Lajme Zone
Takimi i Ramës me Rutte/ Rikonfirmohet mbajtja e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë
PolitikëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Takimi i Ramës me Rutte/ Rikonfirmohet mbajtja e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me Sekret...

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në fokus të të cilit ishin sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike, forcimi i bashkëpunimit strategjik brenda Aleancës dhe roli i Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përbashkëta të mbrojtjes.

Vëmendje e veçantë iu kushtua thellimit të bashkërendimit me NATO-n në përballimin e kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si sfida që kërkojnë një përgjigje gjithnjë e më të koordinuar mes vendeve aleate.

Një tjetër çështje me rëndësi strategjike ishte zhvillimi i Korridorit VIII si korridor i mobilitetit ushtarak, që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe përbën një komponent të rëndësishëm për lëvizshmërinë, gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e krahut juglindor të NATO-s. Në këtë kuadër u trajtua edhe rëndësia e projektit të Porto Romanos për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe logjistike në mbështetje të nevojave strategjike të Aleancës.

Gjatë takimit u rikonfirmua gjithashtu mbajtja në Tiranë e Samitit të radhës të NATO-s, në vijim të vendimit të marrë nga vendet aleate.

Organizimi i këtij samiti përbën një moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, jo vetëm si vend mikpritës i forumit më të lartë politik të Aleancës, por edhe si një aleat me rol dhe përgjegjësi në rritje në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

Në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri të shtuara dhe sfida të ndërlikuara gjeopolitike, Samiti i radhës i NATO-s në Tiranë do të vendosë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në qendër të diskutimeve strategjike për të ardhmen e sigurisë kolektive, duke konfirmuar rëndësinë e rajonit për stabilitetin dhe sigurinë euroatlantike. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.