41 MINUTA ME PARE Dorëheqje dhe arratisje drejt Austrisë? Ilir Kulla zbulon opsionet e Ramës nëse protesta vijon Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama për pasojat e një përshkallëzimi të përplasjes me të rinjtë protestues, duke theksuar se përdorimi i forcës nuk mund të jetë zgjidhja e krizës.
I ftuar në emisionin “Të PASHOQ”, në kanalin e YouTube të Pamfletit, Kulla u shpreh se kryeministri duhet të marrë në dorë procesin politik dhe të shqyrtojë mundësinë e ndryshimeve kushtetuese apo zgjedhjeve të parakohshme, përpara se situata të përkeqësohet.
I pyetur për një propozim të përmendur gjatë intervistës, që pretendohej se kishte ardhur nga një politikan në Austri dhe parashikonte largimin e Edi Ramës nga politika në këmbim të një forme strehimi politik, Kulla tha se shpreson që kryeministri të mos arrijë në një situatë të tillë.
“Unë shpresoj që kryeministri të mos shkojë deri në atë pikë që të jetë i detyruar të ikë”, deklaroi ai.
Eksperti theksoi se, sipas tij, kriza aktuale mund të zgjidhet vetëm përmes mekanizmave politikë dhe jo përmes përplasjes me protestuesit.
“Shpresoj që të mos e çojë pikën deri aty. Se po e ka çuar veten deri aty, do të thotë që aty e tutje pastaj nuk është më çështje dënimi, është çështje tjetër pastaj. Kështu që unë shpresoj që ai të marrë në dorë procesin politik”, u shpreh Kulla.
Sipas Kullës, Rama duhet të veprojë me përgjegjësinë e një drejtuesi që kërkon të ruajë stabilitetin e vendit dhe jo të përshkallëzojë konfliktin.
“Si babai i shtëpisë që është. Në qoftë se ai mendon që si babai i shtëpisë ka me mbajt' dhunë vetëm dru dhe s'duan bukë, prishet ajo shtëpi. Të rinjtë nuk kanë çfarë humbin, humb Shqipëria”, tha eksperti.
Duke komentuar përballjen mes kryeministrit dhe të rinjve protestues, Kulla argumentoi se humbësi më i madh i një konflikti të zgjatur do të ishte vendi.
“E para e njëherë kush humb. Ata të rinj s'kanë çfarë humbin. Se që të themi kush e fiton duhet të themi kush e humb njëherë. Kur s'ke çfarë humb, vjen ajo shprehja siçiliane, ‘më e errët se mesnata s'ka’. Ata mesnatë janë, çfarë t'i bësh atyre më shumë”, u shpreh ai.
Eksperti u ndal edhe te deklaratat që, sipas tij, kryeministri ka bërë për përballjen me protestuesit, duke kundërshtuar përdorimin e një retorike lufte.
“Nëse ai i qëndron fjalës që tha ditën e enjte, ‘kjo është luftë dhe do ta fitojmë’, do shkojmë në luftë atëherë. Se kështu e tha ai”, deklaroi Kulla.
I pyetur për mundësinë e dorëheqjes së Ramës, ai u shpreh se ky është një vendim që i takon vetë kryeministrit, por paralajmëroi për pasojat e vijimit të përplasjes.
“Ai tha, unë nuk dorëhiqem dhe do shkojmë në luftë dhe luftën do ta fitojmë. Dhe luftën do ta bëj me ata me gurë”, u shpreh Kulla, duke iu referuar deklaratave që ia atribuoi kryeministrit.
Kulla kundërshtoi edhe idenë se revolta e të rinjve mund të shuhet përmes ndërhyrjeve të forcave të rendit.
“Çfarë do i bëjë me forcë? Çfarë do i bëjë me forcë? S'ka, aty i ke në shesh, vazhdojnë. Se kështu hyjnë ditën e parë me mendjen që do përdorim forcën e këta do ikin. Në fakt, guerilja vazhdon, jemi në ditën e 10-të”, deklaroi ai, duke iu referuar situatës në momentin e intervistës.
Eksperti përmendi edhe paralajmërimin për një protestë tjetër të madhe, duke argumentuar se masat shtrënguese mund të rrisin më tej pakënaqësinë.
“O do krijojë një kamp të madh përqendrimi dhe do i vendosë diku 10 mijë veta, 20 mijë veta, të tjerë nga këta të rinj”, tha ai, duke përdorur një krahasim hipotetik për të kritikuar mundësinë e shtypjes së protestave përmes arrestimeve masive.
