Pavarësisht deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Kuvend se Francesco Becchetti nuk do të marrë “zero lekë” nga Shqipëria, vendimi i Gjykatës së Apelit në Paris tregon një situatë tjetër juridike. Gjykata franceze ka rrëzuar kërkesën e Shqipërisë për të zhbërë vendimin e arbitrazhit të vitit 2019, i cili e detyron shtetin shqiptar të paguajë rreth 110 milionë euro për çështjen e “Agon Channel”. Për më tepër, Shqipërisë i janë ngarkuar edhe shpenzime të tjera procedurale.
Në themel të konfliktit qëndron mbyllja e “Agon Channel” dhe pretendimet e palës së Becchettit për presion dhe ndërhyrje ndaj medias. Një episod i përfshirë në materialet e arbitrazhit lidhet edhe me raportimin e televizionit për dasmën e Erion Veliajt në vitin 2014. Pas raportimit, komunikimet e Veliajt me drejtues të televizionit u përdorën në proces si pjesë e provave që lidhen me pretendimet për presion politik ndaj medias.
Dasma u kthye kështu nga një episod i debatit politik në një element të një konflikti shumë më të gjerë mes qeverisë dhe pronarëve të “Agon Channel”. Për arbitrazhin, çështja nuk u trajtua thjesht si një përplasje për mënyrën e raportimit të një eventi privat, por në kuadër të pretendimeve për trajtimin e investimeve të Becchettit dhe të televizionit të tij. Këto zhvillime e bëjnë rastin njëkohësisht një histori për lirinë e medias, përplasjen politike dhe një faturë të konsiderueshme financiare për shtetin shqiptar.
Gjykata e Apelit në Paris i ka shtuar edhe 20 mijë euro shtesë gjobës që Shqipëria duhet t'i paguajë Becchetit si dhe një shumë të papërcaktuar financiare, që Shqipëria duhet t`i paguajë avokates Luca De Maria, që është përfshirë në këtë proces. Kjo e lë në fuqi vendimin e arbitrazhit, pavarësisht paralajmërimeve të Ramës për ndjekje penale ndaj Becchettit dhe arbitërve. Pra, nga konflikti për një televizion dhe raportimin e dasmës së Veliajt, çështja ka përfunduar në një faturë prej rreth 110 milionë eurosh, ndaj së cilës përpjekjet civile të Shqipërisë për zhbërje deri tani nuk kanë dhënë rezultatin e kërkuar.

