Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik rrugor që i mori jetën një nëne 43-vjeçare dhe djalit të saj 21-vjeçar, me origjinë shqiptare, në zonën e Paleokomit, në Serres të Greqisë. Teksa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e përplasjes fatale, është publikuar dëshmia e shoferit të kamionit me të cilin u përplas automjeti i viktimave, ndërsa janë bërë publike edhe fotografitë e nënës dhe djalit, humbja e të cilëve ka tronditur komunitetin ku jetonin prej vitesh. Shoferi 56-vjeçar i kamionit, i cili mbeti i plagosur lehtë, ka përshkruar momentet dramatike të aksidentit në një prononcim për mediat greke. Sipas tij, ai po lëvizte normalisht në korsinë e tij me një shpejtësi rreth 75-80 km/h, kur automjeti i drejtuar nga 21-vjeçari doli papritur në kahun e kundërt. “Po ecja normalisht në korsinë time me rreth 75-80 kilometra në orë. Papritur pashë një makinë që vinte drejt meje. Dukej se kishte humbur kontrollin. U përpoqa të shmangesha duke lëvizur majtas, por nuk arrita ta evitoja përplasjen. Më goditi dhe ndodhi tragjedia,” ka deklaruar ai. Sipas mediave greke, kamioni ishte i pajisur me kamera sigurie, e cila ka regjistruar momentin e përplasjes ballore. Pamjet pritet të analizohen nga ekspertët dhe autoritetet hetimore për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit dhe përgjegjësitë eventuale.
Nga të dhënat paraprake rezulton se automjeti drejtohej nga djali 21-vjeçar, ndërsa nëna e tij, 43 vjeçe, ndodhej në sediljen e pasagjerit. Përplasja, e ndodhur rreth orës 07:30 të mëngjesit në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, pranë Paleokomit, ishte aq e fortë sa të dy humbën jetën në vendngjarje, pa mundur t’u mbijetojnë plagëve të marra. Familja, me origjinë nga Shqipëria, jetonte prej shumë vitesh në Paleokomi, ku kishte ndërtuar jetën dhe punonte me ndershmëri. Sipas informacioneve, nëna dhe djali ishin nisur herët në mëngjes drejt vendit të punës. Të dy ishin të punësuar në të njëjtën kompani të madhe që merret me blerjen dhe menaxhimin e pasurive të paluajtshme, me seli në zonën bregdetare të Ofrynios (Tuzla).
Babai dhe vajza mbetën pas
Pas tragjedisë, familja përballet me një humbje të rëndë. Babai dhe vajza e familjes humbën brenda pak çastesh dy njerëzit e tyre më të dashur, ndërsa lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin lokal, ku viktimat njiheshin si njerëz punëtorë dhe të respektuar.
Shoferi 56-vjeçar i kamionit pësoi lëndime të lehta dhe u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat e Policisë Greke, ekipe të zjarrfikëses dhe ambulancat e EKAB-it, por për nënën dhe djalin nuk ishte më e mundur të bëhej asgjë. Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit vijojnë, ndërsa analiza e pamjeve të kamerës së kamionit pritet të luajë një rol kyç në përcaktimin e dinamikës së ngjarjes. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: aksident shqiptaret VDESIN