Pjesë nga intervista:
-Propozimi i fundit është nga një politikan në Austri, në Vjenë, ku kryeministri anuloi edhe vizitën aty, agjendën, për shkak të situatës në Shqipëri, ku i ofronte në një farë mënyre e thënë thjesht, një lloj strehimi politik dhe Shqipëria të vijonte pa Edi Ramën. Pra, ai të ikte me një pakt nga politika, kundrejt asaj benefiteve apo ndonjë mase të caktuar se amnistia aty vlen për gjëra të lehta se kur po të vinte puna ai s'do ishte i implikuar në vepra të rënda, nuk do të shpëtonte. Tani, sa...
Ilir Kulla: Unë shpresoj... unë shpresoj që kryeministri të mos shkojë deri në atë pikë që të jetë i detyruar të iki.
-E pra sa shanse ka që kjo të diskutohet kjo, apo është diçka shumë fantazi?
Ilir Kulla: Shpresoj ta presi këtë... shpresoj që të mos e çojë pikën deri aty. Se po e ka çuar veten deri aty, do të thotë që e aty e tutje pastaj nuk është më çështje dënimi, është çështje tjetër pastaj. Kështu që unë shpresoj që ai të marrë në dorë procesin politik. Prandaj të them, si janë gjërat tani, ka vetëm zgjidhje politike. Ta lërë ushtrinë e idiotëve që ka aty në parlament, që i çojnë aty vetëm për të ngritur kartonin, se për atë punë janë ata se nuk është se kanë ndonjë mendim politik... Shumë pak janë ata aty brenda që kanë mendime politike në të dyja kampet. Dhe të fillojë një proces të mirëfilltë politik. Si babai i shtëpisë që është. Në qoftë se ai mendon që si babai i shtëpisë ka me mbajt' dhunë vetëm dru dhe s'duan bukë, prishet ajo shtëpi.
-Shumë flitet në këto orë për shembull edhe çfarë do të ndjekë kryeministri, një lloj strategjie të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, mikut të tij, apo mund të pësojë fatin e Gruevskit. Apo shkojmë drejt kësaj faze ku ka vënë diskutimi... Pra unë e kam shtruar pyetjen në emision... përballjen e Ramës dhe të rinjve, kush e fiton? Mes tyre, kush fiton?
Ilir Kulla: E para e njëherë kush humb. Ata të rinj s'kanë çfarë humbin. Se që të themi kush e fiton duhet të themi kush e humb njëherë. Kur s'ke çfarë humb, vjen ajo shprehja siçiliane... 'më e errët se mesnata s'ka'. Ata mesnatë janë, çfarë t'i bësh atyre më shumë. Se kur të bësh analizën e përballjes do shohësh gjërat si janë. E dyta humb Shqipëria. Dhe automatikisht duke humbur Shqipëria, humb edhe ai që është në krye të Shqipërisë. Ndaj unë them që, ai është një njeri që ka 36 vjet eksperiencë politike, dhe ka moshën 62 vjeç. Pra është njeri i pjekur, i ka të gjitha eksperiencat, i ka të gjitha mënyrat, i ka të gjitha instrumentet, se ka dhe instrumentet, që të fillojë një proces politik, që ju e përmendët pak më përpara, që mund të jenë ndryshime kushtetuese, zgjedhje të parakohshme, e të tjerë e të tjerë, në të cilat ai dhe partia e tij do të kenë rolin kryesor, për t'i hapur vendit një rrugë... zgjedhje të presidentit nga populli nëse do të duam e të tjerë, për t'i hapur vendit një rrugë, për të shkuar në pikëpamje moderne në Bashkimin Europian. Po... ta shohim se ku di unë. Nëse ai i qëndron fjalës që tha ditën e enjte se sot është e mërkurë, pra pardje... kjo është luftë dhe do ta fitojmë. Do shkojmë në luftë atëherë. Se kështu e tha ai.
-Domethënë dorëheqje as që mendohet, ë?
Ilir Kulla: Shiko, ky është problemi i tij.
-Ai nuk e mendon të paktën kështu thotë.
Ilir Kulla: Ky është problemi i tij. Ai tha, unë tha, nuk dorëhiqem dhe do shkojmë në luftë dhe luftën do ta fitojmë. Dhe luftën do ta bëj me ata me gurë. Më rezulton që Izraeli, nuk e ka fituar akoma luftën e atyre që e bënin me gurë në vitin 1987-88, e kështu, atëherë ka filluar lufta me gurë. Sot jemi 40 vjet mbrapa, nuk më rezulton që e ka fituar. Tashi ndoshta e kam unë gabim.
-Po pse, ti e përjashton që kjo revoltë të shtypet me forcë, sepse edhe frika bën të veten. Të rinjtë janë ata...
Ilir Kulla: Çfarë do i bëjë me forcë? Çfarë do i bëjë me forcë? Ta thashë dhe një herë...
-Siç po ndodh.
