Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj qeverisë për ndikimin e reformës territoriale të vitit 2014 në zhvillimin e zonave rurale dhe largimin e qytetarëve nga Shqipëria. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se reduktimi i njësive vendore nga 410 bashki e komuna në 61 bashki kishte, sipas tij, edhe një qëllim elektoral, por mbi të gjitha solli “dëbimin e butë të shqiptarëve nga Shqipëria”.
Ai deklaroi se kjo politikë ka sjellë pasoja të rënda demografike dhe se numri i shqiptarëve që janë larguar nga vendi gjatë dekadës së fundit është një tregues i krizës së popullsisë.
Berisha: E theksova dhe në takimin e dy ditëve më parë me komisionin e reformës territoriale: Zvogëlimi me reformën territoriale të vitit 2014 i numrit të bashkive dhe komunave nga 410 në 61 kishte qëllimin më madhor, përveç atij elektoral, dëbimin e butë të shqiptarëve nga Shqipëria.
Zhdukja nga harta e qeverive vendore të komunave bëri që në atë që quhet Shqipëri rurale, dhe që ishte rreth 49% e popullatës, të ndërpriten të gjitha investimet. Të ndërpritet çdo investim në infrastrukturë, në rrjetin e kanalizimeve, rrjetin e ujësjellësve, në mbështetjen e fermerëve.
Dhe kjo politikë antishqiptare ka pasur pasojat më katastrofale në rrafshin demografik mbi kombin shqiptar që nga viti 1913, viti i mortajës së zezë apo vdekjes së zezë, gjer sot.
Kurrë ky komb nuk ka humbur në 10 vite, siç ka humbur nga viti 2015 në vitin 2024, vetëm në hapësirën e Shengenit, sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Dhe në qoftë se shtojmë statistikën e atyre që shkuan në Shtetet e Bashkuara, atyre që shkuan në Kanada, Norvegji, Lindjen e Mesme, Afrikë, Australi, vende të tjera, e vërteta është që 47% e shqiptarëve në 10 vite janë larguar nga Shqipëria.
Mendoj se kjo është goditja më e rëndë në vetë ekzistencën e kombit shqiptar. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

