit.

Vetë Griffiths e regjistroi ankthin e saj në një monolog të përlotur përpara kamerës.

Vetëm pasi Rushdie u lejua të kthehej në shtëpi, ajo e pyeti nëse dëshironte të shihte materialin.

Të dy i panë pamjet së bashku. Për shkrimtarin, përballja me imazhin e vet pas sulmit ishte tronditëse.

“Dukesha shumë më keq nga sa mendoja. Dëmtimet ishin shumë më të rënda nga sa i kisha imagjinuar”, thotë ai. Por më pas erdhi një ndjesi tjetër. Rushdie pa njeriun e plagosur rëndë në ekran dhe kuptoi se nuk dukej më ashtu.

“Dhe pastaj u ndjeva mjaft i kënaqur, sepse mendova: nuk dukem më ashtu. Tani dukem kështu.”

Për të, pamjet që fillimisht dokumentonin dëmtimin nisën të dokumentonin edhe rikuperimin.

Por dokumentari nuk kufizohet vetëm te sulmi i vitit 2022.

Alex Gibney vendosi ta lidhë atë me historinë që kishte nisur 33 vjet më parë, pas publikimit të romanit të katërt të Rushdie-t, “The Satanic Verses”.

Në vitin 1989, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, shpalli një fetva që kërkonte vrasjen e Rushdie-t dhe të botuesve të tij për atë që konsiderohej blasfemi ndaj Islamit.

Shkrimtari, atëherë 41 vjeç, u detyrua të fshihej. Për nëntë vjet jetoi nën mbrojtje të armatosur.

Pas fetvasë, dhuna e lidhur me polemikat rreth librit mori përmasa ndërkombëtare.

Në Shtetet e Bashkuara, zyra e gazetës Riverdale Press u sulmua me bombë zjarri pasi botoi një editorial në mbrojtje të lirisë së shprehjes. Në Pakistan, gjashtë persona u vranë gjatë trazirave. Në Japoni, një nga përkthyesit e Rushdie-t u vra me thikë, ndërsa në Itali një tjetër përkthyes u sulmua në shtëpinë e tij.

Në Londër, protestuesit parakaluan nëpër rrugë me një figurë të gjymtuar që paraqiste Rushdie-n, ndërsa disa prej tyre deklaronin para kamerave se kërkonin varjen e tij.

Gibney thotë se, kur nisi të kërkonte materialet arkivore për fetvanë, edhe ai u befasua nga përmasat që kishte marrë çështja në atë kohë.

Rushdie, megjithatë, fillimisht nuk dëshironte që filmi të rikthehej kaq shumë te ajo periudhë.

Ai nuk dëshiron që krijimtaria dhe jeta e tij të përcaktohen nga fetvaja. Për Rushdie-n, autori i sulmit të vitit 2022 ishte një individ dhe ai nuk dëshiron domosdoshmërisht ta shohë atë si përfaqësues të një fenomeni më të gjerë.

Gibney e kupton kundërshtimin e tij, por argumenton se publiku duhej të shihte përmasën globale të asaj që kishte ndodhur pas vitit 1989.

Filmi sjell edhe një paralajmërim të bërë shumë vite më parë nga historiani palestinezo-amerikan Edward Said. Said kishte parashikuar se rreziku më i madh për Rushdie-n mund të mos vinte menjëherë nga një fanatik fetar, por shumë më vonë, nga një individ i rastësishëm.

Kjo është pikërisht lidhja që dokumentari përpiqet të krijojë mes viteve 1989 dhe 2022: një kërcënim që dukej se i përkiste së kaluarës përfi me një sulm fizik më shumë se tri dekada më vonë.

Në vitet para sulmit, edhe vetë Rushdie kishte filluar të mendonte se rreziku ishte zbehur.

Për rreth dy dekada ai kishte marrë pjesë në qindra aktivitete publike në vende të ndryshme të botës pa incidente. Madje, tre vjet para sulmit, gjatë një aktiviteti në Oksford, ishte habitur kur kishte parë policë me rroba civile në hyrje dhe kishte pyetur pse masa të tilla vazhdonin të konsideroheshin të nevojshme.

Më 2022, në Chautauqua, në veri të shtetit të Nju Jorkut, situata ishte e kundërt.

Rushdie thotë se në sallën ku do të fliste nuk kishte asnjë mbrojtje sigurie. Pikërisht aty agresori arriti të ngjitej në skenë dhe ta sulmonte.

Shkrimtari tani e vë në pikëpyetje hapur mungesën e sigurisë.

Dokumentari sjell gjithashtu një rastësi që, parë pas sulmit, merr një kuptim tjetër.

Natën përpara se të sulmohej, Rushdie ishte i lumtur. Ishte i dashuruar dhe sapo kishte përfunduar korrigjimet përfundimtare të romanit të tij të ardhshëm, “Victory City”, që do të botohej në vitin 2023.

Nga ballkoni i hotelit ai fotografoi Hënën dhe ia dërgoi imazhin Griffiths.

Më vonë, në librin e tij “Knife”, Rushdie do ta përshkruante veten atë natë si një njeri që qëndronte në errësirë, pa e ditur se rreziku ndodhej tashmë shumë pranë.