Ilir Kulla: Do i marrin... po s'ka aty i ke në shesh, vazhdojnë. Se kështu hyjnë ditën e parë me mendjen që do përdorim forcën e këta do ikin. Në fakt, guerilja vazhdon, jemi në ditën e 10-të. Po vazhdon... të shtunën është paralajmëruar një protestë e madhe. Prandaj thashë, çfarë do i bëjë? O do krijojë një kamp të madh përqendrimi dhe do i vendosi diku 10 mijë veta, 20 mijë veta, të tjerë nga këta të rinj... do të them një barsoletë ose një batutë të atij skeçit të, atij teatrit të Besim Levonjës, me Qazim Mulletin. Se i kanë harruar shqiptarët se kemi pas' letërsi e teatër e kulturë, i kanë harruar këto, janë mbaru' të gjitha këto. Tashi paguajmë 4 milion euro kur i kemi këta pa bukë, për të marrë njërin nga ana tjetër e botës e për të na thënë që e bëmë alamet koncerti. Dhe nga aty... te kthesa e Kamzës nga aty ku është bërë koncerti 50 metra janë, aty ku fillon dhe jeton fukarellëku. 6 milion euro i dhamë atij. Dhe tek kjo vepra e Besim Levonjës, thotë ajo zonja thotë "ma kanë fut' djalin padrejtësisht në burg" thotë, "u bë 6 muaj në burg". Edhe ai thotë: "Po edhe unë thotë, po të isha 6 muaj në burg, do isha bërë komunist sot, se çfarë do mësojnë në burg ata". 58 MINUTA ME PARE “Kërcënimi kryesor është kaosi”, Ilir Kulla: Socialistët duhet ta rrëzojnë Ramën nga brenda partisë Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve nga protestat, duke theksuar se qeveria nuk duhet ta nënvlerësojë pakënaqësinë qytetare duke u përqendruar te numri i pjesëmarrësve.
I ftuar në emisionin “Të PASHOQ”, në kanalin e YouTube të Pamfletit, Kulla deklaroi se problemi kryesor për kryeministrin Edi Rama nuk është masiviteti i protestave, por fryma e kundërshtimit që ato përfaqësojnë. Ai kritikoi edhe drejtuesit e Partisë Socialiste, duke u kërkuar të marrin përgjegjësi dhe të kundërshtojnë kryeministrin brenda strukturave të partisë.
“E zëmë se janë edhe 1% i një milion njerëzve që janë këtu. E zëmë se janë vetëm 1%. Çfarë do bësh? Do vrasësh 10 mijë veta? Apo do futësh në burg 10 mijë veta? Edhe në emër të kujt?”, u shpreh Kulla, duke përdorur pyetje retorike për të kundërshtuar një qasje represive ndaj protestuesve.
Eksperti i sigurisë theksoi se Partia Socialiste, si forcë politike që identifikohet me të majtën, duhet të jetë veçanërisht e ndjeshme ndaj problemeve sociale dhe kërkesave të qytetarëve.
“Duhet ndryshuar narrativa se këtë radhë kemi qeverisje jo si në të tjerat që kishim një parti të djathtë, kësaj radhe kemi në qeverisje një parti që i thotë vetes të majtë. Partia Socialiste. Dhe nëse ka ndonjë parti që do të duhet të merrte nisma sociale të vazhdueshme, do të ishte kjo”, deklaroi ai.
Ai argumentoi se edhe përfaqësuesit socialistë janë të vetëdijshëm për problemet që shqetësojnë qytetarët, pasi ato prekin edhe familjet e tyre. Në këtë kontekst, eksperti dha një paralajmërim për pasojat që mund të sjellë mungesa e dialogut dhe përshkallëzimi i përplasjes mes qeverisë dhe protestuesve.
“Kërcënimi kryesor që kemi është kaosi. Është shumë kollaj t'i tregosh muskujt një fëmije 15, 16 vjeçar”, deklaroi ai.
Kulla theksoi se kundërshtimi i kryeministrit duhet të vijë nga brenda Partisë Socialiste, përmes debatit dhe marrjes së përgjegjësive politike, dhe jo përmes një përmbysjeje të nxitur nga tensionet në rrugë.
“Në vend që të kërkojnë ta rrëzojnë Edi Ramën nëpërmjet grushtit të shtetit që vjen nga rruga, ata duhet ta kundërshtojnë brenda Edi Ramën, sepse po e kundërshtuan brenda, e mbrojnë Edi Ramën, se kanë qenë të gjithë bashkë”, u shpreh Kulla.
Pjesë nga intervista:
-Tani, kapen shumë në fakt me çështjen e numrave në protestë. A ka vend për t'u gjykuar masiviteti?
