Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka reaguar me tone të ashpra ndaj vendimit për përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit të dy deputetëve të PD, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas tensioneve dhe incidentit ku kryeministri u qëllua me vezë e shishe uji. Blushi e cilësoi këtë masë disiplinore jo si një vendim parlamentar, por si një “dënim politik” të urdhëruar direkt nga kryeministri Edi Rama, ndërsa mbrojti veprimet e opozitës në sallën e Parlamentit. “Ai nuk ishte një vendim i Kuvendit, ishte një dënim politik me urdhër dhe përllogari të Edi Ramës. Më datë 8 tetor ai ‘dënoi’ me votimin e hartës së re të shpopullimit dhe shkombëtarizimit të Shqipërisë, dhe në vazhdën e dënimeve të tij politike sot dënoi edhe dy deputetë të nderuar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Mos u habisni sikur sot, nesër apo në vijim të dënojë e të përjashtojë të gjithë deputetët e opozitës,” u shpreh Blushi. I pyetur mbi faktin se goditja e kryeministrit me ujë e vezë nxiti këtë masë disiplinore, Blushi deklaroi se çdo reagim ndaj mazhorancës është i ligjshëm përballë asaj që ai e quajti një akt kriminal e diktatorial. “Ai akt diktatorial e kriminal i marrë nën diktatin e Edi Ramës, siç dëshmuan edhe vetë deputetët e PS-së nën presion, shantazh deri në linçim të familjarëve të tyre, meriton çdo lloj reagimi të ligjshëm. Kemi të bëjmë me një kryeministër i cili vijon të jetë kryetari i një organizate kriminale dhe që në mënyrën më mafioze shkel çdo ditë Kushtetutën, ligjet e Republikës dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut,” përfi deputeti i Partisë së Lirisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
