Kur trafiku rëndohet, rregullat duket se bëhen opsionale për disa drejtues mjetesh.
Pamjet e fundit tregojnë sërish të njëjtin fenomen: shoferë që, në vend që të presin në kolonën e trafikut, futen në korsinë e emergjencës për të fituar disa minuta.
“Korsia e emergjencës” kthehet kështu në korsinë e të zgjuarve, ndërsa pjesa tjetër e drejtuesve qëndron në radhë dhe pret.
Por kjo nuk është thjesht një shkelje për t’i shpëtuar trafikut. Korsia është lënë e lirë pikërisht për rastet kur dikush ka nevojë urgjente për ndihmë. Sipas rregullave të qarkullimit, ajo nuk duhet të përdoret për lëvizje normale edhe kur trafiku është i rënduar.
Problematika është veçanërisht shqetësuese në autostradën Tiranë-Durrës, ku përdorimi i korsisë së emergjencës nga automjetet civile është denoncuar vazhdimisht. Në raste emergjencash, bllokimi i saj mund të vonojë ambulancat, zjarrfikëset apo mjetet e tjera që duhet të mbërrijnë sa më shpejt në vendngjarje.
Pra, ndërsa disa mendojnë se po “fitojnë” disa minuta duke kaluar nga krahu, në fakt po rrezikojnë të tjerët.
Trafiku është i bezdisshëm për të gjithë. Por nuk është arsye për ta kthyer korsinë e emergjencës në rrugë personale.
Sepse kur ajo korsi i duhet një ambulance që po transporton një pacient, nuk ka më “të zgjuar” dhe “budallenj” në trafik.
Ka vetëm një pyetje: a do të ishte po aq i zgjuar shoferi nëse ambulanca do të vinte për të shpëtuar jetën e tij?