Ilir Kulla: S'ka, jo. Fryma... fryma, ta thashë. Ata nuk janë... se klasa në anën tjetër nuk do me bërë krahasime. Fryma... fryma është në protestë. Këtu s'janë...
-Po numrat...
Ilir Kulla: S'kanë rëndësi. Janë pak, janë pak ato tepërti që bëjnë. Problemin ta thashë pra. E zëmë se janë edhe 1% i një milion njerëzve që janë këtu. E zëmë se janë vetëm 1%. Çfarë do bësh? Do vrasësh 10 mijë veta? Apo do futësh në burg 10 mijë veta? Edhe në emër të kujt? Në emër të atyre 5%? Duhet ndryshuar narrativa se këtë radhë kemi qeverisje jo si në të tjerat që kishim një parti të djathtë, kësaj radhe kemi në qeverisje një parti që i thotë vetes të majtë. Partia Socialiste. Dhe nëse ka ndonjë parti që do të duhet të merrte nisma sociale të vazhdueshme, do të ishte kjo.
-E mirë, ka devijuar shumë nga programi ideologjik po...
Ilir Kulla: Tani... tani, unë ç'mund t'i them... këta njerëz që janë sot në qeveri dhe asnjë nga ata nuk e ka ditur adresën e Partisë Socialiste kur Partia Socialiste ishte në opozitë. Nëse ka hyrë ndonjëri nga ata të zyrave të Edi Ramës sa ka qenë në opozitë, unë e pres kokën. Sfidë kjo, a domethënë. Nga zëvendëskryeministri e poshtë. Dhe... dhe... ky është dhe problemi tjetër që ka Edi Rama sepse në qoftë se ti e ke parë në kamera, në media e të tjera e të tjera... një grup të rëndësishëm socialistësh të djeshëm po dalin dhe kundërshtojnë, ose flasin në heshtje. Kjo është dhe arsyeja pse ky grup parlamentar i ka kërkuar atyre angazhime e të tjera e të tjera. Po edhe ata e dinë se ç'është realiteti poshtë. Se edhe ata kanë fëmijë, edhe ata kanë nipër, edhe ata kanë ashtu... Kërcënimi kryesor që kemi është kaosi. Është shumë kollaj t'i tregosh muskujt një fëmije 15, 16 vjeçar...
-Nuk ka nga ata Partia Socialiste për të cilët thuhet i tha kështu kryeministrit në mbledhje. Nga ana tjetër meqënëse këta janë prindër e janë ngopur me këtë pushtetin a nuk ka asnjë zë aty që... përveç heshtjes a po themi dhe më shumë?
Ilir Kulla: Që të kesh, që të kesh atë gjë duhet të kesh bashkëfajësi. Sepse duhet të pranojmë një gjë, në qoftë se ne themi që këtë punë e ka bërë Edi Rama... ky Edi Rama nuk ka qenë vetëm kur e ka bërë. Ka qenë të gjithë aty. Dhe në qoftë se një palë e tyre është aty dhe pret që me zorr të bjeri Edi Rama sot se do bëhen ministra dhe kryeministra nesër, nuk kanë kuptuar asgjë as ata. Dhe në fakt, në vend që të kërkojnë ta rrëzojnë Edi Ramën nëpërmjet grushtit të shtetit që vjen nga rruga, ata duhet ta kundërshtojnë brenda Edi Ramën, sepse po e kundërshtuan brenda, e mbrojnë Edi Ramën, se kanë qenë të gjithë bashkë. Që është bërë gjithë kjo katrahurë.
-E gjithë bashkë po one man show ka qenë kjo...
Ilir Kulla: Dakord, po të gjithë bashkë kanë qenë. Vetë i kanë ngritur duart. Kur vendosën të shkrijnë 15 bashki para dy javësh... ishin të gjithë bashkë. Duke mos harruar që për shembull... 1 ORE ME PARE Protesta e studentëve, Ilir Kulla: Kriza kërkon zgjidhje politike, dhuna nuk sjell asgjë Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të tregojë maturi dhe përgjegjësi politike përballë protestave të studentëve, duke kritikuar mënyrën se si qeveria ka reaguar ndaj kërkesave të tyre.
I ftuar në emisionin “Të PASHOQ”, në kanalin e YouTube të Pamfletit, Kulla theksoi se situata kërkon zgjidhje politike dhe jo përplasje apo qëndrime sfiduese ndaj të rinjve. Sipas Kullës, kryeministri ka përgjegjësinë kryesore për menaxhimin e krizës, pasi është mandatuar për të drejtuar politikisht vendin dhe për t'u dhënë zgjidhje problemeve që shqetësojnë qytetarët.
