Egnatia nuk ka arritur të bëjë mrekullinë në rrugëtimin e saj në Ligën e Kampioneve, duke u eliminuar në mënyrën më të dhimbshme dhe më të pafat të mundshme. Kampionët e Shqipërisë kanë mbyllur ëndrrën e tyre në këtë kompeticion elitar pas gjuajtjeve të 11-metërshave, aty ku fati u ktheu shpinën në momentet më deçizive.
Pavarësisht një beteje të vërtetë në fushë, një loje luftarake dhe dëshirës për të kaluar në raundin tjetër, gjithçka u vendos nga pika e bardhë. Stafi, lojtarët dhe tifozët e Egnatias “nuk u kanë besuar syve” teksa shanset për një kualifikim historik rrëshqitën nga duart. Gabimet e dy prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, Bitrit dhe Ndrecës, gjatë ekzekutimit të penalltive rezultuan fatale për rrogozhinasit.
Një mbrëmje e hidhur për kampionët, të cilët lanë gjithçka në fushë dhe ndoshta meritonin më shumë për shpirtin e garës që treguan. Tashmë, Egnatia e mbyll kapitullin e Champions League me kokën lart, për të zhvendosur të gjithë fokusin e saj drejt kompeticioneve të tjera europiane, aty ku do të synojë të lërë pas këtë zhgënjim të madh. Top Channel

