Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë arrestuar në Vlorë gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të tre operacioneve të zhvilluara nga Policia.
Sipas njoftimit zyrtar, mes të arrestuarve është një 47-vjeçar, i identifikuar si Maringlen Doga, banues në Vlorë, i cili ishte dënuar me 20 vite burg për një vrasje të kryer në Itali. Ai u lokalizua dhe u arrestua në lagjen “Pavarësia 3”.
Ngjarja për të cilën është dënuar 47-vjeçari ka ndodhur në vitin 2000, në Ravena të Italisë. Gjatë një konflikti për motive të dobëta, ai dyshohet se ka vrarë me thikë një shtetas shqiptar. Gjykata e Vlorës ka njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane dhe e ka dënuar me 20 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në pranga ka rënë edhe një 49-vjeçar nga fshati Bishan, i identifikuar me inicialet Y. D., i cili ishte shpallur në kërkim për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij më 31 tetor 2026, policia kishte gjetur dhe sekuestruar rreth 12 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe gjashtë bimë të dyshuara të kësaj bime.
I arrestuari i tretë është një 50-vjeçar nga Vlora, me inicialet A. K., i dyshuar për pesë vjedhje të kryera gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026, në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash, një portofol, një laptop dhe një celular në subjekte dhe te persona të ndryshëm.
Tre operacionet u zhvilluan nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në kuadër të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale për të tre rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Aktualitet persona te shpallur ne kerkimpolicia