“Kryeministri është politikan, është mandatuar ta qeverisë politikisht vendin. Dhe kriza kërkon zgjidhje politike. Dhe kur kërkon zgjidhje politike i kërkon të gjitha bashkë në kompleks”, deklaroi Kulla.
Eksperti i sigurisë kritikoi edhe qëndrimin e qeverisë ndaj protestuesve, duke ngritur pikëpyetje për mbrojtjen që, sipas tij, kryeministri u bën anëtarëve të kabinetit, pavarësisht pakënaqësive të shprehura nga studentët. Ai iu referua veçanërisht ministres së Arsimit, duke e konsideruar të papërshtatshëm qëndrimin e saj ndaj protestuesve.
“Më del, ata kanë shkuar te zyra e saj atë ditë dhe ti më del akoma dhe i bën karshillëk atij publiku. Po je në terezi apo jo? E kupton që ti mirë që nuk i përgjigjesh këtyre, po mbron dhe këta të tutë. Ku po shkon aman o Zot?”, u shpreh Kulla.
Në vijim, ai i bëri thirrje drejtpërdrejt Ramës të shmangë reagimet e nxituara dhe të tregojë urtësi në përballjen me protestat.
“Duhet urtësi, duhet urtësi. Edi Rama duhet të sillet si një i urtë. Dhe po ia përsëris dhe njëherë atë që ka thënë Gjergj Fishta: ‘Por i urti kurrë nuk ngutet, prej burrnie jo prej tutet’”, deklaroi eksperti.
Kulla u shpreh se pamjet e studentëve protestues e kishin prekur personalisht, duke theksuar se ata janë të rinj shqiptarë, të cilët meritojnë të dëgjohen dhe të trajtohen me përgjegjësi nga institucionet.
“Të betohem, e kam ndjerë veten keq kur kam parë disa nga ata fëmijë që rrinin aty, janë pak më të mëdhenj se vajza ime dhe sa djali i kryeministrit”, tha ai.
Sipas tij, përballja me shqetësimet e studentëve nuk duhet të kthehet në një konflikt mes qeverisë dhe të rinjve, por në një përpjekje të përbashkët për të gjetur zgjidhje.
“Këtë gazetë e kemi bërë të gjithë bashkë dhe duhet të gjithë bashkë të vëmë forcat dhe ta kuptojmë se ata janë fëmijët tanë, fëmijët e miqve tanë, janë shqiptarë. S'na kanë ardhur as nga hëna as nga ndonjë planet tjetër”, u shpreh Kulla.
Pjesë nga intervista
Ilir Kulla: Kryeministri është politikan, është mandatuar ta qeverisë politikisht të vendin. Dhe kriza kërkon zgjidhje politike. Dhe kur kërkon zgjidhje politike i kërkon të gjitha bashkë në kompleks. Si model akoma me ministrin e arsimit, i thua mua një zonjë që ka qenë 14 vjet ministre, asnjë ditë s'e ka lënë zyrën e ministrit të lirë gjatë gjithë asaj qeverisje. Më del, ata kanë shkuar te zyra e saj atë ditë dhe ti më del akoma dhe i bën karshillëk atij publiku. Po je në terezi apo jo? E kupton që ti mirë që nuk i përgjigjesh këtyre, po mbron dhe këta të tutë. Ku po shkon aman o Zot? Se nuk ka çfarë të humbi ai. Duhet urtësi, duhet urtësi.
-Këshilli i të urtëve, po ku janë?
Ilir Kulla: Duhet urtësi. Edi Rama duhet të sillet si një i urtë. Dhe po ia përsëris dhe njëherë atë që ka thënë Gjergj Fishta: "Por i urti kurrë nuk ngutet, prej burrnie jo prej tutet". Të betohem, e kam ndjerë veten keq kur kam parë disa nga ata fëmijë që rrinin aty, janë pak më të mëdhenj se vajza ime dhe sa djali i kryeministrit. Kështu që, në qoftë se do flasim siç është për të folur, në qoftë se pastaj do të bëjmë fresk njëri-tjetrit, këtë... prandaj të tregova historinë e Fatos Nanos me Sali Berishën. Këtë gazetë e kemi bërë të gjithë bashkë dhe duhet të gjithë bashkë të vëmë forcat dhe ta kuptojmë se ata janë fëmijët tanë, fëmijët e miqve tanë, janë shqiptarë. S'na kanë ardhur as nga hëna as nga ndonjë planet tjetër. Të vijnë... si ne do do pranojmë me shumë të drejtë, se unë nuk jam kundër sjelljes së punonjësve nga jashtë, nga Bangladeshi, nga India, nga Afrika... e di që unë kam shëtitur gjithë botën, nuk kam unë paragjykime të tilla. Po para se të bëjmë atë, do mendojmë për këta që kemi brenda. 1 ORE ME PARE “Nuk lidhin dot 7 fjalë”/ Kulla ironizon deklaratën e Ramës për studentët: PS-në e ke mbushur me intelektualë Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për studentët protestues, të cilët kreu i qeverisë i etiketoi si injorantë, të dhunshëm dhe të paditur.
