Lajme Zone
Tedi Blushi: Greqia po ul çmimet, Rama po rrit taksat! TVSH-ja për ushqimet duhet të zbresë në 5%
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Tedi Blushi: Greqia po ul çmimet, Rama po rrit taksat! TVSH-ja për ushqimet duhet të zbresë në 5%

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar qeverinë shqiptare se nuk po merr masa të mjaftueshme për frenimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve, ndërsa ka krahasuar politikat e Shqipërisë me ato të Greqisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar qeverinë shqiptare se nuk po merr masa të mjaftueshme për frenimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve, ndërsa ka krahasuar politikat e Shqipërisë me ato të Greqisë. Në një deklaratë, Blushi tha se qeveria greke po ndërhyn për uljen e çmimeve të mbi 1,600 produkteve, ndërsa sipas tij, në Shqipëri barra fiskale mbi qytetarët vijon të jetë e lartë. Ai iu referua edhe të dhënave për rritjen e çmimeve, duke pretenduar se në korrik ushqimet në Shqipëri u shtrenjtuan me 3.2%, ndërsa në Bashkimin Evropian rritja ishte 0.6%. Sipas Blushit, diferenca tregon vështirësitë me të cilat përballen familjet shqiptare për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe fuqisë së ulët blerëse. Blushi deklaroi se Partia e Lirisë ka propozuar në Kuvend uljen e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 5%. REAGIMI

Në Greqi, një qeveri e djathtë po ndërhyn konkretisht për të ulur çmimet e më shumë se 1,600 produkteve, duke bashkuar industrinë, furnitorët dhe supermarketet në një marrëveshje konkrete për mbrojtjen e konsumatorit.

Në Shqipëri ndodh e kundërta.

Një qeveri që vetëquhet “socialiste”, por që prej vitesh sillet si një makineri gjigante taksash, zhvatjeje dhe favorizimi të oligarkëve, i ka lënë shqiptarët vetëm përballë rritjes së pandalshme dhe abusive të çmimeve dhe rënies së fuqisë së tyre blerëse.

Edi Rama përsërit prej vitesh të njëjtin refren propagandistik: “Qeveria nuk ndërhyn dot te çmimet, kështu funksionon tregu.”

Por shifrat e Eurostat e rrëzojnë me një goditje të vetme këtë propagandë.

Në korrik, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën me 3.2%, ndërsa në Bashkimin Europian vetëm 0.6%.

Pesë herë më shpejt po shtrenjtohet ushqimi në Shqipëri sesa në Europë! Dhe kjo nuk është një situatë e përkohshme.

Shqipëria ka sot ndër barrat më të rënda të rritjes së çmimeve të ushqimeve në Ballkanin Perëndimor: 3.2%, kundrejt 2.7% në Kosovë dhe 2.3% në Malin e Zi.

Në vitin 2025, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë vetëm rreth 43% e mesatares së BE-së.

Ky është absurdi i modelit ekonomik të Edi Ramës:

Shqiptari paguan për ushqimin si europiani, por paguhet si një qytetar i varfër i rajonit.

Kjo është politika ekonomike që ka asfiksuar familjet shqiptare dhe ka kthyer bukën e gojës në një luks për mijëra qytetarë.

Sot shqiptarët kanë ndër fuqitë blerëse më të ulëta në kontinent, ndërsa paga minimale dhe pensionet mbeten ndër më të ulëtat në rajon. Megjithatë, çmimet e ushqimeve janë rritur në nivele që rëndojnë çdo ditë e më shumë mbi familjet, pensionistët dhe të rinjtë. Rreth 5 miliardë euro shpenzohen çdo vit vetëm për ushqime, ndërsa plot 20.4% e PBB-së shkon për bukën e gojës – një peshë jashtëzakonisht e lartë krahasuar me vendet europiane.