“E ardhmja vërsulet drejt tij ndërsa ai fle”, shkroi ai, përpara se të shtonte se, në të vërtetë, ajo që po kthehej ishte e shkuara e tij: “një burrë i maskuar me thikë”, që kërkonte të zbatonte një urdhër vrasjeje të dhënë tri dekada më parë.

Filmi përdor edhe një imazh nga filmi klasik i Georges Méliès, “Le Voyage dans La Lune” i vitit 1902, ku një anije kozmike godet syrin e Hënës. Rushdie e përshkruan me ironi këtë si një rast të “paralajmërimit” letrar të asaj që do të vinte.

Përtej dhunës, dokumentari është edhe historia e marrëdhënies mes Rushdie-t dhe Griffiths.

Ata kishin pesë vjet së bashku kur ndodhi sulmi. Ishin njohur në mbrëmjen e hapjes së një festivali që Rushdie kishte bashkëthemeluar dhe drejtonte për organizatën e shkrimtarëve PEN.

Megjithëse nuk e fshihnin lidhjen, ata e kishin mbajtur jetën private larg vëmendjes së publikut. Në momentin e sulmit, shumë njerëz jashtë rrethit të familjes dhe miqve të tyre nuk e dinin se ishin martuar.

Sulmi e riktheu Rushdie-n menjëherë në qendër të vëmendjes botërore dhe, njëkohësisht, e vendosi Griffiths për herë të parë përballë saj.

Ajo kujton avionin me të cilin po udhëtonte drejt spitalit dhe momentin kur pa pistën e mbushur me forca të rendit. Atëherë e kuptoi përmasën e realitetit të ri me të cilin duhej të përballej.

Minutat e fundit të dokumentarit i kthejnë të dy pikërisht në vendin ku ndodhi sulmi.

Ky rikthim i lejon Rushdie-t të korrigjojë edhe një kujtim që e kishte munduar.

Pas sulmit ai pyeste veten vazhdimisht pse nuk kishte bërë asgjë për t'u larguar nga agresori.

“Pse nuk bëra asgjë? Pse thjesht qëndrova aty?”, kishte menduar.

Por filmi tregoi diçka tjetër.

“Në film shihet se nuk qëndrova thjesht aty. U përpoqa të largohesha prej tij”, thotë Rushdie.

Për të, kjo tregon se kujtesa dhe realiteti nuk përputhen gjithmonë. Filmi, në këtë rast, u bë një “perspektivë e tretë”, përtej asaj që ai kujtonte dhe asaj që mendonte se kishte ndodhur.

Gibney u përpoq të intervistonte në burg edhe agresorin, të cilin Rushdie në librin e tij dhe filmi e identifikojnë vetëm si “A”, por nuk arriti ta realizonte intervistën.

Regjisori thotë se nuk donte të bënte vetëm një film për një sulm brutal. Synimi i tij ishte të tregonte edhe procesin e shërimit dhe mënyrën se si dashuria mes Rushdie-t dhe Griffiths u bë pjesë e mbijetesës.

Për këtë arsye, megjithëse dokumentari përmban momente të rënda dhe hyn në anët më të errëta të dhunës njerëzore, ai përfn te rikuperimi.

Rushdie kishte përdorur në hyrje të librit të tij me kujtime një fjali të Samuel Beckett-it: “Ne jemi të tjerë, nuk jemi më ata që ishim përpara fatkeqësisë së djeshme.”

Katër vjet pas sulmit, shkrimtari jeton me pasojat fizike të tij, por vazhdon të shkruajë dhe të udhëtojë. Ai shkon rregullisht në Mbretërinë e Bashkuar për të takuar djemtë dhe nipërit e tij dhe do të jetë atje me Griffiths për premierën londineze të filmit.

Kur pyetet se sa e ka ndryshuar gjithë kjo, Rushdie përgjigjet shkurt: “Jam më mirë nga sa ndoshta kam të drejtë të jem. Dhe Eliza gjithashtu.”

Katër vjet pasi kamera e Griffiths regjistroi një Salman Rushdie të plagosur rëndë në një shtrat spitali, pikërisht ato pamje janë bërë dëshmia më e drejtpërdrejtë jo vetëm e dhunës që për pak e vrau, por edhe e rrugës së tij për t'u rikthyer në jetë. /Përshtati "Pamfleti" nga "The Guardian"salman rushdie thike sulm screenshot 4 screenshot 5 screenshot 6 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kulture Parisi hap historinë që arti la jashtë: 70 veprat e Kerry James Marshall 18 Shtator 2026, 12:5112:51Kulture McQueen rikthehet në Londër, moda britanike hyn në pasarelën e mbijetesës 17 Shtator 2026, 12:3212:32Kulture Trump kushtëzon 257 milionë dollarët me emrin e tij, Kennedy Center mbyll skenat 16 Shtator 2026, 16:1016:10Kulture “Jemi ende në diskutime”/ Belgjika nuk konfirmon Eurovisionin, në qendër pjesëmarrja e Izraelit 16 Shtator 2026, 12:3912:39Kulture “Një copëz Shqipërie në Itali”, Ansambli Kombëtar sjell në skenë pasurinë e traditës shqiptare 16 Shtator 2026, 08:2008:20Kulture Emmy-t vendosin sot fituesit e televizionit: “The Pitt” përballë rekordit të Apple 14 Shtator 2026, 12:4312:43Kulture