I ftuar në emisionin “Të PASHOQ”, në kanalin e YouTube të Pamfletit, Kulla ironizoi deklaratën e Ramës, duke thënë se përpara se të paragjykojë të rinjtë për nivelin e tyre intelektual, kreu i qeverisë duhet të shohë përfaqësuesit që ka zgjedhur në grupin e tij parlamentar. Për degradimin e politikës shqiptare, Kulla akuzoi Edi Ramën dhe Sali Berishën.
“Në fakt ky në grupin e vet parlamentar ka futur ca intelektualë të shquar meqë dinë të lidhin shtatë fjalë. Edhe ai tjetri. Se ky pra është populli që kemi, edhe këta që kemi çuar në parlament, nga këta i kemi nxjerrë. Do t'i marr me emra ata që recitojnë bukur dhe që s'dinë të lexojnë as fjalitë që i shkruajnë ca shokët e tyre, në parlament?”, u shpreh Kulla me ironi.
Analisti theksoi se përgjegjësia për gjendjen e shoqërisë dhe nivelin e përfaqësimit politik nuk mund t'u faturohet studentëve, por atyre që kanë drejtuar vendin dhe partitë politike për vite me radhë.
Kulla kujtoi se dikur Partia Socialiste kishte në radhët e saj figura të njohura të jetës akademike dhe politike, ndërsa sot, sipas tij, situata është krejt tjetër.
“Më thuaj sot kush është Namik Dokle i PS-së? Kush është Servet Pëllumbi i PS-së? Kush është Arta Dade e PS-së? Kush është Ethem Ruka i PS-së? Ku i kanë? Ky që thotë që ata janë injorantë. Po, janë injorantë se ti i ke lënë injorantë. Edhe ti tjetri, i ke lënë injorantë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar mënyrës se si politika i ka trajtuar të rinjtë dhe qytetarët ndër vite, Kulla tha se reagimet e studentëve nuk mund të shkëputen nga përgjegjësia e klasës politike.
“Se e shkatërruat politikën, i nxorrët ujin e zi. Unë jam rritur në PS, mua më dhimbset që unë duhet të kritikoj PS-në”, u shpreh analisti.
Ai pranoi se përgjegjësia për situatën nuk është vetëm e drejtuesve aktualë, por edhe e atyre që kanë qenë pjesë e politikës shqiptare.
“Kur them ne, nuk e akuzoj atë, e fus dhe veten. Edhe unë jam pjesë e këtij gabimi të madh të bërë. Po ky gabimi, si do zgjidhet kështu, pa reflektuar?”, tha Kulla.
Për Kullën, protestat dhe revolta e të rinjve janë të lidhura me margjinalizimin shoqëror dhe mungesën e reflektimit nga drejtuesit politikë.
“Janë injorantë, janë agresivë, janë të paditur, se prandaj i kemi margjinalizuar ne dhe prandaj do të paguajmë faturën e atyre ne”, u shpreh ai, duke e përfshirë edhe veten në përgjegjësinë për këtë situatë.
Pjesë nga intervista:
- Kryeministri e paragjykon thuajse çdo ditë në reagimet e tij... thotë janë me maska, janë të dhunshëm, anonimë, nuk dinë të lidhin shtatë fjalë, TikToker...
Ilir Kulla: Në fakt ky në grupin e vet parlamentar ka futur ca intelektualë të shquar meqë dinë të lidhin shtatë fjalë. Edhe ai tjetri. Se ky pra është populli që kemi, edhe këta që kemi çuar në parlament, nga këta i kemi nxjerrë. Do t'i marr me emra ata që recitojnë bukur dhe që s'dinë të lexojnë as fjalitë që i shkruajnë ca shokët e tyre, në parlament? Ky ka intelektualë të mëdhenj, ky. Dhe ky dhe ai tjetri. Kur bën atë marrëveshjen e famshme të 2008-s, të prillit 2008-s, pikërisht pra, të shkatërruan. Dikur Partia Socialiste e kishte qeverinë dhe e kishte dhe kur ishin në opozitë, ishin të gjithë intelektualë ata, të gjithë akademikë, të gjithë me biznese, me të shquar e të tjerë. Çfarë të them unë ty? Më thuaj sot kush është Namik Dokle i PS-së? Kush është Servet Pëllumbi i PS-së? Kush është Arta Dade e PS-së? Kush është ky... Ethem Ruka i PS-së? Ku i kanë? Ky që thotë që ata janë injorantë. Po, janë injorantë se ti i ke lënë injorantë. Edhe ti tjetri, i ke lënë injorantë.