Vendet e BE-së dhe të rajonit përdorin TVSH të reduktuar për ushqimet bazë, në nivele shumë më të ulëta se Shqipëria. Ndërsa Edi Rama vazhdon t’i mbajë ushqimet e shportës me 20% TVSH, duke goditur pikërisht familjet me të ardhurat më të ulëta dhe pensionistët, të cilët e harxhojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave të tyre për ushqime.

Kjo është fytyra e një qeverie që ka zgjedhur të taksojë më shumë ata që kanë më pak dhe të favorizojë ata që kanë më shumë.

Nëse për oligarkët dhe klientët e tij gjenden gjithmonë lehtësi fiskale, për pensionistin që blen bukën, qumështin, vajin, miellin apo ilaçet, Rama gjen vetëm një përgjigje: 20% TVSH!

Qytetarët nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë prioritet i Edi Ramës.

Nëse për oligarkët klientelistë detyrimin tatimor e uli në 6%, për ushqimet e shportës ai i detyron pensionistët të paguajnë TVSH 20%. Pa përmendur që pasanikëve që blejnë jahte ua hoqi krejtësisht TVSH-në.

Kjo është fytyra kriminale e një Qeverie hajdute, që i zhvat qytetarët që luftojnë për bukën e gojës dhe u hap rrugën investitorëve miliarderë, që ndërtojnë kulla, pallate e resorte, ndërsa tokat publike ua fal me 1 euro për metër katror.

Në Kuvend janë depozituar prej kohësh dy projektligje të Partisë së Lirisë që mund të ulin drejtpërdrejt dhe menjëherë koston e jetesës:

E PARA: ulja e TVSH-së për ushqimet e shportës nga 20% në vetëm 5%.

E DYTA: ulja e çmimit të naftës përmes pezullimit të Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit.

Dy masa konkrete.

Dy vendime që prekin drejtpërdrejt xhepin e çdo familjeje shqiptare.

Dy iniciativa që nuk kërkojnë shfaqje propagandistike, por vetëm vullnet politik dhe votë në Kuvend.

Por Edi Rama nuk i ul taksat, sepse modeli i tij qeverisës mbështetet te mbledhja e sa më shumë parave nga qytetarët dhe shpërndarja e tyre sipas interesave klienteliste të pushtetit.

Në Greqi qeveria kërkon dhe miraton mekanizma për të ulur çmimet e mijëra produkteve.

Në Shqipëri qeveria kërkon mekanizma për t’i grabitur qytetarit edhe qindarkën e fundit.

Ky është ndryshimi.

Dhe pikërisht për këtë Partia e Lirisë ka një alternativë të qartë ekonomike dhe sociale: “5 Prioritetet për 4 milion shqiptarë plus”.

Një program që vendos në qendër ndalimin e shpopullimit, dyfishimin e pensioneve dhe pagave, dyfishimin e mbështetjes për arsimin dhe kthimin e Shqipërisë në një vend prodhues dhe eksportues, jo në një ekonomi të varur nga importet, konsumi dhe zhvatja fiskale.

Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë propaganda, kulla dhe fasada.

Shqipëria ka nevojë për një qeverisje që t’i japë shqiptarëve më shumë para në xhep, më shumë ushqim në tryezë, më shumë siguri për familjen dhe më shumë shpresë për të ardhmen.

Partia e Lirisë do ta ulë koston e jetesës, do të ulë taksat mbi bukën e gojës dhe do t’i japë fund modelit ku shqiptari paguan si europiani, por jeton me të ardhura mizerabël.

Sepse prioriteti ynë nuk janë oligarkët, kullat dhe resortet e pushtetit. Prioriteti ynë janë 4 milion shqiptarë plus, Shqipëria prodhuese dhe eksportuese, familja shqiptare dhe një jetë dinjitoze për çdo qytetar.

Me Ramën shqiptari paguan më shumë dhe merr më pak. Me Partinë e Lirisë, shqiptari do të paguajë më pak, do të fitojë më shumë dhe do të jetojë më mirë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: blushi