Lajme Zone
Tërmet politik në Hungari! Prokuroria bastis serverët e Fidesz-it, Orban: Ka nisur tirania!
PolitikëPamfleti

Tërmet politik në Hungari! Prokuroria bastis serverët e Fidesz-it, Orban: Ka nisur tirania!

Sipas deklaratës së Fidesz, hetuesit mbërritën pa paralajmërim me synimin për të sekuestruar sistemin e komunikimit dhe bazat e të dhënave të partisë.

Viktor Orban / Përplasja mes qeverisë së Peter Magyar dhe Viktor Orban hyn në fazën më të rrezikshme. Opozita flet për "goditje ndaj demokracisë", ndërsa autoritetet po hetojnë një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit të epokës Orban... Një tjetër zhvillim dramatik ka tronditur Hungarinë, duke thelluar luftën politike që ka përfshirë vendin pas humbjes historike të Viktor Orban në zgjedhjet parlamentare të prillit. Të martën, hetues të Prokurorisë hungareze kryen një kontroll në qendrën ku ndodhen serverët dhe infrastruktura kryesore informatike e partisë Fidesz, duke shkaktuar reagime të furishme nga ish-partia në pushtet.

Sipas deklaratës së Fidesz, hetuesit mbërritën pa paralajmërim me synimin për të sekuestruar sistemin e komunikimit dhe bazat e të dhënave të partisë.

"Tirania ka arritur sot një nivel të ri. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Hungari që nga rënia e komunizmit në vitin 1990", deklaroi Fidesz në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.

Fidesz: Qeveria po përpiqet të na eliminojë

Partia e Viktor Orban pretendon se bastisja nuk është një procedurë e zakonshme hetimore, por pjesë e një strategjie të qeverisë së re të Peter Magyar për të paralizuar opozitën.

Në deklaratën e saj, Fidesz akuzon partinë në pushtet TISZA se, pasi nuk arriti ta "shkatërrojë politikisht" opozitën, tani po përdor prokurorinë dhe institucionet shtetërore për ta goditur juridikisht.

"Kjo është një përpjekje për ta nxjerrë jashtë loje Fidesz-in dhe çdo rezistencë ndaj pushtetit aktual", thuhet në reagimin e partisë.

Edhe Balázs Orbán, një nga drejtuesit kryesorë të Fidesz-it (pa lidhje familjare me Viktor Orban), ngriti pikëpyetje të forta mbi të ardhmen politike të vendit.

"A do të ketë më zgjedhje të lira në Hungari, apo kushdo që kandidon kundër TISZA-s do të përfjë në burg?" deklaroi ai.

Peter Magyar kërkon transparencë

Nga ana tjetër, kryeministri Peter Magyar reagoi me një ton më të përmbajtur.

Ai deklaroi se kishte marrë dijeni për bastisjen vetëm nga njoftimi i vetë Fidesz-it dhe se priste një deklaratë zyrtare nga Prokuroria për të sqaruar arsyet e operacionit. Deri tani, organet e hetimit nuk kanë bërë publike detaje mbi materialet e sekuestruara apo objektin e plotë të kontrollit.

Çfarë po hetohet?

Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet hungareze, bastisjet lidhen me një hetim penal për përdorimin e fondeve të Fondit Kombëtar të Kulturës (NKA).

Hetuesit po verifikojnë akuzat se gjatë viteve të fundit të qeverisjes së Orbanit miliarda forintë fonde publike janë shpërndarë në mënyrë jo transparente drejt artistëve, organizatave dhe institucioneve të afërta me Fidesz-in.

Vlera e fondeve që po hetohen kalon 17 miliardë forintë, ndërsa disa ish-zyrtarë dhe funksionarë aktualë janë tashmë nën procedim penal. Të gjithë kanë mohuar shkeljet.

Fundi i një epoke

Ngjarja nuk mund të kuptohet pa parë transformimin politik që po kalon Hungaria.

Pas 16 viteve në pushtet, Viktor Orban humbi zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 përballë Peter Magyar, i cili premtoi rikthimin e standardeve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Që nga marrja e pushtetit, qeveria e re ka nisur një seri reformash të thella:

ndryshime kushtetuese;

largimin e figurave të emëruara nga Fidesz në institucionet kryesore;

reformimin e sistemit gjyqësor;

bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Prokurorinë Evropiane;

hetime ndaj rasteve të dyshuara të korrupsionit gjatë qeverisjes së mëparshme.

Orban flet për "hakmarrje politike"

Fidesz i ka cilësuar të gjitha këto reforma si një spastrim politik.

Sipas kampit të Orbanit, qeveria aktuale po përdor të njëjtat metoda që për vite me radhë ia atribuonte vetë Fidesz-it: kontroll të institucioneve, ndryshime të shpejta ligjore dhe përdorim të drejtësisë për qëllime politike.

Nga ana tjetër, kabineti i Peter Magyar argumenton se nuk bëhet fjalë për hakmarrje, por për rivendosjen e ligjshmërisë dhe hetimin e dyshimeve serioze për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike.

A po hyn Hungaria në një krizë të re demokratike?

Bastisja e serverëve të partisë më të madhe opozitare pritet të ndezë debat të fortë edhe në Bashkimin Evropian.

Për mbështetësit e Viktor Orbanit, operacioni është një sinjal alarmi për përdorimin e institucioneve kundër opozitës.

Për qeverinë e re dhe mbështetësit e saj, ai është prova se askush nuk është mbi ligjin dhe se epoka e pandëshkueshmërisë politike ka marrë fund.

Në çdo rast, zhvillimet e fundit tregojnë se Hungaria po hyn në një fazë të re të polarizimit politik, ku beteja nuk zhvillohet më vetëm në parlament apo në fushata elektorale, por edhe në sallat e gjykatave dhe në zyrat e prokurorisë. Mënyra se si do të përfjnë këto hetime pritet të ndikojë jo vetëm në fatin politik të Viktor Orbanit dhe Fidesz-it, por edhe në drejtimin demokratik të Hungarisë në vitet e ardhshme./Pamfleti termet politik në hungari serverët e fidesz orban Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Trump bën 'lëmsh' ekonominë globale, planifikon një valë të re tarifash për 60 vende 21 Korrik 2026, 17:0117:01Rajoni dhe Bota Kërcasin prangat për Viktor Orban? Prokuroria bastis zyrat e partisë së ish-kryeministrit 21 Korrik 2026, 16:0516:05Rajoni dhe Bota Pezheskian: Komunikimi me Khamenein është rritur, të gjitha vendimet kritike i merr ai 21 Korrik 2026, 15:1715:17Rajoni dhe Bota Italia "digjet" nga i nxehti, rritet numri i qyteteve në alarm të kuq 21 Korrik 2026, 14:5914:59Rajoni dhe Bota Nga Namibia te Gaza: A po hyn bota në epokën e gjenocideve pa ndëshkim? 21 Korrik 2026, 13:3813:38Rajoni dhe Bota Nga kokaina te nafta/ Mediat ekuadoriane: Mafia shqiptare e përfshirë në një tjetër skemë kriminale 21 Korrik 2026, 13:0513:05Rajoni dhe Bota