Prandaj janë injorantë. Se e shkatërruat politikën, i nxorrët ujin e zi. Unë jam rritur në PS, mua më dhimbset që unë duhet të kritikoj PS-në. Po kështu e kanë ngashuar... Kujt po i thotë ai që ata janë injorantë? Ata që ka ai në grupin parlamentar e ka seriozisht? S'po të them për qeverinë, se asnjë nga këta s'ka qenë në PS para 2013-s. Po, injorantë janë. Kështu është. Janë injorantë, janë agresivë, janë të paditur, se prandaj i kemi margjinalizuar ne dhe prandaj do të paguajmë faturën e atyre ne. Kur them ne, nuk e akuzoj atë, e fus dhe veten. Edhe unë jam pjesë e këtij gabimi të madh të bërë. Po ky gabimi, si do zgjidhet kështu, pa reflektuar? Do ta gjesh ti, drejtorin e pamfletit, si ka qenë PD-ja e parë.
E mbushur me intelektualë. Të gjithë intelektualët e emrit, e fillit të Shqipërisë shkuan tek PD-ja e parë. Po më gjej ndonjërin nga ata, ti, mua, që di të bëjë një punim shkencor, unë heq kokën. Se të majtas e të djathtas të gjithë i kanë kopjuar. Po t'i pyesësh se kur kanë lexuar librin e fundit... Kjo është. Dhe këta ankohen pastaj, nga të dyja anët. Se kur dalin jashtë, ndezin ato purot e mëdhaja e kështu e tjerë, që një nga ato puro bën sa merr pensioni një nga ata pleqtë e atij fshati. Pse këta janë çuar? Po normal që do çohen. Edhe maçoku të bëje errësirë, t'i lësh pa bukë, t'i vësh me qoshe, të hysh me dru, çfarë do të bëjë? Do të hidhet në sy dhe do të nxjerrë sytë. Çfarë do bëjë? Është natyrë. 1 ORE ME PARE Protesta, Ilir Kulla: Çfarë dialogu kërkon Rama kur protestuesit i quan terroristë? Ilir Kulla Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka kritikuar gjuhën e përdorur nga autoritetet ndaj protestuesve, duke vënë në dyshim gatishmërinë për dialog. I ftuar në podkastin “Të Pashoq” të “Pamfletit”, Kulla paralajmëroi se vendi është i papërgatitur për menaxhimin e kaosit dhe se situata aktuale nuk ofron alternativa të qarta për daljen nga kriza. Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, i ftuar në podkastin “Të Pashoq” të “Pamfletit”, ka komentuar thirrjet për dialog mes autoriteteve dhe protestuesve, duke kritikuar deklaratat që, sipas tij, bien ndesh me frymën e një marrëveshjeje.
Kulla u ndal te gjuha e përdorur ndaj protestuesve, duke përmendur cilësimin e tyre si organizata terroriste, paralajmërimet për sanksione dhe deklaratat se shteti ndodhet në një luftë që duhet ta fitojë.
Sipas ekspertit, një qasje e tillë nuk krijon kushtet për dialog, ndërsa autoritetet kanë pasur kohë të mjaftueshme për të ndërmarrë ndryshime dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e përgatitjes institucionale në përballimin e trazirave, duke e cilësuar situatën si një formë të paprecedentë të gueriljes civile gjatë 36 viteve të fundit.
Pjesë nga intervista:
-Rama ofron dialog, ndërkohë nga ana tjetër protestuesit janë të vendosur që nuk e pranojnë.
Tani unë nuk e di, tani unë nuk e di çfarë dialogu është kur ti i thua, presidenti i SHBA-së i ka quajtur organizata terroriste, apo kur i thua do sanksionoheni të gjithë.
-E do flasim për atë listën e zezë.
