Bandat kriminale shqiptare po shfrytëzojnë dobësitë e kontrolleve kufitare të Britanisë së Madhe për të futur ilegalisht persona që më pas përfshihen në tregtinë e drogës, ndërsa ata që bien në radarin e policisë transportohen sërish jashtë vendit. Kështu shkruan media britanike “The Sun”, duke iu referuar një hetimi të publikuar në dokumentarin e Sky News, “The Drug Lords Next Door”.
Sipas hetimit, grupet kriminale shqiptare kanë krijuar rrjete të sofistikuara të shpërndarjes së kokainës dhe po përdorin gjithnjë e më shumë TikTok-un për të rekrutuar shpërndarës në qytete të ndryshme britanike. Përmes këtij aktiviteti, ato synojnë të fitojnë miliona paund dhe të forcojnë kontrollin mbi tregun e kokainës.
Dokumentari zbulon se trafikantët e njerëzve reklamojnë në TikTok edhe shërbime për transportimin e personave nga Britania drejt Evropës. Një llogari që publikonte njoftime në gjuhën shqipe ofronte transport për personat që kishin probleme me ligjin në Britani, kundrejt pagesës prej 2.500 paundësh për person.
Hetimi evidentoi gjithashtu qindra njoftime për vende pune si shpërndarës droge. Gazetarët e infiltruar aplikuan në disa prej tyre dhe morën oferta për shitjen e kokainës, përfshirë një pozicion në Wigan me pagesë 280 paund në ditë dhe një tjetër në Exeter, ku ofrohej edhe strehim.
Një prej rasteve të dokumentuara është ai i një emigranti shqiptar, i identifikuar me emrin Granit, i cili pranoi se kishte kaluar ilegalisht Kanalin e La Manshit me gomone për të punuar në tregtinë e drogës. Ai tregoi se të afërmit i kishin paguar udhëtimin, me kushtin që të punonte për shpërndarësit shqiptarë.
“Përdorëm një skaf për të shkuar në Britani”, deklaroi ai për Sky News. I pyetur nëse edhe pasagjerët e tjerë kishin synim të përfshiheshin në tregtinë e drogës, ai u përgjigj: “Po. Shumica prej tyre ishin nisur me këtë ide në mendje.”
Pas mbërritjes, Granitit iu sigurua strehim në një hotel për azilkërkuesit, por ai u largua dhe nisi të punonte në një fermë kanabisi pranë Mançesterit. Aktualisht është kthyer në Shqipëri, ku punon në sektorin e ndërtimit. Ai foli në mënyrë anonime, nga frika e hakmarrjes së bandave.
Frank Stewart, nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), paralajmëroi se trafikimi i njerëzve dhe aktiviteti i bandave shqiptare të drogës janë të lidhura ngushtë.
“Nuk mund t’i ndash ata nga personat e përfshirë në krimin e organizuar të emigracionit. Ekzistojnë grupe kriminale të organizuara shqiptare që merren vetë me trafikimin e njerëzve, duke i futur ilegalisht në Britaninë e Madhe”, deklaroi ai.
Dokumentari zbulon gjithashtu se bandat përdorin telefona celularë që përmbajnë të dhënat e kontaktit të mijëra klientëve. Pajisje të tilla reklamohen në rrjetet sociale për shuma që arrijnë deri në 300 mijë paund.
“Telefoni është vetë biznesi. Të gjithë klientët e tu ndodhen në telefon. Në thelb, ti po blen një biznes”, shpjegoi David McKelvey, ish-oficer i policisë Metropolitane, i cili ka ndihmuar në operacionet e infiltrimit kundër bandave shqiptare në Britani.
Sipas hetimit, zgjerimi i këtyre grupeve lidhet edhe me krijimin e rrjeteve të drejtpërdrejta të furnizimit me kokainë, duke anashkaluar ndërmjetësit evropianë dhe duke u shtrirë deri në Amerikën e Jugut.
“Ne vlerësojmë se grupet kriminale të organizuara shqiptare kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend”, deklaroi Stewart nga NCA.
Dokumentari trajton edhe rastin e Franc Copjas, ish-banor i zonës Tottenham, të cilin prokurorët shqiptarë e akuzojnë se drejtonte një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Evropë. Perandoria e tij kriminale u përfshi në një konflikt të përgjakshëm mes bandave pas zhdukjes së 50 kilogramëve kokainë në Londër.
Hetuesi televiziv Chris Matthews tha se bandat po përdorin gjithnjë e më shumë TikTok-un për të gjetur shpërndarës të rinj, pasi rrjetet e tyre janë zgjeruar dhe nuk kanë më mjaftueshëm njerëz për të mbuluar aktivitetin në qytete të ndryshme.
Ai paralajmëroi se ofertat me pagesa të larta po shfrytëzojnë vështirësitë ekonomike në Britani për të tërhequr persona të rinj drejt aktivitetit kriminal. Sipas tij, një shofer mund të fitojë rreth 2 mijë paund në javë nga shpërndarja e kokainës, pa paguar taksa.
Ndërkohë, Kathryn Westmore, drejtoreshë e krimit financiar në organizatën UK Finance, paralajmëroi se tregtia e kokainës nuk është një krim pa viktima.
“Pas atij transaksioni qëndron një histori e tërë, e cila të çon te njerëz të shfrytëzuar, persona të cenueshëm dhe dhunë. E gjithë kjo është pjesë e të njëjtit ekosistem dhe prek jetën e të gjithëve ne”, deklaroi ajo. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

