Dhimbja e shpinës është një nga shqetësimet kronike më të zakonshme dhe për miliona prej nesh që kalojnë shumë kohë në divan duke parë televizor, duke lexuar apo duke punuar nga shtëpia, zgjedhja e divanit ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të rëndësishëm në gjendjen e shpinës. Mund të keni gjetur një divan që duket i përshtatshëm, ka pamjen që dëshironi dhe përmasat e duhura.Lexo edhe:Çfarë fshihet pas ushqimeve me bazë bimore? Shkencëtarët zbulojnë toksina në 212 produktet e testuara Por nuk do të dëshironit që divani i ri të rezultonte i parehatshëm pasi ta vendosni në shtëpi. Për të shmangur këtë situatë pas blerjes së një divani, nuk duhet ta bazoni vendimin vetëm te pamja e tij në dyqanin e mobilieve, thotë Jochen Winning, drejtor menaxhues i Shoqatës Gjermane për Cilësinë e Mobilieve (DGM). “Prova e ulëses është e domosdoshme kur blini mobilie të veshura me tapiceri.” Në fund të fundit, ne kalojmë mesatarisht më shumë se tri orë në ditë në divan, sipas Fushatës Gjermane për Shpinë të Shëndetshme (AGR). Prandaj, divani duhet të jetë i përshtatshëm për ju. Këtë mund ta kuptoni vetëm pasi të jeni ulur në të. Thellësia e ulëses ka shumë rëndësi. Kofshët duhet të mbështeten rehat, pa u ushtruar presion i pakëndshëm në pjesën e pasme të gjunjëve nga skaji i divanit. E rëndësishme është edhe lartësia e ulëses. Në mënyrë ideale, duhet të jeni në gjendje t'i mbështesni shputat plotësisht në dysheme. Në të njëjtën kohë, divani duhet të ofrojë mbështetje për shpinën, si kur qëndroni ulur drejt, ashtu edhe kur mbështeteni prapa për t'u çlodhur. Specialistët rekomandojnë që mbështetësja e shpinës, në mënyrë ideale, të arrijë të paktën deri në lartësinë e shpatullave. Të ulesh, të shtrihesh dhe të çlodhesh Kur provoni një divan, duhet të testoni pozicione të ndryshme: të uleni drejt, të mbështeteni prapa, të ngriheni në këmbë dhe të uleni përsëri. Sipas DGM-së, qëndrimi pak më gjatë në divan mund t'ju ndihmojë ta vlerësoni më saktë rehatinë e tij. Një tjetër kriter është mbushja e divanit. Mbushja shumë e butë shpesh duket veçanërisht e rehatshme në fillim, por jo gjithmonë i ofron trupit mbështetje të mjaftueshme. Sipas ekspertëve të mobilieve, mbushja më e fortë siguron mbështetje më të mirë dhe shpesh e ruan formën për një kohë më të gjatë. Në fund, ajo që ka më shumë rëndësi është se çfarë i përshtatet trupit tuaj dhe mënyra se si keni ndërmend ta përdorni divanin. Me fjalë të tjera, nëse divani do të përdoret kryesisht për të qëndruar ulur drejt apo për t'u shtrirë dhe çlodhur. Nëse rehatia gjatë qëndrimit ulur ose shtrirë është përparësi për ju, zgjidhni modele me pjesë të rregullueshme, si mbështetëset e shpinës, të krahëve ose të këmbëve. Mos e zgjidhni tapicerinë vetëm në bazë të ngjyrës Përveç formës dhe mbushjes, ia vlen t'i kushtoni vëmendje edhe materialit të tapicerisë. Pëlhurat dhe lëkura japin ndjesi të ndryshme në prekje dhe reagojnë ndryshe ndaj temperaturës, lagështisë dhe konsumimit. Disa lloje tapicerish japin ndjesinë e ngrohtësisë dhe rehatisë, ndërsa të tjera duken më të freskëta ose më të lëmuara. Merrini parasysh edhe këto aspekte kur vendosni se çfarë të blini./DPA News

