Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve mënyrën se si mazhoranca po procedon me reformën e re territoriale, duke kërkuar që të merren në shqyrtim edhe variantet e propozuara nga opozita përpara miratimit të hartës së re. Gjatë diskutimit në Komision, Bozdo tha se prej tre vitesh palët kanë diskutuar për një hartë të re territoriale, e cila sipas tij duhet të adresojë problemet e krijuara nga reforma e vitit 2015. “Ka tre vite që diskutohet mes nesh harta territoriale, që zgjidh problemet e rënda të 2015-ës. Hajde të debatojmë, por jo pasi të marrë fund miratimi i këtij varianti”, u shpreh Bozdo. Ai akuzoi mazhorancën se po ndjek një kalendar të përshpejtuar për miratimin e hartës së re, me synim përfundimin e procesit përpara zgjedhjeve të ardhshme. “Ju keni ndërmend që të ecni me kalendarin e përshpejtimit që të kapim datën 8 tetor, që këtë hartë të re ta fusim për të kapur zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi deputeti demokrat. Bozdo kërkoi që dy variantet e propozuara të diskutohen paralelisht, duke argumentuar se mund të gjendet edhe një zgjidhje e ndërmjetme. “Ju keni sot një mundësi historike. E kuptoj se është urdhër politik, por bëhet fjalë për gjysmën e popullatës së Shqipërisë. Duhet t’i sjellim këto dy variante, se cili është më i miri, ndoshta gjejmë një variant të ndërmjetëm”, tha ai. Sipas Bozdos, shtyrja e procesit me vetëm dy javë do t’u jepte mundësi palëve që të shqyrtonin më me kujdes propozimet. “Çfarë na kushton që të presim dy javë? Kjo reformë që doni ta miratoni me nxitim prek qytetarët”, u shpreh ai. Deputeti demokrat theksoi se diskutimi për ndarjen territoriale duhet të tejkalojë interesat e momentit politik, pasi sipas tij vendimmarrja do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët. “Ne jemi njerëz politikë dhe kemi bindjet tona përtej politikës”, përfi Bozdo. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Enno Bozdo