Apo kur e mbyll fjalimin duke thënë kjo është një luftë dhe ne do ta fitojmë këtë luftë. Që tha me policët pardje. Pra kjo është një luftë dhe shteti do ta fitojë këtë luftë. Tani në qoftë se kjo quhet gjuhë për dialog, ndoshta atëherë e kam unë keqkuptim, po që kur të kërkosh dialog, unë mendoj që rruga më e mirë do të kishte qenë që në fillim të qershorit ai të kishte ndryshuar 90% të gjërave dhe të njerëzve që kishte afër se ka pasur mjaftueshmërisht kohë. Kështu që unë nuk heq asgjë nga ato që kam thënë në raport me këtë situatë. E vetmja gjë që më duhet të shtoj është që ne si vend jemi të papërgatitur për menaxhimin e kaosit. Sepse është hera e parë në 36 vjet që jemi në gjendje të një guerilje civile. Dhe nuk ka alternativë sepse alternativa e vetme është kaosi. 1 ORE ME PARE Ilir Kulla: Bilanci i protestave është i tmerrshëm, nëse vazhdohet me këtë ritëm rrezikojmë luftë civile Ilir Kulla Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, i ftuar në podkastin “Të Pashoq” të “Pamfletit”, ka komentuar situatën e krijuar nga protestat, duke e cilësuar shqetësues bilancin e dhjetë ditëve të para. Sipas tij, ndërhyrja e Forcave Speciale, në vend që të shuante protestën, ka ndikuar në përshkallëzimin dhe përhapjen e saj. Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, gjatë një interviste në podkastin “Të Pashoq” të “Pamfletit”, ka bërë një analizë të situatës së krijuar nga protestat, duke paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë vijimi i tensioneve.
Kulla e cilësoi bilancin e ditëve të para si tepër negativ, ndërsa theksoi se situata ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Sipas tij, dëmet në infrastrukturë, objektet e djegura dhe klima e konfliktit kanë krijuar një atmosferë pasigurie dhe paniku.
Ai paralajmëroi se, nëse protestat dhe përplasjet vazhdojnë me të njëjtin intensitet për disa muaj, vendi mund të përballet me një situatë të ngjashme me luftën civile.
Eksperti kritikoi gjithashtu mënyrën se si autoritetet e menaxhuan protestën fillestare, duke argumentuar se përdorimi i Forcave Speciale ndikoi në zgjerimin e saj, në vend që të sillte qetësimin e situatës.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Një analizë të shkurtër mbi bilancin e nëntë ditëve.
Ilir Kulla: Është i tmerrshëm.
Pyetje: Si?
Ilir Kulla: I tmerrshëm është. Praktikisht, përveç efektit mediatik që të gjitha mediat e botës më kanë marrë, deri nga Indonezia më kanë marrë për të pyetur çfarë ndodh e të tjera. Rrugët e tjera anash janë të gjitha pa semaforë, objektet e djegura janë boshatisur e të tjera dhe duket sikur ka një klimë konflikti dhe paniku, e cila vazhdon. Kështu që është i tmerrshëm.
Pyetje: Vetëm është i tmerrshëm, kaq. Ok, atëherë do të bëj pyetje të tjera që...
Ilir Kulla: Domethënë, bilanci nuk është aspak pozitiv dhe aspak premtues, sepse nëse do të jetë ky ritëm i këtyre nëntë ditëve të para, dhjetë ditëve, sepse në fakt jemi në ditën e dhjetë, imagjino të jetë kështu për disa muaj me radhë, ne jemi praktikisht në luftë civile.
Tani, në qoftë se ju mendoni që unë do të them se s'është i tmerrshëm, s'është i tmerrshëm. Sigurisht që ka pasur mundësi që kjo gjë të evitohej. Kanë pasur mundësi që kryeministri ato karriget që ka vënë sot, t'i vinte që në fillim të majit atje, në fillim të qershorit atje te sheshi.
Por pasi u tallën, u nëpërkëmbën, u thanë jo fillojnë pushimet, jo Botërori, jo janë 5, jo janë 7, jo janë 12 e të tjera, vendosën t'i përgjigjen një proteste relativisht të vogël para 10 ditësh te Ministria e Arsimit me Forcat Speciale.
Dhe Forcat Speciale e bënë punën e tyre, por efekti i Forcave Speciale dhe i policisë më tej ishte që, në vend që ta shuanin dhe ta pakësonin apo t'i jepnin fund protestës, e bënë që protesta të zgjerohej, të zgjerohej në gjithë Shqipërinë dhe për më tepër imazhi i saj të jetë jo vetëm që është një protestë e madhe. live emisioni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Tirana sërish mes kaosit dhe tensioneve, mijëra të rinj në këmbë kundër Ramës 20 Tetor 2026, 18:5018:50LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Një javë kaos, nis protesta te Ministria e Arsimit; e gjithë Shqipëria në këmbë 19 Tetor 2026, 12:3012:30LIVE UPDATES Tirana në kolaps/ Tym e flakë kudo, përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë 18 Tetor 2026, 19:3519:35LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Dita e gjashtë e revoltës kundër Ramës, Tirana mes gazit, molotovëve dhe përplasjeve me policinë 18 Tetor 2026, 17:1217:12LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana sërish në kaos, policia në ndjekje të protestuesve; përplasje nëpër rrugët e kryeqytetit 18 Tetor 2026, 15:3615:36LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Molotovë, gaz, ujë dhe gurë, kaos total para Kryeministrisë 17 Tetor 2026, 16:2516:25LIVE UPDATES

