Luan Omari, një prej themeluesve të Akademisë së Shkencave, është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare. Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke u bërë një nga juristët më të përgatitur të brezit të tij. Ai është i pari akademik shqiptar që ka kaluar një shekull jetë dhe njëherazi i fundit nga themeluesit e Akademisë së Shkencave që është ende në jetë, që prej vitit 1972 kur u ngrit ky institucion. Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. LEXO EDHE:Luan Omari nderohet në 101-vjetor me titullin “Ylli i artë” Ka qenë docent i së drejtës publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i së drejtës kushtetuese, sekretar shkencor dhe më pas zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave. Përtej kufijve të Shqipërisë, ai ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke sjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese. Gjatë jetës së tij, akademike Omari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e së drejtës kushtetuese dhe shkencave juridike, duke u bërë një figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe europian. Meritat e tij nuk kufizohen vetëm në drejtimin institucional. Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi të drejtën kushtetuese dhe sistemin juridik shqiptar, ka qenë një nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pas viteve ’90, duke vendosur bazat e shtetit demokratik, dhe ka formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në jetën juridike dhe akademike të vendit. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Akademia e Shkencave e ka nderuar me Çmimin e Karrierës Akademike në vitin 2016, ndërsa në vitin 2020 Presidenti i Republikës e ka dekoruar me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri. Me mbi gjashtë dekada kontribut shkencor, akademiku Omari mbetet një përfaqësues i denjë i botës akademike shqiptare, europiane dhe rajonale, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e mendimit juridik dhe kulturës sonë kombëtare. P.J P.J Shqiptarja.com TAG: Luan Omari Komente Komento Sondazhi i ditës:
29 Tetor, 18:29
A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 48.8% Jo 41.5% Nuk e di 9.8% Vota total: 41 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 29 Tetor, 18:29 A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?

